Vendimi ndaj Vullinit për termin "shiptari" kalon në apel
Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar se vendimi për të hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin, është miratuar më 28 dhjetor të vitit 2020 dhe se i njëjti nuk është i plotfuqishëm.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Gjykata e Lartë tha se nuk është në gjendje të komentojë, sepse procedura e apelimit ndaj këtij vendimi është në proces.
"Në lidhje me këtë, gjyqtari merr vendime në mënyrë të pavarur, në përputhje me vlerësimin që ai u bën fakteve dhe interpretimin e ligjit në përputhje me Kushtetutën", tha Gjykata e Lartë në Beograd.
Të hënën, deputeti shqiptar i Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin.
Këshilli e ka paditur Vullinin vitin e kaluar, për shkak të “gjuhës së urrejtjes”, përkatësisht përdorimit të termit pezhorativ “shiptari”.
Deputeti Kamberi ka thënë përmes një postimi në Facebook se refuzimi i gjykatës për ta shpallur fajtor Vullinin, “i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”.
Organizata joqeveritare në Beograd “Gratë në të zeza” tha se aktgjykimi, me të cilin Vullin është liruar nga akuzat për diskriminim dhe urrejtje ndaj shqiptarëve, ngre shqetësime në lidhje me aftësinë e gjyqësorit në Serbi për të zbatuar me përgjegjësi Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar.
Në deklaratën e kësaj organizate thuhet se gjykata, duke e cilësuar si të pabazuar akuzën kundër Vullinit, i ka dhënë, siç thuhet, fuqi ligjore dhe institucionale gjuhës së urrejtjes, jotolerancës dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në Serbi.
“Kjo legalizon gjuhën shoviniste dhe raciste të urrejtjes, që del në pah me përdorimin e termit nënçmues 'Shiptari' për shqiptarët e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, komentet e tilla të Vulinit i poshtërojnë edhe të gjithë qytetarët e Serbisë, “të cilët nuk duan të pranojnë ndarjen e qenieve njerëzore në njerëz të rendit të parë dhe njerëz të rendit të dytë, as ndarjen e popujve në më të vlefshëm dhe më pak të vlefshëm”.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, edhe në kohën kur ka qenë ministër i Mbrojtjes, disa herë në paraqitjet e tij e ka përdorur termin pezhorativ “Shiptari”. Vullin iu kishte përgjigjur kritikave për përdorimin e këtij termi, duke thënë se “ai do të vazhdonte t'i quante shqiptarët ashtu siç e quajnë ata veten".
Partia Lëvizja Socialiste, të cilën e udhëheq Vullin, tha të martën se fitorja e Vullinit në gjykatë dëshmoi se ai nuk ka fyer dhe diskriminuar.
Për përdorimin e këtij termi është zhvilluar një proces gjyqësor në Serbi.
Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiq, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit "Informer".
Gjykata ka sanksionuar përdorimin e termit "Shiptari" si gjuhë urrejtjeje.
Ekziston edhe mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, sipas së cilës, thirrja e popullit shqiptar “Shiptar” është nënçmuese dhe fyen anëtarët e asaj kombësie.
Ajo, gjashtë vjet më parë, ka paraqitur mendimin se dy tabloide në Serbi kanë shkelur Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit, sepse ata i quanin shqiptarët "Shiptari"./REL/