Viti i udhëkryqit në Luginën e Preshevës
Në sytë e qytetarit profan viti 2017 në Luginën e Preshevës ishte vit i zakonshëm. Vit i vazhdimit të jashtëzakonshmërisë. Viti ku pushtetari shtypës i stabilitetit në Beograd stabilizoi shtypjen e pushtetit ndaj të drejtave të shqiptarëve. Jetuam normalisht në jonormalitet.Të shtypur pa e përjetuar dhunën e dukshme të aparatit shtetëror. Nuk organizuam protesta popullore. Nuk pamë përplasje deklarative midis qeveritarëve në Beograd dhe të zgjedhurve tanë. Gjendja po normalizohet në dukje. Shtypja po normalizohet në mendje. Problemet e njëjta. Shpresat e reja. Zgjidhjet askund.
Në njërën anë; nënpërfaqësimi institucional i shqiptarëve, militarizimi i zonës, mosnjohja e diplomave të Kosovës, moszgjidhja e teksteve dhe e planprogrameve në shkolla, moszgjidhja e përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare, diskriminimi në shpërndarjen e investimeve kapitale, mungesa e ndryshimeve ligjore, që përkojnë me të drejtat e pakicave kombëtare, etj. E mbi të gjitha dialogu për jetësimin e tri marrëveshjeve qeveritare për Luginën e Preshevës me ndërmjetësim ndërkombëtar. Pothuajse të pastruara tashmë nga tavolina. Nuk u jetësuan nga Beogradi dhe i shërbyen pothuajse vetëm grupeve të caktuara njerëzish të veshur me pushtet dhe nga pushteti.
Në anën tjetër; një politikë shqiptare lokale që po ridefinohet. Mungesa e rezultateve të partive tradicionale lokale shqiptare dhe pasiviteti i Tiranës e Prishtinës zyrtare për çështjen e Luginës së Preshevës po nxit çdo ditë e më shumë mosbesimin e një pjese të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për tërë procesin e deritanishëm politik dhe për protagonistët e tij.
Të ndihmuara nga diskreditimi i partive tradicionale lokale shqiptare të zhytura në klientalizëm dhe në korrupsion për vite me radhë nën petkun e diskursit patriotik, Lugina e Preshevës është sot para udhëkryqit midis braktisjes së procesit të deritanishëm politik, që ishte produkt i pasluftës në Luginën e Preshevës dhe zhytjes në një proces të ri politik me shumë të panjohura, përkufizimin e të cilit ka të ngjarë që do ta ridefinojnë më vonë kryeqendrat rajonale, mbase edhe ato ndërkombëtare.
A i ka ardhur fundi procesit të integrimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga poshtë-lart sipas përkufizimit të marrëveshjeve ende në fuqi ? Nëse po, cila është alternativa? Do ta mësojmë ndoshta në vitin që po hyjmë.
Ajo që shihet është se politikat (neo) liberale të Vuçiqit popullist “proevropian”, të kombinuara me presionet e heshtura të aparatit represiv shtetëror, po gllabërojnë çdo ditë e më tepër hapësirat politike të minoriteteve në tërë Serbinë, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës. Narracioni për ta braktisur politikën në këmbim të zhvillimit ekonomik po fiton natyrshëm çdo ditë e më tepër terren në zonat e pazhvilluara rurale, siç është edhe Lugina e Preshevës.
Në këtë paqe si mungesë lufte ku nuk njihet e nesërmja, dihet së paku e sotmja. Varfëri, papunësi dhe migrim për shumicën qytetare; pasurim dhe korrupsion për pakicat pushtetare. Ky është së paku dimensioni i vetëm ku është realizuar vullneti shqiptar për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Shkruar nga: Belgzim Kamberi-Preshevë