Veteranët e UÇPMB-së në gjendje të rëndë, gëzojnë përkujdesje minimale (Video)
Përfaqësuesit e Organizatës së Luftës së UÇPMB-së e vlerësojnë të rëndë gjendjen e veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve. Ata ankohen se po përballen me diskriminim, kritikojnë për mungesë përkujdesje autoritetet lokale.
Nazmi Hajredini, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së duke përshkruar gjendjen e veteranëve ka vlerësuar ate jashtëzakonisht të rëndë, ndërkohë që për përmirësimin e saj, por edhe gjendjen e popullatës në përgjithësi, sipas tij, pushtetet lokale që udhëhiqen nga shqiptarët angazhohen fare pak, apo tejet në mënyrë simbolike.
“Gjendja e Veteranëve të Luftës në Kosovën Lindore dhe anembanë trojeve shqiptare është në gjendje të mjerueshme pasi që veteranët e luftës nuk trajtohen me meritat që i kanë dhe gjithnjë e ma tepër janë të diskriminum”, shprehet kryetari i OVL-së me seli në Preshevë, transmeton Titulli.com.
I pyetur për lapidarin e dëshmorëve të kombit të hequr nga xhandarmëria serbe dy vite më parë, si dhe për pritjet e organizatës që ai udhëheqë, Hajredini ka thënë për RTK-në se veteranët kanë një kërkesë dhe presin që ky lapidarë të kthehet në vendin meritorë të tij.
“Ne si organizatë e Veteranëve të Luftës kërkojmë se ai lapidarë duhet të kthehet në vendin e vet. Fundi fundit duhet gjetë zgjidhjen e kthimit të lapidarit dhe vendit të lapidarit. Ne si organizatë kemi edhe projekte tjera në programin tonë për t’i dalë në ndihmë familjeve të dëshmorëve, veteranëve”.
Përfundimi i luftës në Luginën e Preshevës është përmbyllur me marrëveshjen e Konçulit të arritur në maj të vitit 2001.
Shteti serb amnistoi të gjithë pjesëtarët e UÇPMB-së, ndërkohë që përkundër amnistisë dhjetëra veteranë janë arrestuar e burgosur për disa vite me radhë nën akuzën e krimeve të luftës, vendime të cilat në të gjitha rastet rezultuan të pavërteta. /Titulli.com/