Thaçi: Ne s'lëvizim nga propozimi ynë
"Është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen. Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion", ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Zoti kryeministër, pas refuzimit të marrëveshjes nga Serbia, baronesha Ashton ka ftuar Qeverinë serbe ta bëjë përpjekjen e fundit për të arritur marrëveshje. A ekzistojnë më mundësi që Serbia të pranojë marrëveshjen apo kjo çështje ka marrë fund kur flasim për propozimin e fundit të BE-së?
THAÇI: Mundësia ekziston. Serbia ka kërkuar që të bëjë dramë me këtë proces në Beograd, dhe këtë e ka thënë hapur në Bruksel, në takimet që i kemi zhvilluar bashkërisht me baroneshën Ashton. Atë dramë e ka krijuar vetë te opinioni publik. Mendoj se tani është momenti që të lëvizet përpara.
Pozicioni i delegacionit të Kosovës është plotësisht i përputhshëm me idetë e baroneshës Ashton, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që normalizon përfundimisht marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë; që hap perspektivë të sigurt euro-atlantike edhe për shtetin e Kosovës edhe për Serbinë, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Prandaj, dua të shpresoj se në orët dhe ditët e ardhshme gjërat do të lëvizin drejt një vullneti për të arritur marrëveshjen e diskutuar në këta gjashtë muajt e fundit, në nivele të larta politike në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian, konkretisht baroneshës Ashton dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në rast se Serbia përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke bërë thirrje për vazhdim dialogu, çfarë ndryshimesh mund të ketë marrëveshja që Serbia të pranojnë atë?
THAÇI:Është në interesin e të gjithëve që Serbia të pranojë marrëveshjen. Serbia është në dilemën midis integrimeve apo izolimit. Serbia, nëse zgjedh rrugën e integrimeve evropiane, duhet të arrijë marrëveshje me Kosovën, nëse vendos të zgjedh refuzimin e marrëveshjes, ai është vullneti i saj për vazhdimin e izolimit.
Por, Serbia nuk do të mund ta mbajë peng të ardhmen evropiane të Kosovës, nuk do të mund ta mbajë peng rajonin dhe nuk do të mund të mbajë peng investimet e Bashkimit Evropian në rajon, dhe nuk do të lejohet diçka e tillë.
Nëse Serbia refuzon, atëherë Kosova do të vazhdojë të shikojë perspektivën evropiane në rrugën e vet dhe Beogradi do të mbetet mbrapa me fajin e vet, nga papërgjegjësia e vet dhe nga logjika e mentalitetit të politikës së kaluar që ka shkaktuar luftërat në Kroaci, Bosnjë, Kosovë dhe kriza të rënda në Serbi.
A ka ndonjë afat kohor për arritjen e marrëveshjes? Ka deklarata të ndryshme që thonë se së shpejti do të ketë një takim?
THAÇI: Është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen. Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion.
Është çështje e Serbisë se a do apo nuk do. Refuzimi nga ana e Serbisë do të ketë kosto për Serbinë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë.
Nëse nuk arrihet marrëveshja në mes të Prishtinës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, duhet si Kosovë të vazhdojmë të punojmë drejtpërdrejtë në perspektivën tonë evropiane, me relacionet Kosovë - Bashkim Evropian dhe natyrisht përgjegjësia për stagnimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal do ta ketë një adresë, dhe kjo adresë do të jetë Serbia.