VV: Shqiptarët e Luginës u dëshmua që edhe sot janë vetëm
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me bllokadën që e ka shkaktuar shteti serb në kufi me Kosovën në pikëkalimin kufitar të Mutivodës.Vetëvendosje thotë se forca të shumta të policisë serbe janë pozicionuar në kufi me Kosovën, duke mos lejuar asnjë nga shqiptarët e Medvegjës që të kalojnë matanë kufirit për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre për votim.
“Për vite me radhë, shteti i Serbisë terrorizon shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke pamundësuar edhe ekzistencën e tyre në atë territor, ku për pasojë mijëra e mijëra shqiptarë tashmë janë shpërngulur. E Medvegja është një nga rajonet ku më së shumti është punuar në këtë drejtim, dhe për pasojë sot aty jetojnë shumë pak shqiptarë. Dhunës sistematike të shtetit të Serbisë në ndaj shqiptarëve në atë pjesë, spastrimit etnik të vazhdueshëm, sot po i shtohet edhe një metodë e re – pamundësimi që shqiptarët e Medvegjës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik, raporton Koha.net.
“Përderisa Qeveria e Kosovës lejonte ardhjen e mbi 13.000 serbëve nga Serbia për të votuar në zgjedhje në Kosovë, pa asnjë dokument të Republikës së Kosovës, vetëm e vetëm që Lista Serbe t’i merr votat e mjaftueshme, Qeveria e Serbisë nuk i lejon as të futen në në territorin e Medvegjës shqiptarët e asaj anë që janë shpërngulur në Kosovë”, theksohet më tej në këtë reagim.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se kjo është fytyra e vërtetë e Serbisë, “e jo ajo të cilën na e paraqet Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa”.
“Sa më shumë kompromise që bën Qeveria e Kosovës ndaj Qeverisë së Serbisë, aq më shumë rritet dhuna dhe shtypja e shtetit serb ndaj shqiptarëve atje”, vlerëson Vetëvendosje.
Ky subjekt politik thotë se Qeveria e Kosovës, para se të merret me të drejtat e popullit të vet brenda dhe jashtë kufijve, ka vendosur që t’i përmbushin të gjitha kërkesat e Serbisë, “kërkesa këto që bien në kundërshtim me interesin shqiptar në Ballkan”.
“Para se t’i sigurojnë të drejtat elementare të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Qeveria e Kosovës ishte e gatshme t’ia falë Serbisë një pjesë të madhe të territorit të Kosovës, përmes krijimit të “Zajednicën”. Shqiptarët e asaj pjese edhe sot janë vetëm. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës duhet t’iu dalë në ndihmë atyre”, ka përfunduar reagimi i Vetëvendosjes.