Vazhdon fluksi i refugjatëve nga Lindja  të vijnë në Preshevë (foto) Rugëtimi i refugjatëve nga kampi i Miratocit në drejtim të Preshevës dhe Perëndimit
Lokale

Vazhdon fluksi i refugjatëve nga Lindja të vijnë në Preshevë (foto)

02.Nov.2015 10:02
0
Aktualisht mesatarja e refugjatëve që hyjnë në Serbi nga Maqedonia brenda 24 orëve është rreth 6.000 refugjatë, ndërsa kohëve të fundit refugjatët në përgjithësi janë familjarë. Kështu thotë për portalin informativ Titulli.com, Valon Arifi, aktivist i "Youth for Refugees", një iniciativë e Zyrës për të Rinj në Preshevë.

Sipas Arifit, refugjatët nga Lindja e mesme, në përgjithësi nga Siria, kontaktin e parë në Serbi e kanë me aktivistët e kësaj organizate.

“Fillimisht ata ecin në këmbë rreth dy kilometra deri në kampin e skenimit të bagazhit të tyre që gjendet në kufi me Maqedoninë. Pastaj ata ecin edhe dy kilometra deri në Miratoc ku i presin autobusët e organizuar UNHCR dhe Zyra për të rinj, që i sjellin pa pagesë në Qendrën për pranimin e refugjatëve në Stacionin hekurudhor në Preshevë. Në kamp ata presin më së shumti 4 – 5 orë të pajisen me dokumentin që i lejon ata që për 72 orë të kenë të drejtë të zgjedhin nëse kërkojnë azil në Serbi apo vazhdojnë më tutje në shtetet e BE-së, në këtë rast Kroacisë”, thotë Arifi.

Prej qendrës së pranimit në Preshevë numri më i madh i refugjatëve shkon me autobusët privat. Pagesa deri në Shid në kufi me Kroacinë është deri në 35 euro për person. Kompanitë e autobusëve janë nga e tërë Serbia, prej atyre lokale deri në kompanitë më të njohura të Serbisë, shkruan Titulli.com.

Prej fillimit të krizës së refugjatëve, edhe në Bujanoc vinin një numër i konsiderueshëm i tyre, edhe pse shumë më pak se në Preshevë, por dy muajt e fundit në Bujanoc është zvogëluar dukshëm numri i tyre.  

“Në Bujanoc tani nuk ka refugjatë për shkak të rritjes së kapacitetit të stafit për regjistrimin e tyre në Qendrën e pranimit në Preshevë. Refugjatët që vijnë në Bujanoc, aktualisht rreth 200 - 300 nuk janë të pajisur me dokumentacione, dhe realisht udhëtimi i tyre deri atje është ilegal. Numri është zvogëluar edhe për shkak të aksionit që ka pasur policia e Europol-it në këtë rajon dhe në rajonin e Maqedonisë”, shton Arifi.

Në Bujanoc është hapur edhe Qendra e përkohshme, në ish fabrikën e akumulatorëve “Svetlost”, por aktualisht në këtë qendër nuk ka refugjatë, pasi ajo edhe është hapur si alternativë nëse Qendra e pranimit në Preshevë nuk do të mund të përballojë numrin e madh të refugjatëve.

Lidhur me qendrën në Bujanoc kërkuam informacione nga Ministria për punë dhe politikë sociale, por edhe pse kaluan 11 ditë nga dërgimi i pyetjeve tona me e-mail, ata nuk janë përgjigjur.

Në Qendrën e pranimit të refugjatëve në Preshevë 24 orë në ditë qëndrojnë edhe punëtorët e Kryqit të Kuq në Preshevë. Sipas Ahmet Alimit, sekretar i kësaj organizate, Kryqi i Kuq deri më tani ka ndihmuar mbi 100 mijë emigrantë.

“Kryqi i Kuq në Preshevë ka kaluar mbi 100 mijë persona që i ka ndihmuar. Prej fillimit punojmë me refugjatë, diku që 4 muaj, dhe në kamp jemi 24 orë në shërbim të refugjatëve”, thotë Alimi për Titullin.

Sipas tij, ata shpërndajnë ndihma ushqimore, pako higjienike e veshmbathje, mesatarisht rreth tre mijë pako në ditë, ndërsa ndihmat i sigurojnë nëpërmjet Kryqit të Kuq të Serbisë, UNHCR-së, Caritas-it dhe partnerëve tjerë.

Me fillimin e krizës së refugjatëve Kryqi i Kuq në Preshevë ka angazhuar shtesë 20 punëtorë me kontratë.  

Sa i përket organizatës “Youth for Refugees” ata kanë gjithsej 52 aktivistë, prej tyre 22 vendorë dhe 30 të huaj, që vijnë nga Australia, Gjermania, SHBA, Anglia, Sllovenia, Kroacia, Zvicra, Polonia, Çekia, Irlanda, Kanada.

Deri më datën 15 tetor, sipas ministrit të punës, Aleksandar Vulin, nëpër qendrat e pranimit në Miratoc dhe Preshevë, kanë kaluar mbi 170 mijë refugjatë nga Lindja e mesme. /Titulli.com/

 

"Nga sot fillon zbatimi i targave provuese për qytetarët e Serbisë"
"Vatra" kundërshton shlyerjen nga regjistri të shqiptarëve në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration