Lokale
Zhbllokohet “Komunalia”
Ndërmarrjes Publike “Komunalia” në Bujanoc sot i janë zhbllokuar llogaritë bankare të cila për 43 ditë i kishin mbajtur në dry financat e kësaj ndërmarrje.
Zhbllokimit të llogarive të “Komunalisë” i parapriu edhe angazhimi i lartë i kryetari të komunës së Bujanocit Nagip Arifi si dhe udhëheqësisë së kësaj ndërmarrje.
“Sot pas 43 ditëve nën bllokadë dhe në gjendje të jashtëzakonshme Ministria e Financave pas një marrëveshje të arritur ka zhbllokuar llogaritë dhe tani ndërmarrja jonë funksionon normalisht”, tha për Titullin drejtori Ragmi Ramizi.
Sipas tij angazhimi i palodhshëm i udhëheqësisë së “Komunalisë” dhe Komunës ka mundësuar daljen nga kjo situatë e vështirë edhe pse gjatë kësaj kohe ndërmarrja ka funksionuar duke përmbushur detyrimet e saj ndaj qytetarëve.
Ramizi falënderon punëtorët që e kanë kuptuar situatën, pasi sic thotë ai ky është një borxh i trashëguar nga keq-menaxhimi i drejtorit të kaluar.
“Bllokimi i llogarive ka qenë si pasojë e keq-menaxhimit të udhëheqësisë së kaluar dhe se punëtorët e kanë mirëkuptuar situatën duke mos na akuzuar”, u shpreh drejtori.
Vendimi i ri i Ministrisë së Financave ka anuluar vendimin e mëhershëm të saj të 18 korrikut me anë të cilit janë bllokuar llogaritë e “Komunalisë” për shkak të borxhit rreth 65 milionë dinarësh që kjo ndërmarrje i kishte ministrisë.
Mirëpo tani kur është bërë debllokomi, Ministria e Financave nga të gjitha llogaritë e “Komunalisë” ka tërhequr rreth 13,5 milionë dinarë, duke zvogëluar kështu borxhin në rreth 52 milionë dinarë.
Kjo sipas Ramizit nuk do të pengojë në vazhdimin e dhënies së rrogave për 180 punëtorët e kësaj ndërmarrje./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!