Veseli i kërkon BE-së që një pjesë të ndihmave për Serbinë ta ndajë për shqiptarët në Luginë
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që një pjesë të ndihmave që ka dhënë për Serbinë, t’i dedikojë për komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës.
Ai këtë kërkesë e ka drejtuar përmes një letre te institucionet e Bashkimit Evropian.
Veseli thotë se nga bisedat që ka pasur me përfaqësues politikë në Luginë, është informuar se gjendje atje nuk është aspak e mirë.
“Sot dërgova një letër drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian, për të kërkuar angazhimin e tyre në ndihmë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nga bisedat që kam zhvilluar me përfaqësues të ndryshëm politik si dhe me miq të shumtë personal të atjeshëm, jam informuar se gjendja nuk është aspak e mirë dhe se shqiptarët ndihen të lënë anash prej qeverisë qendrore. Fatkeqësisht ata mund të marrin shërbime shëndetësore vetëm nga spitali i Vranjës, i cili është tashmë i mbingarkuar”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, qeveritarët e shkarkuar janë treguar indiferent dhe nuk kanë bërë asgjë për Luginën e Preshevës.
Mirëpo ata nuk përfaqësojnë Kosovën, sepse Kosova e vërtetë është shumë e lidhur me banorët e Preshëves, Bujanovcit e Medvegjës dhe kurrë nuk do i braktisi ata. Prandaj bëra thirrje që Bashkimi Evropian ta dedikojë për komunitetin shqiptar, një pjesë të ndihmës që ka dhënë për Serbinë. Po ashtu theksova që në bashkëpunim dhe me ndihmën e institucioneve të BE-së, Kosova mund të angazhohet që të zgjerojë kapacitetet dhe burimet e spitalit të Gjilanit për ta vendosur në dispozicion të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thuhet në njoftim.