Whiting: Viktimat e Mustafës shqiptarë, disa edhe pjesëtarë të UÇK-së
Ish-udhëheqësi i UÇK-së Salih Mustafa është dënuar sot nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për krime lufte në tri pika të aktakuzës.
Mustafa u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte – mbajtje arbitrare; torturë; dhe vrasje.
Në një njoftim nga ushtruesi i detyrës së prokurorit të specializuar Alex Whiting, thuhet se të gjithë viktimat në rastin e Mustafës ishin shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve i ishin bashkuar UÇK-së vullnetarisht, sepse ata besonin me forcë në luftën për pavarësinë e Kosovës.
“Gjykata vendosi se Mustafa përdori autoritetin e tij për të viktimizuar dhe trajtuar brutalisht bashkëpatriotët e tij shqiptarë të Kosovës”, tha Whiting.
Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 nga ZPS-ja, pas lëshimit të një urdhër arresti, urdhër transferimi dhe aktpadie të konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 dhe ZPS-ja e mbylli çështjen e saj më 4 shkurt 2022. ZPS- ja paraqiti kundërprovat më 1 qershor 2022 dhe procedura e paraqitjes së provave përfundoi më 20 qershor 2022. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13 dhe 15 shtator 2022.
ZPS-ja thirri 14 dëshmitarë gjithsej.
“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë”, përfundoi Whiting.