U lëshua në hapësirë sateliti turk "Türksat-5A” (video)
Të premten në hapësirë në orën 05:15 me orën e Turqisë u lëshua në hapësirë nga baza Cape Canaveral në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) sateliti i gjeneratës së 5-të të Turqisë «Türksat-5A”.
Dërgimi në hapësirë i satelitit u realizua me raketën «Falcon-9» të kompanisë «Space X».
Lëshimi i satelitit ishte planifikuar për në orën 04.28 me orën e Turqisë, por ishte shtyrë me rreth 1 orë për shkak të kushteve atmosferike dhe u realizua sot (08.01.2021) në orën 05.15 me orën e Turqisë.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailollu (Adil Karaismailoğlu) tha në mbledhjen e mbajtur në kompleksin e kompanisë “Turksat A.Ş.”, që ndodhet në Gëlbashë (Gölbaşı) të Ankarasë, se sateliti kishte nisur udhëtimin drejt orbitës së tij.
“35 minuta pas lëshimit ka ardhur edhe sinjali i parë nga sateliti ynë ‘Turksat-5A’. Sateliti vazhdon udhëtimin në hapësirë, i cili do të zgjasë 4 muaj. Pastaj do të bëjmë testet e nevojshme dhe sateliti do të fillojë aktivitetin e tij”, sqaroi ministri, ndërsa shtoi se pas satelitit “Turksat-5A” do të dërgohen në hapësirë edhe satelitët e tjerë “Turksat-5B” dhe “Turksat-6A”.
Nga ana tjetër vazhdojnë punimet për ndërtimin e satelitit vendor dhe kombëtar “Turksat-6A”,- u shpreh Karaismailollu dhe shtoi se sateliti “Turksat-6A” do të dërgohet në hapësirë në muajt e parë të vitit 2022.
Duke vënë në dukje se në vijim të zhvillimeve në fjalë do të kemi edhe punime të tjera për dërgimin e njerëzve në hapësirë, ministri u shpreh se brezi i ri është shumë i interesuar me këto çështje dhe këto do të duken më qartë në vitet e ardhshme.
Sateliti «Türksat-5A» do të shërbejë në orbitën 31 gradë në Lindje për një periudhë 30-vjeçare dhe për këtë kohëzgjatje janë garantuar të gjitha të drejtat lidhur me frekuencën dhe orbitën.
Sateliti «Türksat-5A» do të ofrojë shërbime transmetimi televiziv dhe komunikimi të të dhënave në një hapësirë gjeografike që mbulon Turqinë, Evropën, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Afrikën Qendrore e Perëndimore, Afrikën e Jugut, Egjeun dhe Detin e Zi.
Udhëtimi i satelitit, i cili ka një sistem shtytës plotësisht elektrik, është planifikuar të zgjasë rreth katër muaj deri sa të arrijë në pozicionin e tij në orbitën 31 gradë Lindje dhe synohet që të fillojë të funksionojë në tremujorin e dytë të vitit.