Transparenca komunale, pjesë e agjendës politike në zgjedhjet lokale në Preshevë (video)
Partitë politike shqiptare, transparencën komunale e kanë futur në agjendën e tyre politike në zgjedhjet lokale të 24 Dhjetorit në komunën e Preshevës të cilët u zotuan në përmirësimin e kësaj gjendjes aktuale kaotike.Shqiprim Arifi, nga Alternativa për Ndryshim tha se Presheva gjendet në nivel shumë të ulët në listën e transparencës andaj duhet të ndryshohet por që është edhe prioritet i partisë së tij.
“Jemi munduar të ngritim transparencën kemi ndërtuar një uebfaqe dhe një facebook faqe që të publikojmë vendimet të cilat janë marrë si në kuvend por edhe në këshill komunal dhe vendimet tjera të cilat janë marrë në administratë dhe në institucionet tjera publike”, theksoi Arifi për Titulli.com.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa theksoi se duhet të instalohet sistemi i partisë së tij në pushtetin lokal të Preshevës për të ardhur deri tek niveli i duhur i transparencës.
“Me ardhjen e partisë sime në pushtet do të ketë një nivel shumë më të mirë të transparencës ku tani për tani është një pushtet ku askush askujt nuk i jep llogari për asgjë, ku as qeveria nuk kërkon llogaridhënie sepse ajo është instaluese e këtij pushteti”, deklaroi Mustafa.
Naser Aziri, kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar u shpreh se nëse bëhet pjesë e ndonjë koalicioni premton një transparencë më të madhe dhe qasje të qytetarëve në çdo vendim edhe në të hyrat e të ardhurat e buxhetit e sidomos vendimet të cilat i merë kuvendi komunal.
“Do të mundohemi që qytetarët së paku një herë në javë të kenë kontakt me funksionar të lartë dhe të kenë qasje në çdo vendim dhe institucion i cili është nën kompetencat e kuvendit komunal”, theksoi Aziri.
Sipas tij komuna e Preshevës ka një transparencë shumë të ulët jo vetëm për ndarjen e të ardhurave publike, buxhetit komunal por dhe ndaj investimeve që bëhen.
“Presheva ka pasur mungesë totale të transparencës e në veçanti kur bëhet fjalë për paranë publike. Ka ardhur koha që të vihet dorë në këtë drejtim duke shkuar me një metodë të një transparence radikale”, tha Sami Salihu nga Lëvizja për Reforma PDSH.
Ai mes tjerash deklaroi se komuna e Preshevës dhe qytetarët e saj kanë nevojë që të kenë një pasqyrim të qartë se cili është buxheti komunal, ku shpenzohet paraja e komunës.
“Nëse nuk ka transparencë atëherë ka korrupsion, deri më tani s’ka pasur transparencë por ka pasur korrupsion. Vendi i cili ka mungesë të transparencës janë prokurimet publike duke u krijuar ai rrjeti i klientelizmit për të manipuluar me paranë publike në forma të ndryshme korruptive”, vlerësoi Salihu.
Xhelal Memeti, kryetar i degës së Partisë Demokratike në Preshevë tha se ekipi i tyre ka ide të llojllojshme lidhur me transparencën dhe kanë analizua të gjitha pushtetet që kanë qenë deri më tani dhe se është e domosdoshme të përcillen kuvendi dhe këshilli komunal që qytetarët të kenë qasje.
Memeti thotë se me programin e tij politik nëse hyn në ndonjë koalicion të mundshëm në të ardhmen do të interpretohen drejtpërdrejt seancat jo vetëm të kuvendit komunal por edhe të këshillit komunal që qytetarët të kenë mundësi ta përcjellin çdo vendim që merret.
Edhe Gazmend Aliu nga lista zgjedhore Bashkimi Demokratik i Luginës dhe Nisma e re për Preshevën gjatë bisedës për titulli.com tha se komuna e Preshevës ka nevojë për transparencë më të madhe të pushtetit lokal.
“Qytetarët dhe taksapaguesit e Preshevës kanë nevojë që të dine më shumë se ku harxhohet paraja e tyre dhe mendoj se çdo harxhim, çdo tender dhe vendim duhet të jetë shumë më shumë transparent në uebfaqen e komunës që qytetarët ta përcjellin punën e pushtetit lokal, u shpreh ai.
Aliu thotë se me ardhjen e tyre në pushtet do të plotësohen këto mangësi dhe qytetarët e Preshevës do të jenë me të informuar rreth harxhimit të parasë publike.
Sipas vlerësimit të organizatave kompetentet në Serbi, komuna e Preshevës gjendet në nivel të ulët të transparencës ndërsa tani nuk është duke funksionuar as uebfaqaj e komunës si element bazë e formës së transparencës komunale./Titulli.com/