Zvicër: Familja e viktimës të mërkurën përshëndetet me të dashurin e tyre (foto)
Familja Beqiri e cila të premten më 22 gusht në xhaminë “El Hidaje” në Winkeln të St. Gallen humbi anëtarin e familjes, të mërkurën (27 gusht) do të varrosin trupin e të ndjerit në vendlindje, në Rahovicë të komunës së Preshevës.
Trupi i 51 vjeçarit Mehmetaki Beqiri do të arrijë në vendlindje, përderisa familjarët, të afërmit, miqtë e qytetarë të Luginës dhe më gjerë përshëndetjet do t’ia japin të mërkurën pas faljes së namazit të iqindisë.
Megjithatë familja Beqiri deri më sot dashamirët që vinin për ngushëllime i ka pritur në banesën e viktimës në të cilën i ndjeri për 17 vite kishte jetuar me familje.
Në këtë ndërtesë në St.Gallen të Zvicrës bashkatdhetar të shumtë tashmë kanë ngushëlluar familjen, në mesin e tyre edhe imami i xhamisë “El Hidaje” - Mehas Alija.
“Kështu e ka shkruar Perëndia dhe duhet të pajtohemi të gjithë. Kaq ka pasur për të jetuar. Ai u nda nga kjo botë në xhami, në shtëpinë e Perëndisë, e jo në vende jo të mira. Ju kuptoj të gjithëve që jeni të mërzitur, por edhe ne na takon pikëllimi. Të shikojmë tutje dhe ta përcjellim për në vendlindje ashtu siç është më së miri”, është shprehur imami Alija gjatë kohës sa qëndroi në familjen Beqiri, transmeton Titulli.
Vëllai i të ndjerit, Zejdiu, i cili me familjen e tij jeton në Austri dhe gjendej tek familja e vëllaut të ndjerë, gjatë qëndrimit të gazetarit të portalit dialogplus në këtë familje ka thënë se nuk i vjen mirë që të shkruhet apo të flitet për këtë rast pa pasur fakte.
“Pra, rasti të mos shkruhet e të mos përshkruhet me fjalë që dëgjohen nga jashtë. Vëllai ynë nuk është vrarë nga dora e serbit, kjo dihet dhe është parë nga të tjerët, e jo siç lexuam nëpër disa media. I falënderoj të gjithë që janë munduar të flasin mirë dhe me bazë”, thotë Zejdiu.
Memetaki Beqiri ka lindur në vitin 1963. Ai nga viti 1983 jetonte dhe vepronte në Zvicër. Pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, djali më i madh në moshën 25-vjeçare, ndërsa vajza më e vogël 18-vjeçare./Titulli.com/
Foto: Dialogplus