Vaksina e Pfizer arrin në Serbi, kur do të imunizohen qytetarët (video)
Vaksina e zhvilluar nga Pfizer dhe Biontech ka mbërritur në Serbi.
Autoritetet shëndetësore e konsideruan një ditë të shkëlqyer për vendin, teksa magazinuan rreth 5 mijë dozat e para. Serbia bëhet kështu vendi i parë i Ballkanit që siguron një vaksinë ndaj koronavirusit.
Duke folur nga Instituti i Virologjisë dhe Vaksinave, i njohur si “Torlak”, sekretari shtetëror në ministrinë e Shëndetësisë, Mirsad Djerlek, tha se fushata fillestare e imunizimit do të nisë nga java e ardhshme.
Ai shtoi se nga janari, Serbia pret dhe 24 mijë doza të tjera. Javën e kaluar rregullatori mjekësor serb aprovoi vaksinën e zhvilluar nga Pfizer dhe Biontech.
Zyrtarët e Beogradit thanë se janë ne negociata edhe me shkencëtarët e Rusisë për të importuar vaksinën e tyre të quajtur “Sputnik V” si dhe me kompani kineze, por nuk dhanë shumë detaje.
Qeveria serbe nuk bëri me dije çmimin që kishte paguar për blerjen e vaksinës nga Pfizer. Serbia numëron që prej fillimit të pandemisë mbi 300 mijë të infektuar dhe mbi 2700 viktima.