Arifi: Punët e mira vijnë ngadalë, secili të mendojë për zhvillimin ekonomik (video)
Lokale

Arifi: Punët e mira vijnë ngadalë, secili të mendojë për zhvillimin ekonomik (video)

04.Dec.2015 09:57
0
Në një intervistë ekskluzive për portalin Titulli.com, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, flet për integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore, për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për funksionimin e pushtetit lokal në Bujanoc. Lidhur me problemin e teksteve mësimore dhe mundësinë e përdorimit të teksteve nga Kosaova, Arifi thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet me marrëveshje brenda dy shteteve fqinje.

Titulli: Çfarë mendoni për integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore? Edhe në Raportin e Progresit të KE-së thuhet se shqiptarët e këtij rajoni janë të nënpërfaqësuar në këto organe. Si e shihni ju dhe partia juaj këtë problematikë?

Nagip Arifi: Ky është një problem që po zgjat me vite të tëra. Në vitin 2010 qeveria e Republikës së Serbisë ka aprovuar një plan për t’i kyçur shqiptarët në organet shtetërore, dhe në atë drejtim shumë pak është punuar. Në përjashtim të disa personave që janë punësuar në dogana, edhe atë në kohë të caktuar, nuk ka përmirësime, edhe pse në atë kohë, në atë program janë paraparë të hapen diku 63 vende të punës për shqiptarët. Para disa ditëve kam pasur takim me zëvendësin e ombudspersonit, i cili duhet t’i mbrojë të drejtat e pakicave, por kam njoftuar edhe ambasadorin e Bashkimit Evropian, ambasadorin e OSBE-së lidhur me këtë çështje. Kam dhënë edhe numra statistikor se sa janë shqiptarët të përfaqësuar në organet shtetërore. Për këtë çështje duhet vetëm vullneti i qeverisë së Serbisë për ta zbatuar, sepse nuk e dëmton buxhetin e Serbisë punësimi i 100 shqiptarëve në organet shtetërore. Kjo çështje është më shumë politike se sa ajo që duhet të realizohet në organet shtetërore. Mendoj këtu se edhe qeveria e Republikës së Kosovës duhet të bëjë më shumë, pasi është në bisedime në Bruksel me qeverinë e Serbisë. Atje është krejt e kundërta, qeveria e Kosovës ka shprehur dëshirë që të kyç pakicën serbe në organet shtetërore, në anën tjetër, shqiptarët këtu kanë shprehur vullnet që të kyçen në organet shtetërore, por qeveria e Serbisë nuk ka vullnet, nuk dëshiron t’i ketë shqiptarët aty. Këtë që po ju them juve, i kam thënë shumë herë edhe ambasadorëve të BE-së dhe atij të OSBE-së në Beograd. Shpresojmë që ky do të jetë një kusht prej kushteve të shumta që Serbia duhet të plotësojë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe është momenti ku sigurisht Bruskeli zyrtar t’i thotë një ditë Serbisë mjaftë se nuk mund të përparosh në këtë drejtim. Është një e mirë që shqiptarët kanë vullnet të inkuadrohen, të japin kontributin e vet si çdo qytetar, e para së gjithash t’i ndihmojnë shqiptarëve në problemet e përditshme të tyre. Në këtë drejtim, ne duhet të punojmë, të kërkojmë, të bëjmë presion edhe te faktori vendor,  apo qeveria e Serbisë, por edhe tek faktori ndërkombëtar. Me një fjalë, punët e mira vijnë dalëngadalë, punët e këqija vijnë shumë shpejtë.

 

Titulli: A mendoni se shqiptarët janë unik lidhur me këtë çështje?

Nagip Arifi: Për fat të keq, shqiptarët nuk janë unik edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe këtu. Unë kuptoj nganjëherë që opozita duhet të sulmojë pozitën për të çuar një çështje përpara, por kur janë interesat e përgjithshme duhet të jemi së bashku. Mund të them lirisht që në momentin e hartimit të planit shtatë pikësh të gjithë subjektet politike thanë PO në këtë drejtim, dhe mund të them që takimet që i kemi me faktorin ndërkombëtar, por edhe me qeverinë e Serbisë, jemi për t’i zgjedhur çështjet që i preokupojnë shqiptarët, dhe atje jemi së bashku. Për fat të keq, në lokale dhe çështjet e interesit e shqiptarëve këtu jo. Unë kam ftuar opozitën shumë herë në takime të cilët kanë qenë në interes të shqiptarëve, nuk kanë ardhur, e në anën tjetër kur i fton ndonjë përfaqësues i qeverisë së R. Serbisë ata vijnë, në këtë ndërtesë dhe mbajnë takime, kurse te kryetari i komunës nuk vijnë.

 

Titulli: Cilat janë kërkesat e faktorit politik shqiptar, dhe të partisë suaj, në fushat siç janë arsimi, shëndetësia?

Nagip Arifi: Kemi probleme, ju e dini problemin e fundit me tekstet mësimore, një donacion nga qeveria e Republikës së Kosovës, të cilin qeveria e Serbisë e ka marrë, e ka futur në terminalin e Preshevës dhe nuk jep përgjigje. Ne kemi kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar në këtë drejtim, por deri në këto momente nuk ka ndonjë përparim.  Serbia as nuk i kthen mbrapa ato tekste, por as nuk kryen procedurat që duhet të kryejë. Në takimin e fundit që kam pasur me ambasadorin Davenport e kam njoftuar se deri në vitin 2007 qeveria e Serbisë pat lejuar të përdoren diku rreth 107 tekste mësimore për shkollën fillore dhe të mesme. Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës situata ka ndryshuar, dhe tash shtrohet pyetja. Si është e mundur që serbët në Kosovë të përdorin tekste mësimore të botuara në Serbi, me planprograme të Serbisë të punojnë, ndërsa në anën tjetër shqiptarëve nuk i lejohet të përdorin tekstet mësimore. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet brenda dy shteteve fqinje. Ne jemi duke u përpiqur në këtë drejtim, mirëpo çështja është më madhore, çështja është e shteteve që duhet të merren vesh në këtë drejtim. Ne me mundësitë tona, edhe si pushtet lokal, edhe si subjekt politik, por edhe subjektet tjera janë duke u munduar, por e vërtetë është që në terren kemi probleme.

Titulli: Sa i përket zhvillimit ekonomik, ende nuk kemi asnjë investitor të huaj në këto komuna?

Nagip Arifi: Sa i përket zhvillimit ekonomik unë dëgjova një intervistë që dha kryetari i komunës së Prishtinës dhe ai sulmonte qeverinë se qeveria hap vende të reja të punës e jo pushtetet lokale. Unë kam dëgjuar nëpër vebfaqe të ndryshme se dikush sulmon pushtetin lokal pse spo hap organizata prodhuese apo zhvillim ekonomik. Pushtetet lokale me ligj nuk kanë mundësi të hapin kompani apo fabrika, por kjo është në kompetenca të qeverisë së republikës së Serbisë. Ne këmi bërë shumë në këtë drejtim, në krahasim me disa komuna. Në vitin e kaluar kemi ndarë subvencione nga buxheti i komunës për kompanitë private të cilat kanë qenë në mundësi të hapin vende të reja të punës. Kemi diku afër 60 të rinj që kanë kryer shkollimin e lartë apo fakultetin për t’i aftësuar e më vonë të vazhdojnë vetë të merren me biznes. Kemi arritur që në vitin e kaluar të marrim mjete nga Trupi Koordinues, diku 70 për qind të mjeteve të parapara për tre komuna. Kompanitë kanë marrë prej një deri në tre milion dinarë për hapjen e vendeve të punës, dhe sipas një llogarie që nga viti 2012 deri në vitin 2015 vetëm mjete për zhvillimin ekonomik kompanitë private nga komuna e Bujanocit kanë marrë afër 910 mijë euro. Afërsisht një milion euro për këto katër vite janë investuar në zhvillimin ekonomik, duke u nisur edhe nga buxheti i komunës. Duhet edhe kompanitë private të cilët punojnë në territorin e komunës së Bujanocit të dalin me ide, të japin prodhime. Si është e mundshme, për shembull, kemi diku 15 ndërmarrje private që merren me prodhimin e dyerve dhe dritareve nga materiali PVC. Sipas informatave që i kemi ne, të gjithë janë rentabile, bile kanë filluar të eksportojnë edhe në vendet perëndimore, siç janë Zvicra, Gjermania, Austria. Dhe kjo është një e mirë, por duhet ndoshta të mendojmë në të ardhmen që nxënësit e shkollimit të mesëm të orientohen në drejtime profesionale. Ne kemi pasur para disa ditëve një delegacion nga Turqia, pikërisht nga qyteti Bursa, një organizatë Rumelisiada, e cila në vete ka rreth 70 anëtarë, 70 kompani, me miliarda brenda vitit bën qarkullim, dhe janë interesuar për disa kompani të investojnë. Por atyre i intereson më vonë plasmani i tregut në disa vende, sepse normal që ata shohin benefitin e vet, sidomos në drejtim të Rusisë. Situata është e tillë që BE i ka vendosur sanksione Rusisë, kurse tash i intereson të gjithëve ata që vijnë këtu që ata prodhime t’i plasojnë në drejtim të Rusisë. Problemi tjetër është që çdo kompani që vjen dhe interesohet për të investuar në Serbi, pistën e parë e kanë Beogradin dhe bisedojnë me ministrat, dhe normal ministrat që janë në qeverinë e Serbisë nuk janë nga Bujanoci, por atyre i intereson gjithmonë të zhvillojnë vendin e vet. Unë kam thënë shumë herë dhe po e përsëris, në Bujanoc nuk pritet të hapet ndonjë fabrikë e prodhimit të Panasonicut, por duhet gjithmonë të orientohemi në disa prodhime që mund t’i plasojmë. Patjetër duhet t’i japim më tepër rëndësi zhvillimit të bujqësisë, sepse e kemi potencialin dhe njerëzit duhet të orientohen, sepse edhe në perëndim punohet bujqësia edhe në Zvicër e Gjermani, edhe në vendet që janë shumë para këtij rajoni. Duhet të mendohet në atë drejtim që çdokush të ketë një plan, sepse tash është ekonomia e tregut, nuk është koha e komunizmit që shteti duhet të mendojë që të jenë regjionet e zhvilluara. Në ekonominë e tregut çdokush duhet të mendojë në atë drejtim që të hap për veti dhe për rrethin ambient të mirë për zhvillim ekonomik.

 

Titulli: Një muaj para fundit të vitit. Si e vlerësoni këtë vit punën e administratës lokale të Bujanocit?

Nagip Arifi: Unë këtë vit e vlerësoj shumë pozitiv, pasi ne në këtë vit kemi bërë një herë rebalancin e buxhetit. Jemi në përgatitje e sipër dhe në javën tjetër do të bëjmë rebalancin e dytë për këtë vit. Do të jetë Këshilli Komunal e më pas do t’i dorëzohet Kuvendit për shqyrtim dhe aprovim. Do të rriten të ardhurat e buxhetit të komunës. Me ato mjete që na vijnë edhe nga qeveria, sigurisht do të jetë buxheti i komunës deri më tash më i larti, diku 936 milionë dinarë. Ajo që rritet buxheti është që disa kompani kanë pasur obligime ndaj komunës me vite të tëra dhe ne kemi arritur që nëpërmes gjykatave të tërheqim ato mjete nga ato kompani dhe ta plotësojmë buxhetin. Ndoshta për herë të parë komuna e Bujanocit, pasi në vitin 2012 ka qenë vetëm obligimet e Direksionit për ndërtim mbi 286 milionë dinarë, në vitin e ardhshëm ai obligim i direksionit mund të jetë prej 15 deri në 20 milionë dinarë, të cilët duhet t’i parashohim për vitin e ardhshëm dhe t’i mbulojmë ato obligime. Unë jam i bindur se në muajin shkurt do të jetë pa obligime jo vetëm komuna, administrata, por edhe të gjitha organizatat publike, ndoshta për herë të parë ndodh kjo.

 

Titulli: Çfarë mund të thoni për akuzat e opozitës që ka pasur parregullsi në buxhetin e vitit 2014 sipas Raportit të auditimit?

Nagip Arifi: Unë thash edhe më parë që opozita ka të drejtë të jap vërejtje që është edhe normale. Çdo vërejtje e opozitës, nëse është me vend, është e mirëseardhur, sepse pozita më pas do të ndryshojë qasjen. Por, këto akuza kanë qenë të pavend sepse unë vetë kam kërkuar që të jetë revizori shtetëror për të parë mundësitë për të ndryshuar dhe plotësuar diçka. Unë lirisht mund të them se ka qenë i mirëseardhur sepse shumë rregullore që nuk kanë qenë të aprovuara në kuvendin dhe këshillin komunal por edhe në administratën komunale i kemi aprovuar. Unë nuk dua që pushtetin e mëparshëm ta kritikojë në këtë drejtim sepse edhe ata nuk i kanë pasur sepse nuk kemi pasur revizor shtetëror, kemi pasur revizor të kompanive të ndryshme, e revizioni ka filluar të funksionojë prej vitit 2007 e këtej. Të gjithë rregulloret që janë paraparë i kemi aprovuar, bile kemi ndihmuar edhe komunat tjera sepse tash i marrin dhe vetëm emrin e komunës e ndryshojnë. Vërejtjet kanë qenë sidomos te financimi i mediave sepse deri në vitin 2014 këshilli ka vendosur vetëm nëpërmjet kërkesave të mediave e tash duhet të shpallet konkursi. Ligji ka hyrë në shtator apo në tetor në fuqi. Më pas ndihmat që jepen për rastet sociale mjetet duhet të parashihen në buxhet por Qendra për punë sociale të vendosë. Dy anëtarë  të kësaj qendre, një anëtar i pushtetit lokal. Kjo më parë nuk ka qenë, as në vitin 2009, 2010 e kështu me radhë. Financimi i klubeve sportive nuk mund të jetë në buxhet si më parë, por është një pozicion dhe shpallet konkursi dhe me programe duhet me konkurru. Vërejtja tjetër ka qenë sheshi i qytetit ku renovim ka qenë i paraparë të bëhet për dy vite e ne e kemi realizuar projektin për një vit, e në atë drejtim është dashur të parashihet e të zbatohet. Vërejtja tjetër ka qenë pse më një shtator nuk është aprovuar propozim buxheti për vitin 2015 nga ana e këshillit komunal, çka edhe tash mund të japin vërejtje. Asnjë komunë në Serbi nuk ka mundur të bëjë propozimin e buxhetit sepse ende nuk i kemi instruksionet e ministrisë së financave. Ne nuk e dimë për vitin 2016 sa mjete janë të parapara për transfer.

 

Titulli: Cilat janë planet për vitin 2016, ku do të përqendrohet pushteti lokal?

Nagip Arifi: Ne jemi në përfundim e sipër sa i përket propozim buxhetit për vitin 2016. Thash më parë se ende nuk kemi instruksionet nga ministria e financave sa i përket mjeteve të transferit që i barten çdo komune. Jo vetëm ne, por nuk i ka asnjë komunë ende, për fat të keq, ministria e financave është shumë me vonesë në këtë drejtim. Mjetet kryesore do të përqendrohen edhe në zhvillimin ekonomik, edhe në zhvillimin e infrastrukturës. Ne do të parashohim mjete për aftësimin profesional të të rinjve që kanë kryer shkollimin e lartë universitar, do të parashohim mjete edhe për zhvillimin e bujqësisë, ku do të ketë 20 për qind rritje. Ne do ta bëjmë propozimin me kusht kuvendarët do ta aprovojnë. Do të parashohim mjete dhe për sport, për rini, për mjetet e informimit e kështu me radhë. Propozimi ynë do të jetë në të gjitha drejtimet. Normal, kryetari i komunës dhe këshilli komunal bëjnë propozimin, atë program e aprovon kuvendi komunal dhe pas aprovimit duhet të shpallet në Fletoren zyrtare që të jemi gati për realizimin e vitit kalendarik që është në prag. 

VIDEO:

Spektri: Bujanoci hapur drejt keqpërdorimit të parasë publike ?!
Në Preshevë e Bujanoc shënohet dita botërore e personave me aftësi të kufizuara
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration