Zyra për Luginën në Qeverinë e Kosovës, 9 muaj vetëm në letër
Zyra për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës ka më shumë se 9 muaj që është themeluar, por nuk është vënë në funksion. Pavarësisht insistimit nga KOHA, nga ekzekutivi nuk kanë treguar nëse do ta funksionalizojnë apo shuajnë tërësisht këtë zyrë, që u hap me vendim të ish-kryeministrit Avdullah Hoti. Përfaqësues të Luginës kërkojnë program të qartë të Qeverisë që t’iu dalë në ndihmë qytetarëve atje në mënyrë të vazhdueshme, e jo vetëm në situata emergjente
Ka më shumë se nëntë muaj që vendimi i Qeverisë Hoti për themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës ka mbetur në letër.
Qeveria Hoti ushtroi detyrën edhe 6 muaj pasi themeloi këtë zyrë, pa e vënë asnjëherë në funksion.
Trajtim të njëjtë ndaj saj deri tash ka pasur edhe Qeveria Kurti. Ka rreth një muaj që ekzekutivi nuk kthen përgjigje në pyetjet e KOHËS nëse ka në plan ta funksionalizojë apo shuajë këtë zyrë.
Në fillim të këtij viti Qeveria Hoti e kishte miratuar planin e punës së kësaj zyre, ku parashihej që po në janar të emëroheshin drejtori dhe dy asistentët, por kjo nuk ka ndodhur. Në Planin e punës parashihej që diku kah marsi të bëhej hartimi i nismës legjislative për të lehtësuar procesin e pajisjes me dokumente të identitetit dhe shtetësisë për banorët e Luginës që kanë vite që jetojnë në Kosovë, por ende nuk janë pajisur me dokumentet përkatëse. Kjo është një ndër çështjet që përfaqësuesit e Luginës kërkojnë nga Qeveria që ta trajtojë me prioritet.
Përfaqësuesi i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se është e rëndësishme të ekzistojë dhe të funksionojë një mekanizëm i tillë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do t’i njihte nga afër problemet e Luginës së Preshevës.
“Mbetet të shihen vendimi dhe qëndrimi i Qeverisë aktuale se si do ta trajtojnë këtë çështje. Mendoj që ka nevojë të ekzistojë një zyrë e veçantë apo një trup i përbashkët i cili do të merret me Luginën e Preshevës, dhe në krye të të cilit duhet të jetë dikush me fuqi politike, dikush që është i afërt me kryeministrin dhe që ka kontakte të drejtpërdrejta me ministrat. Përcaktimi i personave periferikë të cilët nuk kanë ndikim politik do të thotë se ajo zyrë nuk do të ketë rol të rëndësishëm”, ka shtuar ai.
Kamberi ka deklaruar se nga takimi që kanë pasur me kryeministrin Kurti është theksuar se do të ketë një qasje e ofertë të re për Luginën, porse nuk janë dhënë detaje.
“Kemi marrë një premtim nga kryeministri se së shpejti do të organizojë një takim me përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve në Luginë të Preshevës për t’i parë mekanizmat, mënyrat, mundësitë e bashkëpunimit institucional, pra të ndërtimit të një bashkëpunimi institucional i cili do të jetë permanent dhe jo si deri tash i veprimit në rast nevoje, në rast vërshimesh apo në rast pandemie”, ka thënë Kamberi.
Përveç mungesës së pajisjes me lejeqëndrim e dokumente të Kosovës, qytetarët e Luginës po përballen edhe me pasivizimin e adresave shqiptare, ku deri tash Serbia ka pasivizuar rreth 6 mijë sosh.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, thotë se është urgjente që kjo çështje të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sepse qytetarët e Luginës kanë mbetur pa dokumente identifikuese as të Kosovës e as të Serbisë.
“Ata kanë mbetur pa dokumente e deri më tash asnjë qeveri nuk e ka qitur në mënyrë të drejtpërdrejtë statusin e tyre juridik, përkatësisht nuk kanë marrë asnjë dokument në Republikën e Kosovës. Me procesin e pasivizimit që ka filluar Republika e Serbisë, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë filluar të mbetën banorë apatrete. Njerëzit të cilët nuk kanë asnjë dokument nga asnjë shtet”, ka thënë ai.
Për sigurimin e dokumentacionit nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndër të tjera, kërkohet edhe posedimi i 5000 mijë eurove në bankë, kriter të cilin kryeministri Kurti ka theksuar se së shpejti me vendim të Qeverisë do të hiqet.