Vdes Mbretëresha e Britanisë
Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare.
Familja e saj u mblodh në shtëpinë e saj në Balmoral të Skocisë, pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore.
Pallati mbretëror tha se “Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite”.
Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 dhe mbretëroi plot 70 vjet.
Pas vdekjes së saj, fronin e merr djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit.
Përmes një deklarate, ai tha se vdekja e nënës së tij është një moment i madh trishtimi për të dhe familjen.
Mbreti i ri do të njihet zyrtarisht si Mbreti Charles III.
Kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, tha se kombi duhet të bashkohet për të mbështetur Mbretin. Ajo tha se vendi tani hyn në një epokë të re.
“Ne i ofrojmë atij besnikërinë dhe përkushtimin tonë”, tha ajo.
Gjatë mandatit, Mbretëresha Elizabeth II ishte dëshmitare e kalimit të Perandorisë britanike në Komonuelth, e fundit të Luftës së Ftohtë dhe e hyrjes dhe pastaj daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.
Mbretërimi i saj pa 15 kryeministra, duke filluar nga Winston Churchill, i lindur më 1874, deri te Liz Truss, e lindur 101 vjet më vonë - më 1975, e cila mori mandatin në fillim të kësaj jave.
Për shumë britanikë, Mbretëresha Elizabeth përfaqësoi stabilitet në pjesën më të madhe të shekullit 20.
Përveçse për qasjen unifikuese, asaj iu dhanë merita për modernizimin e monarkisë dhe menaxhimin e disa skandaleve në familjen e saj.
Reagimet për vdekjen e saj filluan të vërshojnë nga e gjithë bota.
Shtëpia e Bardhë tha se Mbretëresha ishte një prej aleatëve më të fortë të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë, Jill Biden, thanë se Mbretëresha “ishte më shumë se një monarke - ajo përkufizoi një epokë”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se "ajo kurrë nuk dështoi të na tregojë rëndësinë e vlerave të qëndrueshme në një botë moderne, me anë të shërbimit dhe përkushtimit të saj”.
“E kujtoj atë si një mike të Francës, një mbretëreshë zemërmirë, që ka lënë gjurmë të qëndrueshme në vendin dhe shekullin e saj”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kryeministri belg, Alexander De Croo, tha se për më shumë se 70 vjet, Mbretëresha ishte “një fener stabiliteti dhe dinjiteti për popullin britanik”.
Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se “ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme”.
“Përkushtimi, puna dhe përulësia e saj janë një frymëzim për të gjithë ne, veçanërisht në këto kohë të vështira”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.