Pengesat e kalimit në Medvegjë, Halimi ankohet tek OSBE dhe në Beograd (Foto & Video)
(14:29) Lidhur me rastin e pengimit të kalimit të qytetarëve shqiptarë në pikalimin e Mutivodës drejt Medvegjës, ka reaguar edhe deputeti nga Presheva, Riza Halimi.Ai në një prononcim për portalin informativ Titulli.com ka thënë se situata është e rëndë, dhe deri më tani, përveç disa individëve asnjë autobusë nuk ka kaluar matanë vijës kufitare.
“Për këtë bllokim kemi njoftuar OSBE-në, sikurse kam kontaktuar edhe Drejtorin e Policisë së Serbisë në Beograd, Millorad Veljoviq. Deri më tani nuk kemi marrë përgjigje nga drejtori i policisë, mirëpo kemi kërkuar që sa më shpejtë të hapet kufiri”, është shprehur deputeti Halimi.
Sipas tij, pjesa dërmuese ende nuk ka hyrë në Medvegjë. Ata deri më tani janë penguar nga autoritet që të marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjet lokale që po zhvillohet në këtë komunë të Luginës së Preshevës
Nga ana tjetër mësohet se edhe zyrtarët e BE-së kanë kërkuar sqarime nga autoritet serbe për situatën e krijuar në Mutivodë.
**************************************************************************************************************************************
Fajet ia lënë sistemit, kalimi në Medvegjë shumë i ngadaltë
(13:30)
Vijnë ankesat për pengim të kalimit të kufirit nga ana e zyrtarëve policor serb në pikëkalimin e Mutivodës, në Medvegjë.
Qytetarët shqiptarë që sot ia kanë mësy votimit në zgjedhjet lokale të komunës së Medvegjës po ankohen për vonesa në kalimin e kontrollit policor, i cili kohë pas kohe ndërprehet plotësisht.
Arsyetimi i zyrtarëve policorë serb është rënia e sistemit të regjistrimit të kalimeve.
Ndërkohë, qytetarët e Medvegjës të cilët kanë mbet në anën e Kosovës dhe nuk po mund me orë të tëra të hyjnë në Medvegjë kërkojnë ndihmën e ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, që të zgjidhin situatën e krijuar.
********************************************************************************************************************************************
Medvegja në zgjedhje: Policia zhbllokon hyrjet në Mutivodë, sistemi tani funksional (foto&dokument)
(11:02)
Pas bllokimit të hyrjeve drejt Medvegjës për gati 2 orë, policia e Serbisë tani më ka zhbllokuar hyrje daljet dhe qytetarët janë të lirë të lëvizin në këto drejtime.
*********************************************************************************************************************************************
Medvegja në zgjedhje: Policia bllokon 18 autobusë me shqiptarë nga Kosova në vendkalimin Mutivodë
(10:35)
Në komunën e Medvegjës kanë filluar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në të cilët për 35 ulëse të kuvendit komunal garojnë 3 lista zgjedhore serbe dhe 2 lista shqiptare.
Sipas komisionit komunal zgjedhor të drejtë vote kanë 10.465 votues dhe votohet në 28 vendvotime, shkruan Titulli.com.
Sipas gazetarit të Titulli.com që po përcjellë gjendjen në terren, vendvotimet janë hapur me kohë dhe tani qytetarët po japin votën për të preferuarit e tyre dhe deri më orën 9 është shënuar një dalje deri në 4%.
Gjithashtu burimet e Titulli.com flasin se në vendkalimin administrativ me Kosovës në fshatin Mutivodë po presin të hynë 18 autobusë e 40 vetura me qytetarë shqiptarë që janë duke ardhur nga Kosova në drejtim të Medvegjës për të votuar.
Gazetari i Titulli.com njofton se autobusët janë bllokuar në vendkalimin administrativ në Mutivodë dhe nuk po mundë të hynë përshkak se policisë së Serbisë i ka rënë sistemi i regjistrimit të udhëtarëve.
Në zgjedhjet e sotme garojnë lista shqiptare “Partia për Veprim Demokratik dhe Unioni Demokratik Shqiptar” dhe lista “Partia Demokratike-Nagip Arifi”.
Burimet e njëjta të Titulli.com thonë se po presin të hynë në Medvegjë afro 3000 votues shqiptarë që jetojnë përkohësisht në Kosovë./Titulli.com/