40 vite nga vdekja tragjike e Qenan Shaipit nga Presheva
Lokale

40 vite nga vdekja tragjike e Qenan Shaipit nga Presheva

12.Mar.2016 10:26
0
Sot, më 12 mars 2016, bëhen dyzet vjet të plota nga humbja tragjike e jetës rinore të Qenan Shaipit, në krye të detyrës dhe pa i mbushur 30 vjeç, në Kankun të Meksikës, ku ishte si raportues i parë i Radio Televizionit të Prishtinës në delegacionin e Kryetarit të RSF të Jugosllavisë, Josip Broz Titos.
Sipas "verzionit zyrtar" të pushtetit të atëhershëm,"Qenan Shaipi humbi jetën në ujërat e Karaibeve nga një sulm në zemër, të cilin nuk e mbijetoi edhe përkundrejt ndihmës së menjiherëshme profesionale mjekësore".
Ky "verzion zyrtar" mbi rethanat e vdekjes tragjike të tij, i dhënë nga shteti komunist i Jugosllavisë së Titos, nuk u besua asnjëherë deri më sot nga shqiptarët dhe familja, farefisi, miqtë e shokët e Qenan Shaipit. 
Përkundrazi, dyshimet mbi këtë vdekje enigmatike shtoheshin gjithënjë e më tepër për rethanat dhe motivet e pushtetit të atëhershëm komunist për vrasjen enigmatike të këtij të riu shqiptar nga Presheva, i cili në shkollën e mesme të ndërtimtarisë në Mitrovicë ishte përcjellur si fëmi 14 vjeçar nga familja e tij, e cila 28 vjet më parë kishte përcjellur profesor Ibrahim Kelmendin, si "kaçak" që ishte dhe komandant i forcave shqiptare të NDSH-së për mbrojtjen e kufirit-frontit të Luftës tek "Udha e Frengit"  (hekurudha), që emigroi në Australinë e largët, për të mos u kthyer kurrë!
Prandaj, Qenan Shaipi kishte marrë një urdhër të prerë nga prindërit: "Shko, mëso biri jonë dhe kurrë mos u merr me politikë, sepse neve nuk na shkon politika!"
Qenani e kryen shkollën e mesme dhe si 18 vjeçar punësohet  në KK të Preshevës, kurse një vjet e gjysëm më pas, i vazhdoi studimet në Prishtinë.
 
Atëbotë Kosova përjetonte "bum" të vërtetë zhvillimor politik, arsimor, social e ekonomik, pas rënies së shefit të UDB-së famëkeqe, Aleksandër Rankoviqit
në Plenumin e IV-të në Brione, në vitin 1966.
Ashtu si Amerika ishte këndellur nga Lufta e Dytë Botërore dhe në fillimvitet  e 60-ta të shekullit XX, me Xhon F. Kenedi dhe familja e tij katëranëtarëshe, me djalin, vajzën dhe me zonjën, Zhaklinën, ishte bërë model i familjes së përkryer Amerikane dhe idol e simbol i përparimit dhe mirëqenies së çdo amerikani, edhe Kosova pas vitit 1966 ishte në pozitë relativisht të ngjajshme, sidomos në aspektin e shpresave të ngjallura dhe vrullit patriotik që kishte pasuar pas nëpërkëmbjes shekullore dhe prapambeturisë kombëtare të shqiptarve.
 Klasa politike kosovare ishte personifikuar në kuadrot e reja dhe të shkolluara dhe familjet e tyre të njoma, të mbrujtura me plotë energji dhe ëndrra për një Kosovë të zhvilluar e të lirë.
Perspektiva shpresdhënëse në sytë e shqiptarve të ish Jugosllavisë personifikohej pikërisht në plejadën e politikanëve, shkencëtarve, profesorëve dhe studentëve të rinjë, inteligjentë e të zgjuar, plotë energji, vullnet dhe elan rinorë, të cilët konsideroheshin si "dritë në fund të tunelit", pas territ shekullorë të robërisë, padrejtësive dhe vuajtjeve të pafund njerëzore, sociale e kombëtare.
Qenan Shaipi ishte njëri nga ata, si djalë i ri, shumë i zgjuar dhe rrjedhë is nga një familje brilante intelektuale: stërgjyshi i tij, Osman Efendiu ishte jurist me nam dhe avokat në Vilajetin e Kosovës, kurse gjyshi Shaip Efendiu ishte gjithashtu jurist dhe punoi si gjyqëtar në Kazanë e Preshevës, i cili u dënua me vdekje nga Qeveria e Nikolla Pashiqit në vitin 1916. Ekzekutimit i shpëtoi në minutat e fundit, meqë arriti t'i shmanget arrestimit dhe iku në Anadolli të Turqisë, në Dijari Bakir, ku u ekzekutua së bashku me djalin e tij të madh, Osmanin 18-vjeçar, tre vjet më vonë, në vitin 1919, nga agjentët e qeverisë serbe të Nikolla Pashiqit.
Kurse, xhaxhai i tij, profesor Ibrahim Kelmendi, emrin e të cilit e mbanë sot me krenari Shkolla Fillore Qendrore e Preshevës, ishte komandant i forcave shqiptare, që heroikisht luftuan dhe e mbrojtën vijën kufitare te Udha e Frengit (Hekurudha) në vjeshtën e vitit 1944. Ai u detyrua që së bashku me shokët e luftës dhe idealit, Luan Gashin, Adem Gllavicën, Hysen Tërpezën, etj. u detyruan të arratisen. Profesor I. Kelmendi vdiq në Australi në janar të vitit 1979, me mallin e pashuar për atdheun, që nuk e pa më kurrë!
 
Kontributi kolosal i Qenan Shaipit në përparimin e vrullshëm të vendlindjes së tij Preshevës, si teknik i parë i ndërtimtarisë në Kuvendin Komunal, konsiston në: ndërtimin e urës në qendër të fshatit Rahovicë, e cila përdoret dhe është në gjendje perfekte edhe pas 45 vitesh. 
Kjo do të thotë se, ai në moshën 18 vjeçare ishte serioz, i guximshëm profesionalisht dhe i vendosur për të marrë mbi vete përgjegjësi të mëdha.
Fillet e hartimit të Planit të parë Urbanistik të Preshevës, lidhen me aktivitetin dhe kontributin direkt të tij. Kjo do të thotë se me Qenan Shaipin Presheva vendos themelet e shndërrimit të Preshevës nga kasabaja me ndërtim kaotik, në qytet urbanistik.
Pastaj, ujësjellësi i qytetit projektohet dhe fillon së ndërtuari me nisiativën dhe nën udhëheqjen e punën e palodhëshme të tij.
Vendosja e rregullit të parë të disiplinës urbanistike në komunën e Preshevës, pra, është bërë nga Qenan Shaipi, duke mos lejuar me këmbëngulje dhe vendosmëri të palëkundur zënien e rrugëve kryesore dhe të atyre dytësore të qytetit të Preshevës.
Kontributi i Qenan Shaipit 
si kryetar i Lidhjes së Studentëve të Kosovës, e sidomos për pozitën materiale të studentëve në vitet 1966-1974, sigurimin e bursave dhe kredive studenteske, vendosjen në konvikte, etj. ka qenë i madh. 
Në këtë kohë u shumëfishua numri i studentëve shqiptarë në Kosovë, që vinin nga të gjitha viset e Jugosllavisë së atëherëshme të banuara me shqiptarë: nga Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës. 
Artikujt dhe intervistat në "Bota e re", "Rilindja", "Zëri i rinisë", etj., flasin qartë, si dokumentacion faktografik për rolin dhe angazhimin e tij të pamohueshëm në
themelimin e Gazetës së Studentëve "Bota e re" dhe për kontributin e Qenan Shaipit nga ideja, sigurimi i parave (2 milion dinarë) nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës., e deri te botimi final. Artikulli i tij në faqe të parë të nr. 1 të Botës së re, do të zë vendin e merituar.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe aktiviteti i Qenanit si Kryetar i Konferencës universitare të LK-së në kontekstin e përparimit dhe mirëqenies kosovare dhe të arriturave të gjithëmbarëshme e kolosale në atë kohë, duke i vënë dalëngadalë, por sigurtë, themelet e Autonomisë dhe ato të shtetësisë së Kosovës, me miratimin e Amendamenteve  në Kushtetutën e RSFJ-së lidhur me statusin e Kosovës si dhe në nxjerrjen e Kushtetutës së parë të Kosovës, në vitin 1974.
Duhet veçuar sidomos kontributin dhe angazhimin e guximshëm, të vendosur dhe të palodhshëm të Qenan Shaipit në themelimin dhe pavarësimin e Radiotelevizionit të Prishtinës nga Radiotelevizioni i Beogradit, që ka ka qenë tejet i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejtë pavarësimit politik nga Serbia.
Ai vdiq në krye të detyrës, në rethana tejet të dyshimta, nga dora e regjimit të atëhershëm komunist të Jugosllavisë së Titos, duke lënë pas veti bashkëshorten Sebahaten në lulen e rinisë, në moshën 26 vjeçare, djalin Agonin 2,5 vjeç  vajzën Zanën 5 vjeç. 
Me vdekjen e parakohëshme dhe tragjike të Qenan Shaipit, familja, farefisi, vendlindja e tij Presheva, Kosova dhe mbarë Shqiptaria humbën këtë kuadër të aftë dhe punëtor të palodhshëm që dha kontribut të  pakontestueshëm për përparimin e Kosovës dhe të mbarë shqiptarve të ish Jugosllavisë. 
Kujtimi dhe respekti për këtë figurë të ndritur kombëtare do të mbetet i përjetshëm në kujtesën e të gjithëve dhe do të "rifreskohet" edhe më tepër me Monografinë për jetën dhe veprën heroike të Qenan Shaipit, që do të publikohet në tetor të këtij viti, me rastin e kremtimit të 70-vjetorit të lindjes së tij.
 
Shkruar nga Nehat Hyseni; 
Bujanoc: Shpallet lista e ndihmave financiare për studentët
Kamberi: Të mos përsëriten situatat e arrestimeve të 4 Majit 2012
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration