Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dikur dhe sot
Lugina e Preshevës, Kosova Lindore, Shqipëria Verilindore banohet me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorinë e Dardanisë, e cila kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar.Shkruan: Xhemaledin Salihu
Luginën e Preshevës e përbëjnë komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Lugina e Preshevës gjendet në trekëndshin Kosovë-Serbi-Maqedoni. Regjioni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kap një hapësirë prej 1.249 km katrorë me rreth 100.000 banorë. Prej tyre shumica absolute e popullatës është shqiptare: 58% (në Preshevë rreth 95%, në Bujanoc rreth 65% dhe në Medvegjë mbi 35%), ndërsa popullata tjetër është serbe dhe rome.
Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në këto zona përmes kolonizimit pas shpërnguljeve me dhunë të Shqiptarëve për në Turqi (1912-13), Reformave agrare më 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit (1953-1966).
Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, Lugina u zbraz, sidomos u shpërngul popullata shqiptare nga Medvegja, pastaj u shpërngul popullata e Malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, duke mos i përballuar trysnitë dhe diskriminimin e pushtetit serb. Në Medvegjë kishte 5.000 banorë shqiptarë/viti 1981/, ndërsa tashti kanë mbetur më pak se 500. Poashtu një numër i madh i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, afro 25.000 emigroi në Evropën Perëndimore, në Turqi, apo në Kosovë, duke kërkuar ekzistencën jetësore dhe familjare.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës përbëjnë pjesë të pandashme nga tërësia etnografike, gjeografike, ekonomike e zonës së Karadakut, që shtrihet në Kosovë, në Maqedoni dhe në Serbi, në një anë, dhe të zonës së Gollakut në Kosovë (Medevgja). Të gjitha lidhjet e tyre jetësore kanë qenë dhe janë me qendrat: Podujevë, Prishtinë, Gjilan, Dardanë, Kaçanik, Shkup dhe Kumanovë.
Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional për krijimin e shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, të cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente, Evropën me Azinë.
Historia e popullit shqiptar është e pandarë. Shqiptarët në kuadër të Perandorisë Osmane bënin një tërësi tërritoriale, etnike, kulturore, arsimore, pra nuk ishin të ndarë me këta kufij shtetërorë, administrativë, artificialë, që u vunë më vonë me dhunë nga forcat e huaja. Lugina e Preshevës dhe popullata e saj shqiptare, jo vetëm që i bënë ballë asimilimit, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha
Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë edhe delegatët e Kazasë së Preshevës: Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Hzaxhi Abazi.
Në këtë kohë të mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjesëmarrjes së Delegatëve të Preshevës në Kuvendin e Lidhjes, Shqiptarët e Luginës u gëzuan aq shumë me shpresë se do të ndodhte bashkimi kombëtar, bile gjatë përcjelljes dhe pritjes së delegatëve, si dhe gjatë mbajtjes së Kuvendit, shqiptarët e Preshevës e kënduan dhe e vallëzuan këtë ngjarje me rëndësi kombëtare. Atëherë lindi vallja e njohur preshevare “Miratocka”.
Sipa dokumnetit nr.1501 të datës 5 gusht 1880, në Kazanë e Preshevës u themelua Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me kryetar Maksut Efendiu. Po të njëjtën kohë u themeluan Degët edhe ne Shkup, Gjilan, Gjakovë e tjerë.
Shqiptarët të pakënaqur me Turqinë Otomane organizuan kryengritje, iu bashkuan edhe shqiptarët e Luginës në krye me patriotin Idriz Seferi. Shqiptarët e Luginës të shpërngulur në Turqi kanë marrë pjesë aktive në luftën e Turqisë për liri dhe pavarësi nën udhëheqjen e Kemal Ataturkut. Këtë e dëshmojnë shumë pleqë të Preshevës dhe kënga e Çanakalasë, e cila në dasma e gazmende këndohet në Preshevë.
Pas Kongresit të Berlinit/1878/, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri në vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.
Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët e Luginës së Preshevës i solli edhe më shumë në gjendje të vështirë ekonomike e politike. Në këtë kohë është e njohur demonstrata e shqiptarëve, me patriotë edhe nga Presheva, të cilët më 1941 ngritën flamurin shqiptar te Ura e Gurit në Shkup. Në Konferencën e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare me Shqipërinë Etnike, në “Bojali Han” të Shkupit, më 19 prill 1941, morën pjesë dhe themeluesë ishin edhe patriotët nga Presheva: Shaban Efendiu, Shaip Mustafa, Abdullah Haxhi Veliu, Hafëz Lutfi Ahmeti dhe Abdullah Saqipi.
Lëvizja formoi një delegacion, për të shkuar në Tiranë, në përbërje: Shaban Efendiu, Abdullah Saqipi-Presheva dhe Aqif Tetova, i cili i bëri me dije kërkesat e Shqiptarëve të Shkupit, Kumanovës Preshevës dhe të Gjilanit për Bashkim edhe të këtyre trojeve shqiptare me Shqipërinë Etnike.
Në shtator të vitit 1944, kur kapituloi Bullgaria fashiste, shqiptarët e Luginës së Preshevës, së bashku me Gjilanin dhe Kumanovën organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati 3 muaj, shtator-nëntor 1944. Presheva e quajti “Kohë e Shipnisë”, ndërsa Ibrahim Kelmendi, atdhetar nga Presheva:”Epope e Popullit Shqiptar”. Rezistenca e armatosur ishte udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Në Preshevë u bë organizimi civilo-ushtarak, Adem Kamberit iu dha qeverisja e Bashkisë, Liman Stanecit drejtimi dhe organizimi i nënprefekturës dhe Ibrahim Kelmendit, drejtimi e organizimi i operacioneve ushtarake.
Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës u mblodhën pa vullnetin e tyre një numër qytetarësh për t’u deklaruar se donin të mbeteshin nën Serbi. Ky ishte zëvendësimi i referendumit të vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë u kurdis fati i Preshevës, që të mbetej nën Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit. Në mbështetje të rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet se edhe atëherë klasa politke shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga komunistët e atëhershëm donin mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të vazhdohej me Maqedoninë apo Presheva t’i bashkohej Kosovës. Abdullah Krashnica-Presheva, hero i popullit i mbeti besnik idesë që Presheva të mbetej në Maqedoni.
Më 1948, pas shpalljes së Rezolutës së Burosë Informative u shtua represioni. Në Preshevë në këtë kohë u shtrua kërkesa gjithëpopullore dhe me nënshkrime qytetarët shqiptarë shprehën kërkesën e tyre për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë, në kuadër të Lëvizjes për Bashkim të trojeve shqiptare.
Në qershor të vitit 1957, në fshatin Rogoçicë u formua organizata ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, ku pati edhe preshevarë: Mark Gashi dhe Qemal Kallaba, mësues në Preshevë.
Më vonë, më 1968 e 1981, shqiptarët e Luginës me demonstrata të përbashkëta në Kosovë i përsëritën kërkesat e tyre kombëtare: bashkim me Kosovën, bashkësi territoriale-politike, e cila më së miri do t’i siguronte të drejtat politike, zhvillimin ekonomik, të drejtat kulturore, arsimore, gjuhësore.
Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizua popullin politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake e politike të kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare.
Shqiptarët nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politike në Luginë, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës dolën në mënyrë masive në votim dhe me 98% popullata shqiptare u deklarua : PËR AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TË SHQIPTARËVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË, ME TË DREJTË BASHKIMI ME KOSOVËN.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përkrahur dokumentet e Konferencës së Hagës, Brukselit dhe dokumenteve të tjera aktuale, në formë më demokratike e shprehën kërkesën dhe disponimin e tyre politik lidhur me çështjen e Autonomisë, duke e kuptuar atë si formën kaluese më të përshtatshme demokratike në drejtim të bashkimit me Kosovën. Duke i pasur parasysh rrethanat e atëhershme aktuale politike në Europë, në botë si dhe në Ballkan e Serbi ishte e kuptueshme që të kërkohet edhe forma e Autonomisë. Mirëpo tashti rrethanat politike ndryshuan, ndodhi Lufta e UÇPMB-së në Luginë, u shpall Pavarësia e Kosovës. Pra, Shqiptarëve të kësaj krahine i mbetet forma e vetme demokratike: të kërkohet
ribashkimi me Kosovën, ndërsa sëbashku me Shqipërinë, çfarë ishin gjithmonë edhe aspiratat dhe kërkesat e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Marrëveshja e Konçulit, me nënshkrimin e palës shqiptare dhe qeverisë jugosllave e serbe shtroi kërkesa konkrete për të dy palët. Derisa pala shqiptare i përmbushi detyrimet, u bë demobilizimi i ushtarëve të UÇPMB-së e tjera, pala tjetër, pos policisë multietnike asgjë tjetër nuk përmbushi nga Marrëveshja.
Shqiptarët e Preshevës me vite e mbajnë pushtetin lokal, në Bujanoc për herë të parë shqiptarët më 2002 e morën pushtetin lokal. Rrethanat politike në Luginë të Preshevës e detyruan klasën politike që më 2006, të themelojë Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës që luajti një rol pozitiv në rrethanat e përmendura aktuale politike në Luginë, u bë njëfarë unifikimi i kërkesavë dhe i shpresave politike të Shqiptarëve të Luginës.
Themelimi i Trupit Koordinues Qeveritar Serb për Luginën e Preshevës nuk tregoi ndonjë përparësi cilësore në zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve, por as që zgjidhi problemet elementare, me të cilat ballafaqoheshin Shqiptarët e Luginës.
Për themelimin Këshillin Kombëtar shqiptar me seli në Bujanoc pati debate të ashpra për e kundër.Themelimi i Këshillave ishte kërkesë e qeverisë serbe. Zgjidhja e Çështjes së pazgjidhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk qëndron dhe nuk duhet të mbështetet në dëshirën dhe vullnetin e politikanëve dhe qeverive serbe, por në Kushtetutë dhe ligje të vecanta, në një status të qëndrueshëm politik, të pranuar nga palët/nga Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Qeveria serbe/ dhe me garantimin e faktorit ndërkombëtar. Pra, edhe njëherë dështuam në unifikimin e kërkesave kombëtare dhe atyre politike, edhepse me Këshillin po zgjidhen disa probleme jetësore të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sidomos në gjuhë, simbolet, kulturë, arsim dhe informim, por jo edhe statusi i Shqiptarëve.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të trajtohen diasporë e Kosovës, por pjesë përbërëse e saj, sipas të gjithë faktorëve gjuhësorë, kulturorë, arsimorë, politikë, ekonomikë, familjarë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë duhet gjithmonë t’i kenë parasysh kërkesat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës për liri, të drejta dhe bashkim kombëtar dhe kërkesat e tyre për barazi individuale e kolektive sikur të Serbëve në Kosovë. Lirimi i Republikës së Serbisë nga Shqiptarët do t’ishte Çlirim i saj.
Së pari ta arrijmë bashkimin kombëtar shpirtëror, që idetë, njerëzit, mallrat e trojeve shqiptare, sidomos të Luginës të Preshevës të lëvizin pa pengesa, ndërsa lufta për bashkim kombëtar, me mjete demokratike, të vazhdojë edhe më tutje, ashtu sikur na porosit Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me moton: LIDHJA NA BASHKON.
Besojmë se integrimet evropiane do ta mundësojnë bashkimin kombëtar të Shqiptarëve, në një Shqipëri, shtet dhe atdhe i të gjithë Shqiptarëve.
Tetovë, më 10 qershor 2015
Vërejtje: Punimi është referuar në Konferencën shkencore: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare sot”