UDSH: Nuk i përmbushën premtimet
Në ditën e fundit të vitit 2014, Unioni Demokratik Shqiptarë (UDSH) me seli në Preshevë, ka lëshuar kumtesën përmes së cilës thekson se vitin që po e lëmë është karakterizuar me mospërmbushjen e premtimeve.“Viti 2014 u karakterizua me mospërmbushjen e premtimeve, e sidomos në zhvillimin ekonomik, realizimin e projekteve kapitale, si hapja e maternitetit, hapja e vendkalimit kufitare Miratoc-Llojan, hapja e vendeve të reja të punës si dhe investimet pa kritere”, thuhet në kumtesën e UDSH-së.
Ky subjekt opozitar nënvizon se viti 2014 ishte vit i sfidave për qytetarët e Luginës së Preshevës, me situatë politike jostabile, shkalle të ulët të realizimit të drejtave individuale dhe kolektive, me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale me mosunitet të subjekteve politike në angazhimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Gjendja e këtillë e krijuar, u reflektua negativisht në perspektivën e qytetarëve, si rezultat i kësaj gjendje të krijuar është zhvendosja e kuadrove dhe popullatës në drejtim të Evropës perëndimore, ku përgjegjësia më e madhe bie në pushtetin lokal në Preshevë dhe Bujanoc të cilët këtë pushtet e kanë shndërruar në atë klientaliste, grupore me interes të tejdukshme individuale”, thuhet matej në kumtesë.
Unioni Demokratik Shqiptar konstituimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke mos përfillur asnjë kuadër nga opozita, e shtien para shqyrtimit të pjesëmarrjes së mëtutjeshme në punën e këtij Këshilli.
“Me shpresë që viti 2015 të jetë vit i kthesave pozitive për qytetarët, UDSH i dëshiron qytetarëve suksese dhe ndryshime pozitive, e pjesë e këtyre ndryshimeve të bëhen vet qytetarët”, thuhet në fund të kumtesës. /Titulli.com/