titulli.com
Lokale

Vera në Bujanocin e vendorëve dhe mërgimtarëve

26.Jul.2012 13:17
0
Reportazh; Nga Jeton Ismaili; Zhurmat e kafiterive dhe korzoja model i plazhit të Ulqinit “ A e dëgjove se si rrëfeu për blerjen e veturës me kredi enkas për të ardhur në vendlindje “, janë fjalët e Muratit të cilat po i’a transmetonte një shoku të tij në njërën nga kafiteritë e Bujanocit. Këto fjalë pasuan vetëm pas pak sekondash pasi nga kafiteria doli një djalosh rreth të njëzetepestave duke u drejtuar tek makina e tij e modelit më të ri BMV, të cilën me telekomandë e hapi nga distanca. Derisa Murati vazhdonte bisedën me shokun e tij të tavolinës, papritmas djaloshi i BMV-së kthehet në terasën e lokalit për t’i marrë cigaret e harruara “ Marlboro “ në tavolinën fqinje. “ E kujt është kjo veturë e kuqe, sa keq që është parkuar “, dëgjohen disa britma të një shoferi të “ Golf 3 “ me tabela vendore “BU”. “ Mirë bre burrë, a guxon kështu në Zvicër me parku, a po e sheh që s’mund ta nxjerr veturën time  “, vazhdon i nevrikosur ngasësi i Golfit, përderisa vozitësi i BMV-së me ngjyrë të kuqe, me targa zvicerane “ ZH “, i ofrohet duke i kërkuar falje. “ A e vërejtjet se si u kthye, s’besoj se në kuti kishte më tepër se dy cigare “, dëgjohet nga tavolina ku ishte ulur Murati me shokun e tij, i cili kishte prirje për humor. Në kafiteri asnjë vend i lirë. Terasa e stërmbushur në mbrëmjen e freskët të korrikut me përplot yje në qiell. Ndërkohë arrijnë dy çuna të cilët përshpërisnin diçka në gjuhën gjermane. Dy vathë në veshë dhe një në hundë karakterizonin njërin nga frekuentuesit e rinj të lokalit, derisa shoku i tij dallohej për një zinxhirë të trashë në qafë, këmishë të bardhë pa krahë të ngjitur për trupi dhe pantolona të bardha e me shumë xhepa. “ A ka ndonjë vend për neve se kemi ardh  nga Gjermania” i drejtohet njëri nga çunat, me një shqipe të dobët, kamarierit, i cili nuk mund ta ngriste kokën nga shërbimi për myshterinjtë e shumtë. Një lëvizje mohuese e kokës nga ana e kamarierit la të kuptohet se për “ gjermanët “ atë natë nuk kishte vend në terasën e kafiterisë. Kafiteritë e stërmbushura në mbrëmje, viteve të fundit, sidomos gjatë muajit korrik, janë bërë pjesë e stinës verore në Bujanoc. Korzo tashmë tradicionale e cila i ngjanë shetitores së plazhit të vogël në Ulqin, është karakteristikë e qytezës sonë pesëmbëdhjetë mijë banorëshe. “ Nëntëdhjetë e pesë për qindë e frekuentuesve në kafiterinë time janë vendas, të tjerët janë gastajbajterë “, rrëfen njëri nga pronarët e kafiterive. “ Shyqir që jemi ne këtu se sa për mërgimtarët mos mbetsh, ata janë koprracë, por lute Zotin kur të kthehen mos të kërkojnë para hua “ ndërhyn Skenderi me një buzëqeshje të gjatë. “ Ani, ani, prap shyqir që pe mbushin këta të shkretët pak, se mos me ardh edhe këta pas ndonjë viti Bujanoci ka gjasa të bëhet më keq se Medvegja “, bashkangjitet në bisedë Suadi. Në një farë mënyre kjo është atmosfera e cila zhvillohet gjatë verës në Bujanoc. Qendra e qytetit përplotë njerëz, kurse përreth saj rrugët me vetuara të parkuara sallamadi.   Dasmat, frizeret, suveniret dhe zurlet e pritje-përcjelljes Në periferi të qytetit, jeta zhvillohet gjithnjë në shenjë dasmash. Në hyrje të lokaleve të shumta gjithnjë nga dy - tre romë, të cilët me fryerjen e zurleve presin e përcjellin mysafirët. Agimi, kishte ardhur për një pushim dyjavor në vendlindje. “ Të shtunën më duhet të kthehem mbrapa ngase të hënën rifilloj me punë. Besoni që shtatë netë jam rreshtazi i ftuar në dasma. Koka m’u ka bërë klarinet e saksofon “, tregon paksa i nervozuar. “ Ska faj vëllau im Artoni i cili që tre vjet nuk vjen për pushime. Po shkon direkt në Spanjë me të fejuarën e tij, nuk është ai prej budallenjëve me ardh këtu nga dasma në dasëm si me pas orarë të punës “, thotë ndër të tjera ai. Se gjithçka është në shenjë të dasmave, rrëfen edhe Arta, një mërgimtare me punë të përkohshme në Zvicër. “ Në ora katër të mëngjesit m’u është dashur të shkoj te frizerja t’i rregulloj flaokët ngase të gjitha terminet tjera ishin të nxëna. O zot u mbushën pare “, thotë ajo. Edhe shitoreve të suvenireve paksa i’u është shtuar puna. “ A ka ndonjë dhuratë deri në pesë franga për hedije në dasëm “i drejtohet shitësit një burrë i cili ishte i shoqëruar me nusen e djalit të tij. “ Po gabon po më jep diçka të më të shtrenjët. Njëzet euro i kushtoj kësaj mi rregullu flokët, dhjetë franga i theva për derivate për rrugën që shkuam me mar nuse, edhe në restorant më shkojnë nja njëzet franga “, rrëfen në shitore ai, i cili karakterizohej me flokët e thinjuna dhe mustaqet e trasha.   Kursimi i të hollave-element i krizës Rastet e kursimit të të hollave, shumica e mërgimtarëve i arsyetojnë me standardin shumë të shtrenjët jetësor në vendlindje. “ Këtu është bërë më mirë mos me dal fare. Në Cyrih dal nëherë në dy javë me pi kafe, a për drekë a për darkë në restorant nuk e di kur kam dal herën e fundit “ tregon Besimi, i cili kishte pesëmbëdhjet vjet që jetonte në shtetin e njohur për orët, djathin dhe çokolladat. Megjithatë, ardhja e mërgimtarëve paraqet një rast të mirë sidomos për çunat vendorë, të cilat daljen nga kriza dhe skamja e shohin në lidhjen e kurorës me ndonjë mërgimtare. “ Edhe sikur t’mi premtonin një milionë euro nuk kisha bërë një gjë të tillë “, thotë Ermali. “ Të mjerët ata që kanë plane të tilla. Akoma nu e dinë se çka i prêt atje. Ju garantoj se nja tre muaj do të qajnë nga mërzia dhe jeta në shtëpi të gruas “, pohon Sutka. Pretendohej se shtetet e Perëndimit dikur ishin parajsë mbi tokë. Mu për këtë në fillimin e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar një numër i konsiderueshëm i të rinjëve kishin marë rrugën e gurbetit. Një pjesë e madhe  e tyre kishin edhe cilësinë e refugjatit duke shfrytrëzuar edhe rrugët ilegale vetëm se për të arritur në “ tokën e premtuar “. “ Arsyeja kryesore pse tani mërgimtarët mund të jenë në krizë është se i’u janë shtuar familjet. Në fillim kanë qenë vetëm burrat. Janë grumbulluar nga 7-8 persona në një banesë, madje edhe vet kanë gatuar e zier, andaj edhe kanë kursyer të holla për pjesën e failjes në vendlindje. Tani situata është ndryshe. Me rritjen e numrit të anëtarëve në familje automatikisht janë rrituar edhe nevojat për shpenzime shtesë. Kjo ndikon që disa nga bashkatdhetarët as të mos vijnë për pushime në vendlindje “, shpjegon sociologu, Ragmi Mustafa.   Malli për vendlindjen  dhe kontributi në kohët më të vështira Sidoqë të jetë mërgimtarët nuk mund të mos jenë të mirëseardhur. Ata këtu e kanë vendlindjen, shumica nga ta edhe të afërmit e ngushtë. Edhepse disa nervozohen me prezencën e bashkatdhetarëve tanë, duhet patur parasysh mërzinë që e niejnë ata për vendlindjen. Shumica nga ta jetojnë për dy-tre javë pushim të vendlindjes. Gjithsesi nuk duhet harruar as kontributi i tyre për vendlindjen, Në vitet kur shqiptarët nuk kishin qasje në pushtet, ishte pikërisht diaspora jonë e cila ndante kafshatën e gojës për të ndihmuar vendlindjen. Arsimi, sporti, infrastruktura, etj, etj, ishin sferat për të cilat mërgimtarët tanë ndanin mjete. Andaj, edhe nuk duhet të na besdisin gjatë qëndrimit të shkurtër të  tyre në vendlindje. Mesiguri edhe ata do të ishin pjesë e përditshmërisë sonë dhe do të jetonin përkrah neve po mos të ishte nevoja./Titulli.com/    
"At Home", shtëpi apo kafiq?
Ndihmoje familjen Sulejmani nga Presheva (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration