Thaçi: Jo ndarje të Kosovës, por korrigjim të kufijve me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka quajtur shqetësues zërat që flasin për ndarjen e Kosovës, duke thënë se me apo pa vetëdije ata po e sensibilizojnë idenë e Serbisë për ndarjen e Kosovës.“Fatkeqësisht jemi edhe dëshmitarë të opinioneve dhe lajmeve të rrejshme, që po i quani ju mediat ‘Fake news’, jam sot këtu që si president i vendit edhe një herë t’iu siguroj që nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet me ndarjen e saj.
Do të kemi korrigjim të kufijve. Sikurse që kemi punuar me të gjitha shtetet e rajonit dhe kemi arritur marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi edhe me Maqedoninë, në rastin e njohjes reciproke të dy vendeve do të kemi kufij shtetërorë, kemi rreth 400 km vijë kufitare me Serbinë”, tha Thaçi, ndërsa shprehu bindjen se edhe NATO-ja do ta ndihmojë Kosovën në këtë aspekt.
Thaçi ka ftuar spektrin politik që të jenë unik, t’i lënë anash interesat e partive politike dhe të mos ketë vonesa për Demarkacionin dhe themelimin e ushtrisë.