Thaçi: Nëse arrihet marrëveshja, Lugina e Preshevës i bashkohet Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli sërish për mundësinë e korrigjimit të kufirit me Serbinë gjatë procesit të ardhshëm të dialogut. Këto komente, Thaçi i bëri pas vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës.Ai tha se përfaqësuesit e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e kanë shprehur vullnetin e tyre që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, prandaj, sipas tij, nëse ka pajtueshmëri në dialog kjo pjesë do të mund t’i bashkohej Kosovës.
“Kemi rreth 400 kilometra të kufirit me Serbinë që duhet të shënjohen dhe pa demarkacionin me Serbinë nuk mund të përmbyllet procesi i shtetformimit dhe konsolidimit.
Për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, për korrigjimin e kufijve dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë, për asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërkaq, mendoj se është shumë e realizueshme, e pranueshme nga ana jonë, kërkesa e institucionalizuar e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai tha se pret që nga fundi i muajit gusht dhe fillimi i shtatorit dialogu të dinamizohet nën lehtësimin e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.