Akademiku nga Lugina, anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave
Lokale

Akademiku nga Lugina, anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave

28.Nov.2013 16:06
0
Akademiku Hivzi Islami nga Letovica e komunës së Bujanocit është zgjedhur anëtarë i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave me seli në Austri. Pas Akademik Rexhep Ismajlit nga Lugina e Preshevës, këto ditë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Evropës, me seli në Salzburg të Austrisë, erdhi letra zyrtare me të cilën konfirmohet se në radhët e saj është zgjedhur anëtar i rregullt edhe Akademik Hivzi Islami nga Lugina, demograf i njohur, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar aktual i saj. Zgjedhja është bërë në mbledhjen e Senatit të kësaj Akademie, të mbajtur më 8 nëntor 2013. Anëtarë të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve (ASAE) nga Kosova janë i ndjeri Akad. Gazmend Zajmi (1994), Akad. Rexhep Ismajli (2002) dhe anëtari i jashtëm Akad. Muhamedin Kullashi (2012) dhe tash edhe anëtarja korrespondente e ASHAK-ut, arkeologia Prof. Dr. Edi Shukriu, dhe kompozitori dhe dirigjenti i njohur nga Prishtina, profesori i Fakultetit të Arteve, Rafet Rudi. Kështu numri i anëtarëve nga Kosova shkoi në gjashtë, prej të cilëve dy janë nga Lugina e Preshevës. Me këtë dëshmohen edhe një herë meritat dhe vlerësimi i lartë që u bëhet shkencëtarit, Akademikut Hivzi Islami në suaza ndërkombëtare, duke e zgjedhur anëtar të forumit më elitar evropian dhe botëror. Inaugurimi solemn i Akademik Hivzi Islamit do të bëhet në Asamblenë e përgjithshme të Akademisë Evropiane më 8 mars 2014, në Salzburg të Austrisë.   Kush është Akademik Hivzi Islami? Hivzi Islami ( i lindur në Letovicë të Bujanocit, 1946), shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Preshevë (1965), ndërsa diplomoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega e Gjeografisë (1970). Gjatë studimeve ishte bursist i Universitetit dhe drejtonte revistën shkencore të studentëve “Dituria”. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Zagrebit, ku dhe magjistroi (1973), ndërsa doktoroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës (1977). Që nga viti 1971 është asistent, ligjërues, docent dhe profesor i demografisë në Universitetin e Prishtinës. Mban mësim në studimet pasdiplomike, ku në kuadër të tyre themeloi drejtimin e demografisë në Departamentin e Gjeografisë; udhëheq magjistrantë dhe doktorantë. Ishte prodekan i FSHMN-së në periudhën 1979-1981 dhe  shef i Departamentit të Gjeografisë në vitet 1999-2001. Në vitin shkollor 1981/82, si bursist i qeverisë frenge, qëndroi në Universitetin e Toulouse-it (Francë) për perfeksionim profesional dhe shkencor. Në vitin 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt; prej vitit 1999 e deri më 2002 ishte edhe sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore. Në vitet 2002 u zgjodh sekretar i përgjithshëm i kësaj Akademie, të cilin funksion e ushtroi deri më 2008, kur u zgjodh nënkryetar i Akademisë. Në fund të vitit 2011 u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të cilin funksion e ushtron sot. Opusi i tij profesional dhe shkencor është mjaft i gjerë. Botoi disa libra shkencorë dhe më se 120 studime, artikuj dhe trajtesa në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit nga fusha e demografisë dhe e disiplinave të afërme. Mori pjesë në shumë tubime shkencore në vend dhe jashtë, me kumtesa dhe diskutime. Në cilësi të profesorit të ftuar (Professeur invité), në vitin 2001 u mbajti ligjërata studentëve të Universitetit të Toulouse-it për çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit; në vitin 2003 përsëri u ftua nga ky Universitet për ligjërata, ndërsa në vitin 2009 në cilësi të profesorit të ftuar mbajti ligjërata në Universitetin e Parisit 8. Për qëllime studimore qëndroi dhe në universitete të tjera të jashtme. E ka përfaqësuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në takimet me akademitë simotra në rajon dhe në Evropë, si dhe në asociacionet e tjera të shkencave. Në vitet  ‘90 ishte aktiv në lëvizjen politike e kombëtare dhe në vitet 1990-1995 drejtonte një parti politike. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 qe zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Ishte anëtar i Delegacionit kosovar në Konferencën e Londrës (1992), i Delegacionit kosovar në Konferencën e Gjenevës lidhur me negociatat për arsimin shqip (1992-1994) dhe anëtar i disa delegacioneve të tjera të Kosovës, të cilat qëndruan në vende të ndryshme evropiane, pastaj në SHBA dhe Kanada.        Librat: 1. Popullsia e Kosovës (Studim demografik), dy botime, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i KSA të Kosovës, Prishtinë;  dy botime: 1980 dhe 1981, ff. 1-378 (parathënia: dr. Vladimir Klemençiç); (në shtojcë: 39 harta sipas komunave kadastrale, 19 tabela dhe 22 shtojca të tjera grafike). 2. Fshati i Kosovës (Kontribut për studimin sociologjiko-demografik të evolucionit rural të Kosovës), Rilindja, Prishtinë, 1985, ff. 1-277 (në shtojcë: 6 tabela). 3. Kosova dhe shqiptarët (Çështje demografike), Pena, Prishtinë, 1990, ff. 1-244. 4. Demographic reality in Kosova (për të huaj), Kosova Information Center, Prishtinë, 1993, f. 53; botuar edhe në Zürich më 1995 me titull Die demographische Realität in Kosova (Bearbeitung: Dr. Suzanne Auer), Seite 50, si dhe në revistën italiane Religioni e Societa, Firenze, nr. 29, 1997, me titull “Realtà demografica del Kossovo”, ff. 39-57 (Përkthyes: Dr. Alberto L’Abate). 5. Gjeografia e Kosovës (koautor), Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1994, ff. 1-164. 6. Rrjedha demografike shqiptare, Dukagjini, Pejë 1994, f. 1-269. 7. Dimensioni demografik i çështjes së Kosovës, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës, Prishtinë, 1997, ff.  1-279 (parathënia: dr. Fehmi Agani). 8. Evolucioni dhe transicioni demografik, Dukagjini, Pejë, 1999, ff. 1-273. 9. Spastrimet etnike, Dukagjini, Pejë, 2003, ff. 1-389. 10. Lindshmëria – sjellja riprodhuese dhe shoqëria (koautor), Dukagjini, Pejë, 2006, ff. 1-291. 11. Studime demografike (100 vjet të zhvillimit demografik të Kosovës), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës; dy botime: 2005 dhe 2008 (botimi i dytë i plotësuar), ff. 1- 590. 12. Kosova – Vështrim monografik (autor, redaktor dhe bashkërendues), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2011. 13. Aspekti etnik i migrimeve (Shqiptarët në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2012, ff. 1-380. Dr. Arsim Ejupi, 28.11.2013
Turqia në këmbë për të shëruar Tanën nga Presheva
Liderët e Luginës i dërgojnë letër Daçiqit: Game over!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration