Lokale
'BSK' e Salla e Sportit në Bujanoc “vjedhin” ujin
Qyteti i Bujanocit ka ujë të mjaftueshëm të pijshëm, por keqpërdorimet bëjnë që kohë pas kohe të ketë reduktime të ujit dhe pasojat më të mëdha i vuajnë disa fshatra për rreth.
Ndërmarrja publike “Komunalia” në Bujanoc në këto ditë të nxehta po ballafaqohet me një problem të madh, me ujin e pijshëm që po keqpërdoret, gjegjësisht përdoret pa kontroll.
Njëri ndër keqpërdoruesit e ujit të pijshëm sipas drejtorit të Ndërmarrjes “Komunalia” Ragmi Ramizit është edhe klubi futbollistik “BSK” nga Bujanoci, të cilët gjatë sezonit të verës e kanë keqpërdorur një hidrant të ujit të pijshëm për ujitjen e barit të fushës së futbollit.
“Kemi hasur në keqpërdorimin e ujit të pijshëm nga ana e njerëzve përgjegjës të klubit futbollistik “BSK” nga Bujanoci dhe kjo është hera e dytë, pasi që para dy jave rastësisht kam zbuluar që po bëhet keqpërdorimi i ujit të pijshëm nga ana e këtyre personave”, ka thënë Ramizi për RTB-në.
Sipas Ramizit njerëzit përgjegjës të këtij institucioni kanë shfrytëzuar rrjetin e hidrantit e cila gjendet në sallën e sporteve, i cili nuk është i lidhur me njehsorin që do të thotë ai ujë nuk regjistrohet askund dhe është keqpërdorur me të madhe për ujitjen e barit të KF “BSK”.
Ndërmarrja “Komunalia” në të ardhmen do të ndërmerr masat e duhura ndaj keqpërdoruesve të ujit të pijshëm por edhe ndaj rastit të lartpërmendur, i cili tashmë ka kaluar në procedurën e inspektoratit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!