Thaçi: Kërkesa e qytetarëve të Luginës për bashkim me Kosovën është ndërkombëtarizuar
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës.“Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet”, ka thënë Thaçi, përmes Facebook.
“Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviq, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB”.
“Kjo marrëveshje sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hapë rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian”, ka shkruar ai.