Vaksina e Oksfordit tregon përgjigje të fortë imune tek të moshuarit
Vaksina e mundshme e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit ka treguar një përgjigje të fortë imune tek të rriturit e moshës 60 dhe 70 vjeç, sipas të dhënave të publikuara sot në revistën mjekësore "Lancet".
Studiuesit thanë se gjetjet ishin "inkurajuese" pas testit të fazës së dytë, në të cilën morën pjesë 560 të rritur të shëndetshëm, përfshirë 240 mbi moshën 70 vjeç.
"Vlerësimi i mëtejshëm i efikasitetit të kësaj vaksine është i garantuar në të gjitha grup-moshat dhe individët me sëmundje bashkëshoqëruese", thuhet më tej.
Testi i fazës së tretë të vaksinës ende është në vazhdim ndërsa rezultatet e hershme priten në javët e ardhshme, transmeton AA.
Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar tashmë kanë porositur 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, të prodhuara nga AstraZeneca.
Gjetjet e Oksfordit kanë ardhur pasi Pfizer dhe BioNTech njoftuan të mërkurën se kandidati i tyre i vaksinës është 95 për qind efikas kundër COVID-19, me 94 për qind efektivitet tek personat e moshës 65 vjeç e më shumë.
Kompania bioteknologjike e SHBA-së, Moderna, gjithashtu njoftoi të hënën se kandidati i saj i vaksinës kundër koronavirusit është 94.5 për qind efektiv.