Vuçiq në OKB: Serbia “me durim dhe shumë gatishmëri do të vazhdojë të kërkojë kompromis” me Kosovën Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Rajoni dhe Politika

Vuçiq në OKB: Serbia “me durim dhe shumë gatishmëri do të vazhdojë të kërkojë kompromis” me Kosovën

22.Sep.2022 09:14
0

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 21 shtator në Nju Jork se Serbia mbështet integritetin territorial të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë atë të Ukrainës.

Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq ka thënë se Serbia “ka vepruar me përgjegjësi dhe seriozitet” në këtë aspekt.

“Ne jemi në kërkim të një përgjigjeje të qartë të pyetjes që unë ua kam bërë bashkëbiseduesve, liderëve të shumë shteteve për vite me radhë – cili është dallimi në mes të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, pasi kjo e fundit është përballur me shkelje të rënda, të cilave shumë prej jush u keni dhënë njohje ndërkombëtare dhe legjitimitet. Unë nuk kam marrë kurrë një përgjigje racionale në këtë pyetje nga askush”, ka deklaruar Vuçiq.

Deklarata e tij ka qenë referencë për Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.

Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe ia bllokon anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës.

Vuçiq ka thënë gjatë fjalimit të tij se Serbia “me durim dhe shumë gatishmëri do të vazhdojë të kërkojë kompromis” me Kosovën, në negociatat që ndërmjetëson Bashkimi Evropian në Bruksel.

“Kompromisi është mënyra e vetme për të arritur paqe afatgjatë. Ne tashmë kemi shterur të gjithë mundësitë tjera dhe nuk po mendojmë të kthehemi në rrugën e luftës dhe përgjakjes”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Sipas tij, rajoni i Ballkanit nuk mund të durojë edhe një konflikt tjetër.

 

Presidenti serb ka theksuar se Beogradi është duke zhvilluar negociata “në kushte komplekse, me elemente të një lufte hibride dhe fushatë të ndyrë nga ana e publikut ndërkombëtar”.

“Mjafton t’ju kujtoj një njoftim të mediave botërore se Serbia do të sulmojë fqinjët, dhe që përbën kërcënim për stabilitetin rajonal. Natyrisht, diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë, dhe ka qenë vetëm një prej serive të gënjeshtrave kundër Republikës së Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, parimi i paprekshmërisë së kufijve duhet të zbatohet për të gjitha shtetet.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, për dallim nga disa pjesë të Ukrainës që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, nuk përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

“Serbia ka qenë dhe do të jetë faktor stabiliteti për gjithë rajonin. Serbia, pavarësisht shumë të pavërtetave dhe falsifikimeve, mbështet Marrëveshjen e Dejtonit. Integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës dhe integritetin e Republikës Sërpska brenda Bosnjës. Dhe vepron kështu, sepse beson që politika e sanksioneve që po zbatohet ndaj Federatës Ruse, nuk mund të ketë rezultate të mira për askënd”, ka thënë Vuçiq.

 

Ai ka përmendur se disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë tejkaluar shumë barriera që kanë ekzistuar mes popujve për shumë vite.

Si shembull, ai ka thënë se “Serbia dhe Shqipëria, sot, kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në histori”, dhe se bashkë me Maqedoninë e Veriut, tri vendet kanë krijuar nismën, Ballkani i Hapur.

Nisma, Ballkani i Hapur, është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019.

Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk janë pjesë e saj.

 

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.

“Pavarësisht përfitimeve të padiskutueshme ekonomike, nisma ka dimension më të gjerë, lidh njerëzit me kultura të ndryshme dhe promovon diversitet. Në këtë mënyrë, Serbia synon të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe pajtim në rajon”, ka thënë Vuçiq.

Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë në fund të muajit shkurt, mirëpo e ka dënuar Rusinë disa herë përmes votimeve në OKB.

Serbia është shtet që varet nga gazi rus dhe sondazhet tregojnë mbështetje të madhe të popullsisë serbe për Rusinë, pavarësisht faktit se ndihmën më të madhe ky shtet e pranon nga Perëndimi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Artan Hoxha thotë se një ish-deputet kosovar e shpëtoi Ervis Martinaj nga atentati në vitin 2019
Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Serbi për regjistrimin e popullsisë (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration