Thaçi: Po e kundërshtojnë bashkimin e Luginës, duke u thirr në kufijtë e famëkeqit Rankoviç
Presidenti Thaçi ka thënë se fillimi i pranverës së vitit të ardhshëm do të jetë përfundimtar, nëse arrihet apo nuk arrihet marrëveshja me Serbinë.Ai ka thënë se kudo që jetojnë shqiptarët, në krejt hapësirën e Ballkanit, kufijtë aktual nuk janë të vullnetit të shqiptarëve, por janë të imponuar.
“Kudo që jetojnë shqiptarët, qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë, qoftë në Preshevë, qoftë në Mal të Zi, nuk janë në kufijtë e vullnetit të shqiptarëve. Edhe në Shqipërinë aktuale janë kufijtë e imponuar. Kufijtë e Kosovës nuk janë të vullnetit të qytetarëve. Kurrë qytetarët e Kosovës nuk janë deklaruar për ata kufij. Vitet 1956-1959, kanë qenë vitet më të rënda për shqiptarët e Kosovës, kur Titoja dhe Rankoviçi famëkeq kanë dëbuar shqiptarët në mënyrë masive për në Turqi dhe në atë kohë, për të ndryshuar demografinë e Kosovës, Kosovës ia kanë bashkëngjitur Leposaviqin, Leshakun dhe pjesë të Zveçanin. Do të thotë, ata kufij, ajo pjesë është e dhuruar nga antishqiptari famëkeqi Aleksandër Rankoviçi dhe sot kur më dalin dhe më flasin disa që janë kundër Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke mu thirr në ide të Rankoviçit, ato janë të papranueshme për mua. Kështu që, njerëzit duhet të reflektojnë në përputhshmëri me vullnetin e vet. Kosovarët, të gjithë pa dallim, do të deklarohen vetë për kufijtë e vet. Shqiptarët duhet të jenë bashkë në familjen e madhe evropiane, kudo që jetojnë. Kufijtë në të ardhmen e afërt do ta humbin krejt kuptimin”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës theksoi se është kundër feudeve lokale, që për ego personale, private, politike dhe ideologjike, kanë qenë të gatshëm ta cenojnë edhe projektin e UÇK-së, veç mos të fitoj UÇK-ja politikisht, sikurse sot që janë të gatshëm ta cenojnë projektin e bashkëngjitjes se Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për ego personale apo të nostalgjisë për të kaluarën.