U nda nga jeta Vehbi Hyseni, veprimtari nga Nesalca
Lokale

U nda nga jeta Vehbi Hyseni, veprimtari nga Nesalca

11.Jan.2015 13:48
0

Të shtunën, në moshën 70 vjeçare u nda nga jeta Vehbi Mehmet Hyseni, i lindur, më 28 shkurt 1940, në Nasalcë, Komuna e Bujanocit.

Në varrimin e tij, për t’ia përcjellur nderimet e fundit, kishin ardhur shumë veprimtarë nga radhët e pushteti lokal, Këshilli Nacional, BIPMB-së, OVL-së dhe shoqëria civile.

Fjalimin mortor e mbajti kryetari i degës së OVL-së, nga Nesalca, Afrim Agushi, në të cilin përshkruhej biografia e veprimtarisë së të ndjerit Vehbi Hyseni.

Revista “Jehona”, i vetmi medium i shkruan në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës, para 9 muajve, në numrin e saj 98, më 27 mars 2014, faqe 28-29-30, me një portret ka shpalosur veprimtarinë e të ndjerit, dritë pastë, Vehbi Hyseni, të cilën e ofrojn për publikim.

 

Portret 

Vehbi Hyseni, pedagog specialist në pension 

NJË JETË NË SHËRBIM TË SHOQËRISË SHQIPTARE 

Vehbi Mehmet Hyseni, u lind, më 28 shkurt 1940, në Nasalcë, Komuna e Bujanocit. Shkollën fillore katërklasëshe e mbaroi në fshatin e lindjes. Pas mbarimit të luftës, në periudhën mes viteve 1951-1952, në Bujanoc e Preshevë u hap progjimnazi i parë. Po në të njëjtin vit, në Tërnoc u formua një paralele e nxënësve të grupmoshën nga 12 deri në 18 vjeç.

“Unë me disa shokë nga Nasalca, Letovica dhe Lluçani e bënim numrin më të madh në shkollë. Shkolla pat organizuar edhe kuzhinën, sepse nuk mund të udhëtonim për çdo ditë”, nis rrëfimin Vehbi Hyseni, veteran i arsimit. Në vazhdim, ai, tregon se “Arsimtarët e parë ishin nga Nasalca, Presheva dhe Shqipëria. Pas mbarimit të klasës së VIII-të, ose progjimnazit, unë bëra pauzë sepse të shkohej më lart duhej në Kumanovë, Shkup apo Kosovë. Meqë atë kohë nuk kishte kuadër të mjaftueshëm, u hapën kurse pedagogjike për tu hapur shkollat në gjuhën shqipe.

Në vitin 1960/1, unë u punësova si mësues në Komunën e Likovës edhe aty punove dy vjet. Brenda dy viteve, i kreva dy klasë të normales në Gjilan.

 

Arsimi 

U ktheva në Bujanoc, e me dy klasë normale të mbaruara. Në fillim më emëruan mësues në fshatin Konçul. Në këtë vendbanim punova dy vjet e pastaj drejtoria e shkollës në Tërnoc, më ofroi vendin e punës. Pas një viti pune që bëra në Tërnoc, u tërhoqa në fshatin Nasalcë. Aty fillova të angazhohem në aktivitetet e Bashkësisë Lokale dhe u kyça në Organizatën e Rinisë në Bujanoc.

Ne fshat më zgjodhën kryetar të Bashkësisë Lokale, e kështu së shpejti fitova besimin edhe tek autoritetet e organeve komunale. Problem e kisha rrugën, deri sa e lëshuan autobusin prej Bujanocit të qarkullonte për në Letovicë.

Në një mbledhje të Bashkësisë Lokale, na lindi ideja të mbledhim të holla për asfaltimin e rrugës prej Osllarës deri në Nasalcë. Dhe kështu në bashkëpunim me organet kompetente u morëm veshë të asfaltojmë rrugën Osllarë-Nasalcë, në gjatësi prej katër kilometrash. Në vitin 1970 i tubuam të hollat e filluam rrugën dhe e asfaltuam në vitin 1973.

 

Kultura 

Si duket aktivitetet e mia u çmoheshin e një ditë sekretari i Komitetit Eshtref Faiku, më lajmëroi që të paraqitem tek ai në zyrë. Më njoftoi se duhesha të kaloj në Bujanoc, në vendin e punës: sekretar i Bashkësisë së Arsimit me një shërbim profesional, ku të shihej një efekt më i mirë në arsim dhe kulturë. Kjo ishte për mua një befasi e madhe dhe gradë e lartë në nivel të komunës. Prej shkollimit e pata mbaruar Akademinë Pedagogjike në Vranjë. Mirëpo, në kuadër të arsimit në shkolla kishte profesorë e njerëz të arrirë, e ndija veten se duhet të kryej një Fakultet mos të jem i nënçmuar. Dhe kështu edhe u bë.

Në Beograd e regjistrova Fakultetin e Defektologjisë, pranë Universitetit të Beogradit. U regjistrova në vitin 1977 në grupin: “Vetëmbrojtja shoqërore dhe risocializimi i personave me të meta në sjelljet shoqërore”. Pas diplomimit mora diplomën “Pedagog special”. Kurse tema në të cilën diplomova ishte: “Problemet socio-psikiatrike fizikisht të hendikepuar me shqyrtim në Komunën e Bujanocit, për periudhën 5 vjeçare 1978/82.

Deri sa isha në funksionin e sekretarit të arsimit, unë si investues në Bujanoc u ndërtua Pallati i Kulturës në qendër të Bujanocit. Pallati u ndërtua në vitin 1982. Pas Pallatit të Kulturës u ndërtua Shkolla me mësim në gjuhën shqipe “Naim Frashëri”, pastaj Shkolla Fillore “Skënderbeu” në Zarbicë, shkolla në Novosellë e meremetime të tjera.

 

Entin për Punësim 

Në vitin 1984 u ndava nga arsimi dhe kalova në Entin për Punësim në Bujanoc. Nga ai vit, shteti solli disa ligje plotësuese. U shtuan punët në administratë. U aprovua ligji për gratë që ishin shtatzëna, të cilat kishin të drejta në kompenzim monetar deri një vit dhe duheshin të lajmëroheshin në Ent për çdo muaj. Përveç kësaj Jugosllavia e atëhershme lidhte kontratë me Zvicër e Gjermani dhe punëtorët tanë kishin të drejtë për të punuar me kontratë deri 9 muaj, e kështu u shtua tepër sa që u detyruam me shtuar numrin e bashkëpunëtorëve në Ent.

Në vitin 1981, ka qenë regjistrimi i rregullt 10 vjeçar i popullsisë. Pasi që unë diplomova në Fakultet e po ashtu tema e diplomës ishte që me regjistrim me i përfshi shënimet demografike të popullatës, nuk kanë qenë të natyrës vetëm statistikore, por edhe shoqërore dhe politike.

 

Statistika 

Shënimet që po i regjistroj janë shënime statistikore, Brenda 5 vitesh në Komunën e Bujanocit.

Sipas regjistrimit të vitit 1981, Komuna e Bujanocit ka pasur 46.689 banorë.

Në komunë, që kanë qenë fabrikat e tërë ekonomia e Bujanocit i ka pasur të punësuar 3.800 punëtorë, do të thotë i punësuar ka qenë çdo i 12 ti banorë.

Jeta e banorëve ka qenë 75 për qind, kanë jetuar në fshatra.

Shënimet demografike kanë qenë sa vijon:

Gjithsej në Komunë: 46.689 banorë. Në qytet kanë banuar: 11.789, ndërsa në fshatra 34.900 banorë.

Numri i banorëve sipas gjinisë ka qenë kështu: meshkuj 23.379, ndërsa femra: 22.812.

Struktura nacional: shqiptarë: 25.848 banorë 55,6%, serbë: 15.940 ose 34,0 %, romë: 4.130 ose 8,0 % dhe të tjerë: 792 ose 1,0 %.

Në veprimtarinë shoqërore bënë pjesë edhe mbrojtja shëndetësore edhe pse atë kohë mbrojtja shëndetësore ka qenë suficiente (jo e mjaftueshme). Ambulanca ka pasur gjithsej 14 mjekë. Prej tyre 9 mjekë nga medicina e përgjithshme, ndërkaq në këtë drejtim kanë munguar neuropsikiatri, oftolmologu, mjeku ORL dhe fiziatrisë. Ambulanca ka disponuar me një gjinekolog dhe një pediatër si dhe tre specialistë të mjekësisë.  Për të gjitha këto shënime të dhënat janë siguruar nga institucionet përkatëse.

Gjendja e shkollimit gjatë asaj periudhe: pa shkollë të kryer: 8.768, nga kl.I-III: 800 dhe nga kl. IV-VII: 4360.

Me shkollë fillore kanë qenë: 8.490, me shkollë të mesme: 4.017, me të lartë: 343 dhe me Fakultet: 206.

 

Personat me defekte 

Numri i banorëve me defekte të ndryshme, gjatë 5 viteve në Komunë: të verbër ose  që shohin mirë 1978 (35 persona), 1979 (45), 1980 (40), 1981 (50) dhe 1982 (65) gjithsej: 235, numri i banorëve (personave me defekte te ndryshme apo ata që belbëzojnë: në vitin 1978 (10 persona), 1979 (12), 1980 (16), 1981 (24), 1982 (32), gjithsej 74 persona, numri i personave me sëmundje cerebrale e veshkave brenda 5 viteve 1978 (11 persona), 1979 (15), 1980 (21), 1981 (18) dhe1982 (21), gjithsej 86.

Shënimet janë siguruar nga Qendra Medicinale e Vranjës.

Personat me sëmundje distrofije muskulare gjatë periudhës 5 vjeçare në komunë: 1978 (9 persona), 1979 (10), 1980 (13), 1981 (15) dhe 1982 (18) gjithsej 65 (Shënimet janë marrë nga Shoqata distrof. Vranjë dhe Leskovc);

Personat me sëmundje kombinime të llojllojshme – periudha 5 vjeçare: 1978 (25 persona), 1979 (30), 1980 (41), 1981 (46) dhe 1982 (55), gjithsej 197. (Shënimet janë marrë nga Qendra Soc. Kategor. Komisioni invalidor);

Personat me sëmundje të shumëllojshme: 1978 (17 persona), 1979 (19), 1980 (32), 1981 (47) dhe 1982 (58), gjithsej 172. (Shënimet janë marrë nga Shoqata ndërkombëtare Vranjë –SUBNOR – Bujanoc).

Numri i të hendikepuarëve sipas numrit të përgjithshëm të popullsisë, në Komunën e Bujanocit, në periudhën 1978-1082. Sipas regjistrimit 1981, numri i përgjithshëm i të gjitha kategorive: 427. (Shënimet janë marrë në arkivin historik të Vranjës dhe SUBNOR të Bujanocit.

Në vitin 1981 kemi një ngritje të këtyre personave të hendikepuar, në një popullsi prej 46.689, 05 banorë. Me sy të vrarë, që nuk shohin mirë: 64. Personat që nuk dëgjojnë mirë (shurdhër): 22. Me pengesa në të folur: 26. Me amputime të këmbëve apo të duarve: 26. Me cerebral – pengesa:86. Me distrofi muskulore: 17. Me pengesa të kombinuara: 54. Me pengesa të shumëllojshme: 59. Me invaliditet ushtarak:73, gjithsej:427 persona.

Në Entin për punësim, pra punova prej vitit 1984 e deri në vitin 1998, ku u detyrova të tërhiqem e u pensionova për shkak të sëmundjes së diabetit-melitus.

 

Mesazhi 

Të nderuar lexues, këto janë shënime shumë reale dhe të vërtetuara. Sot jetoj në Nasalcë, bashkë me familjen e ngushtë. Kam 4 fëmijë, nipa e mbesa. Kam një jetë modeste, jam i respektuar në fshat dhe farefisni.

Në fund, kisha një sugjerim për organet e institucioneve në Komunë e shërbime të tjera se unë si njohës i mirë i disa problemeve, nuk jam askund i angazhuar të kontribuoj komisionet që ballafaqohen me probleme të këtilla.

E falënderoj redaksinë “Jehona”, që ma dha mundësinë ta njoftoj opinionin dhe lexuesit me këto të dhëna të pa njohura deri sot.

Nga Vehbi Mehmet Hyseni, pedagog specialist./JEHONA, nr 98 (27 mars 2014)

Shqiptarët kërkojnë demilitarizim, serbët kundër
Medvegjë-Kamenicë: Për 7 kilometra largësi, bëjnë 100 kilometra rrugë! (Video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration