Vatra: Dy deputet shqiptarë të Luginës, fitore pozitive
Sejdullah Kadriu kryetar i Lëvizjes “Vatra” për rajonipress thotë se është i zhgënjyer në partnerin e tyre Lutfi Hazirin. Sipas tij Luta nuk e ka realizuar asnjë premtim që e parasheh marrëveshja e datës 1 mars 2014.Sejdullah Kadriu kryetar i Lëvizjes “Vatra” është i zhgënjyer në kreun e LDK-së Lutfi Hazirin me të cilin kishte arritur një marrëveshje partneriteti më 1 mars 2014, raporton rajonipress.Kadriu thotë se asnjë kërkesë dhe asnjë premtim deri tashti nuk e ka realizuar Lutfi Haziri. “Jemi të zhgënjyer në Lutën sepse asgjë nuk ka realizuar praktikisht. Ne do të bëjmë presion vazhdimisht dhe nëse nuk realizohen kërkesat sipas marrëveshjes ne edhe mund ta prishim partneritetin me LDK” tha Kadriu.
Kadriu tha se sipas marrëveshjes që ka nënshkruar me kreun e LDK-së, Lutfi Hazirin parashihet hapja e një zyreje për Kosovën Lindore, ku do të punonin tre veta dhe formimi i një komiteti të veçantë për Kosovën Lindore.
Kadriu tha se zyra e Kosovës Lindore është paraparë të jetë afër zyrës së kryetarit të komunës dhe do të duhej të mbahej nga buxheti komunal.
Sipas tij aktualisht kërkesë dominante e banorëve të Luginës është nënshtetësia dhe procedurat e lehtësimit.”Këta banorë kërkojnë dokumente të Kosovës sepse ka prej tyre që i kanë nga 15 vite qëndrim në Gjilan dhe ende janë pa dokumente udhëtimi apo pasaportë. Këta banorë as nuk janë refugjatë e as nuk kanë shtetësi të Kosovës”.
Kadriu tha se i kanë evidentuar rreth 399 veta që nuk kanë as letërnjoftim dhe jetojnë me vite në Gjilan.
Megjithatë përkundër këtyre telasheve që kanë bashkëvendësit e tij Kadriu mendon se si këshilltar komunal do të bëjë të pamundurën që ta integrojë popullatën e asaj ane që ndodhet në Gjilan.”Përveç kësaj ne do ta shikojmë mundësinë që edhe ta stimulojmë popullatën që edhe të kthehen në pronat e tyre, sidomos ata banor që vijnë nga Malësia e Bujanocit”.
Ndryshe Kadriu tha se edhe pse kanë qenë kundër daljes në zgjedhjet serbe, megjithatë i janë gëzuar lajmit për fitoren e dy deputetëve shqiptarë.”Është një fitore pozitive e deputetëve sepse ndoshta ata mundë të realizojnë kërkesat e shqiptarëve që ndodhen atje. Megjithatë faktorizimi i Lëvizjes “Vatra” në Gjilan ndikon edhe tek faktori politikë në Luginë” tha Kadriu.