Lokale
LPD: Po shteren mjetet politike për zgjidhjen e problemeve
Lëvizja e Progresit Demokratik me seli në Bujanoc, përmes një komunikate vlerëson se janë duke u shterur mjetet politike për zgjidhjen e problemeve shqiptaro-serbe.
Ky subjekt përpjekjet e fundit për të biseduar për veriun e Kosovës dhe mospërfilljen e shqiptarëve të Luginës në këtë proces i sheh si futje të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës para sfidave të reja.
Në kumtesën e mëposhtme LPD flet edhe për përçarjen e subjekteve politike shqiptare në Luginë./Titulli.com/
************************************************************************************************************************************************************************************************
Lëvizja e Progresit Demokratik, duke përcjell zhvillimet politike në Luginën e Preshevës dhe ato, që po zhvillohen në veri të Kosovës dhe në vet Serbinë, ka vlerësuar se dalëngadalë po shteren mjetet politike për zgjidhjen e problemeve shqiptaro-serbe në favor të proceseve radikale.
Përpjekjet për ta futur veriun e Kosovës në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit dhe mospërfshirja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në këto procese si dhe kërkesa për reciprocitet, mund ta sjellin Luginën e Preshevës para sfidave të reja.
Përgatitjet për ta shënuar këtë vit 100 vjetorin e shtetit shqiptar, po i gjen shqiptarët e Luginës së Preshevës më shumë se kurrë të përçarë, të ndarë dhe të deziorentuar politikisht.
Sot nuk mund të gjesh ndonjë mekanizëm politik, që do të bashkonte pozitën dhe opozitën për një takim të përbashkët, për ndërmarrjen e ndonjë nisme për unifikim në këto momente delikate në të cilat po gjendet vendi.
Sot, po ashtu e kemi të vështirë të mbledhim në ndonjë seancë të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve për të marrë ndonjë hap si psh kremtimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, apo nxjerrjen e ndo një platforme të re për zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Beogradi zyrtar për t’i ndarë më shumë pozitën dhe opozitën shqiptare të Luginës së Preshevës, favorizon disa elemente shqiptare, të cilat duke u thirr në institucione diferencojnë ideo-politikisht kuadrot shqiptare, duke zvogëluar forcën e pushtetit shqiptar kundrejt forcës elektorale të treguar gjatë zgjedhjeve të majit të këtij viti.
Me këto veprime, forcat radikale në Beograd, do të provokojnë edhe më shumë shqiptarët e këtij rajoni, të cilët pastaj në heshtje të shpërngulen në drejtim të Kosovës dhe shteteve perëndimore.
Zbrazja në heshtje e shqiptarëve nga vatrat stërgjyshore do të ndikoj shumë në zvogëlimin e bërthamës etnike të shqiptarëve në këtë rajon, në favor të elementit serb, i cili gjithmonë ka qenë pakicë në Luginën e Preshevës.
Kur dëgjojmë dhe lexojmë deklaratat luftënxitëse të klasës politike radikale të Beogradit për Kosovën, mos të presim se këto faktorë do t’na lënë të sillemi komod në Luginë, duke u marrë me vetveten.
Lëvizja e Progresit Demokratik, kërkon nga faktorët relevantë vendor dhe ndërkombëtar për një angazhim më të madh në zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konform Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, Marrëveshjes Paqësore të Konçulit dhe marrëveshjeve e Platformave të tjera politike të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve komunale: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
LPD kërkon, gjithashtu, nga faktorët relevantë shqiptarë më shumë përkujdesje ndaj Luginës së Preshevës, duke sensibilizuar kërkesat e saj për bashkim me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ka qenë gjithmonë gjatë historisë.
Nëse nuk merren hapa konkretë në zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve konform vullnetit të tyre të shprehur me referendum, Lugina e Preshevës dhe kjo pjesë e Ballkanit, nuk do ketë asnjëherë qetësi e stabilitet, thuhet mes tjerash në kumtesën e LPD-së, të firmosur nga kryetari i saj z. Jonuz Musliu./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!