Tre pyetje publike për Shqiprim Arifin nga opozita në Preshevë?
Më poshtë keni tekstin e plotë të thënë nga Ardita Sinani në konferencën për shtyp:
Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës, Në vazhdën e demaskimit të mashtrimeve, manipulimit me ndjenjat e qytetarëve dhe premtimeve të rrejshme të Shqiprim Arifit, gjatë konferencës së sotme do të flas me gjuhën e argumentit për premtimet e kryetarit të APN dhe të komunës për investimet e huaja.
Në radhën e premtimeve megalomane, që koha po e dëshmon se ishin alibi i pandershëm i Shqiprim Arifit për arritjen e qëllimeve elektorale , ai sjelljes së investimeve të huaja i dha "prioritet" mbi prioritetet.
Që nga fillimi i vitit 2016 nga Shqiprim Arifi qytetarët e komunës së Preshevës dëgjuan emra të ndryshëm investitorësh nga çdo skaj i Evropës, dëgjuan madje për industri të prodhimeve të disa produkteve dhe shërbimeve që edhe rajonit i mungonin.
Në ato momente të shpalosjes së këtyre investimeve dhe investitorëve në premtimet e Shqiprim Arifit komuna ndër më të pazhvilluarat në Serbi siç është Presheva, u shndërrua në qendër të zhvillimit dhe prosperitetit në rajon e më gjerë. Me këto premtime, ai në fakt arriti paturpësisht të entuziazmojë një shtresë e cila po mundohej të mbijetonte si rezultat i situatës shumë të vështirë socio - ekonomike.
Në serialin e premtimeve të Shqiprim Arifit për zhvillim të paparë, ne u quajtëm të paditur madje edhe të padenjë që me politikën tonë të mbrapshtë sipas tij, shkaktuam migrimin e të rinjve tanë, dhe se sipas tij, ai me "strategjinë" dhe "planin" e tij do të jetë kthesa e nevojshme për këtë rajon. E keqja e gjithë kësaj është se trendi i largimit të të rinjëve nga Presheva në drejtim të Perëndimit tash e dy vite është fatkeqësisht në rritje.
Unë dhe PVD nuk do të bëjmë sot avokatin e Serbisë duke amnistuar politikat diskriminuese të shtetit serb e duke akuzuar Shqiprim Arifin për situatën e migrimit të të rinjve. Diskursi politik i imi dhe i PVD do të mbetet i njëjtë, që për krijimin e gjendjes së pashpresë të të rinjve për perspektivë në vendin tonë, fajtor kryesor do të mbetet shteti serb.
Unë sot i shtroj pyetje publike Shqiprim Arifit: që nga koha që je në krye të komunës cila është strategjia konkrete që do të zbut papunësinë në komunën e Preshevës, normalisht duke mos llogarit ngopjen e apetiteve të një rrethi të ngushtë të interesit rreth teje dhe APN? Cila është strategjia e krijimit të vendeve të reja të punës dhe rrit zhvillimin ekonomik? Cila është metoda sipas teje për zhvillimin e bizneseve vendore? Cili është plani për avancimin e blegtorisë, bujqësisë dhe inkurajimin e femrave ndërmarrëse?
Qytetarëve të komunës së Preshevës i kujtohen shumë mirë investitorët e huaj për prodhimin e keçapit, të cilët Preshevën sipas kryetarit të APN dhe të komunës do ta shëndrronin si qendër e eksportit të këtij produktit në rajon e më gjerë. I kujtohen edhe investitorët të cilët Preshevën do ta bënin si qendër të grumbullimit të produkteve bujqësore. Qytetarëve tanë gjithashtu i kujtohen edhe investimet për ndërtimin e spitaleve rajonale, qendrave të arsimit deri edhe të investitorëve misterioz në fushën e prodhimit të energjisë solare e çka jo tjetër. Në gjithë këto investime u fol për 50, 100, 250 e madje edhe me nga 500 të punësuar.
Ndërsa loja me investitorin nga Suhareka ishte rast për të shpërfaqur sot mashtrimin klasik me qytetarët e Preshevës të Shqiprim Arifit. U akuzua PVD që ishte bërë pjesë kinse për bllokimin e këtij investitori. Ndërsa sot, të gjithë qytetarët janë të vetëdijshëm, se në këtë kompani punëtorët paguhen me të holla kesh, nuk i paguhen as kontributet dhe sigurimi, e madje përjashtohen nga puna gra shtatzëna sepse llogariten të pa afta për punë. Paradoks edhe më i madh, se ky informalitet legjitimohet nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe sekretari shtetërorë apo miku më i drejtpërdrejtë i Shqiprim Arifit gjatë vizitave qe ia beri punëtorëve të kësaj kompanie.
Ne sot nuk dojme te shfaqim në këtë konferencë gëzimin për dështimet dhe për mosrealizimin e asnjë premtimi në fushën e investimeve të huaja nga ana e Shqiprim Arifit, sepse si gënjeshtër dhe metodë të pandershme për përfitim elektoral e nuhatëm që nga fillimi. Investitorët dhe investimet e tilla sot qytetarët e Preshevës mund ti shohin e dëgjojnë vetëm në spotet elektorale të Shqiprim Arifit. Rezultati i vetëm i Shqiprim Arifit sot është humbja e të vetmes shpresës qe i ka mbetur te rinjve tanë.
Jemi për të shprehur mllefin e qytetarëve që Shqiprim Arifi i llogariti të lehtë për t'u manipuluar, jemi për të shprehur zhgënjimin e një shtrese e cila e shkelur nga gjendja e rëndë socio - ekonomike i besoi një "zhvillimi" të tillë ekonomik. Jam sot në këtë konferencë për të shtruar dilemën e qytetarëve të Preshevës ndaj Shqiprim Arifit: sot që është në krye të komunës, pse nuk i zë në gojë këta investitor misterioz, se për t'i sjellur me kohë e kemi kuptuar që ka qenë një nga shume mashtrimet e manipulimet e tij!
Ardita Sinani, PVD-Preshevë