Totozani në Bujanoc: Kemi në vëmendje problemet që shqetësojnë shqiptarët (video)
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka vizituar Serbinë dhe në takimet e tij është interesuar për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.Gjatë vizitës ai takoi zyrtarët shqiptarë dhe po ashtu përfaqësuesit e zyrës së Avokatit të Popullit në qytetin e Bujanocit. Totozani tha se Avokati i Popullit nuk merret me çështje politike, por me promovimin e të drejtave të qytetarëve. “Mendoj se kemi hapur një faqe të re bashkëpunimi të ngushtë në dobi të qytetarëve. Avokati i Popullit i Shqipërisë nuk ka kompetenca jashtë territorit të Shqipërisë, por kemi në vëmendje problemet që shqetësojnë shqiptarët”, deklaroi Totozani, raporton TCH. “Vetëm me mirëkuptim të përbashkët, dialog dhe respekt mund të vijmë deri tek një zgjidhje e përbashkët dhe tek një shtet evropian siç duam të kemi. Një shtet të drejtë ku qytetari është qëllimi dhe jo organet shtetërore, që shpesh zbatojnë dëshirat e tyre mbi interesat qytetare”, tha nga ana tjetër Mirosllav Jankoviç nga zyra e Avokatit të Popullit në Bujanoc. “Fillimi i kësaj bisede është si të avancohen të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe ne kërkuam që format e veprimit të jenë pak më konkrete”, tha më tej Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen shpesh me probleme të ndryshme në realizimin e të drejtave të tyre, e sidomos me pranimin e diplomave dhe përdorimin e gjuhës. / Titulli.com/