Lokale
Tërnoc: Ministria shkarkon drejtorin dhe Këshillin e shkollës (dokumenti)
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë pas shkeljeve të bëra në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” ka prurë vendim për shkarkimin e ushtruesit të detyrës (u.d.) së drejtorit si dhe Këshillit të shkollës
Pas vendimit të javës së kaluar kur për shkak të shkeljeve të raportuara nga inspektori republikan, u sollën masat e përkohshme, nga 10 prilli në shkollën fillore në Tërnoc kemi edhe masat e dhunshme të cilat shkarkojnë nga detyra organet më të lartë të këtij institucioni arsimor, u.d. Bajram Salihun si dhe Këshillin e shkollës në përbërje prej nëntë anëtarëve, duke emëruar udhëheqësinë e re.
Në vendimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, një kopje të së cilës e ka siguruar portali informativ Titulli, ndër të tjera thuhet se në vend të Bajaram Salihut, për të ushtruar detyrën e drejtorit emërohet Sherif Ademi, deri në skadimin e masave të përkohshme, ndërsa më së voni në një afat prej gjashtë muajsh.
Gjithashtu vendimi në fjalë shkarkon Këshillin e shkollës dhe emëron Këshillin e ri, që sipas raportit të fundit të inspektorit republikan të arsimit Xhait Ramadani, është vërtetuar se ky institucion arsimor ka bërë shkelje duke mos i përmbajtur masave të caktuara të inspektoratit në dokumentin e datës 1 prill të këtij viti.
Me këtë rast udhëheqësia e kësaj shkolle ka bërë shkelje të nenit 63, paragrafit 2 të pikës 8 të Ligjit themelor mbi arsimin dhe edukimin, thuhet në vendimin e Ministrisë në fjalë.
Me këtë vendim nuk ka qenë e kënaqur udhëheqësia e kësaj shkolle e cila në orët e paraditës së sotme ka mbajtur një mbledhje këshilluese ku kolektivi është njoftuar me vendimin e Ministrisë.
Udhëheqësia e këtij institucioni arsimor e cila është shprehur e pakënaqur me vendimin e marrë nga ana e Ministrisë, në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së vendimi mund të ankohet duke filluar një procedurë administrative, mirëpo vendimi i cili është i nënshkruar nga Ministri i Arsimit Tomislav Jovanoviq thotë se ai është vendim përfundimtar.
VENDIMI I MINISTRISË SË ARSIMIT
Pse po bëhen shkarkimet e këshillave dhe të drejtorëve si dhe emërimet e organeve të reja?
Problemi me emërimet e drejtuesve të shkollave në komunë të Bujanocit është i njohur për publikun dhe se fajin kryesorë e mbanë politika lokale, duke emëruar këshilla nëpër shkolla me anëtarë të partisë në pushtet.
Dëshira për të udhëhequr me shkollat u shfaq çysh me marrjen e drejtimit të komunës së Bujanocit nga ana e Partisë Demokratike të Nagip Arifit, e cila drejtorët e “padëgjueshëm”, me apo pa procedurë të rregullt i shkarkonte për të emëruar drejtorët e rinj.
Pikërisht futja e politikës në shkolla ka shkaktuar edhe një tollovi, ndërsa inspektorët republikan, përveç në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, shkeljet gjatë procesit të emërimit të Këshillit të shkollës dhe drejtorëve, ka evidentuar edhe në shkollën e mesme “Sezai Surroi” dhe atë fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, si dhe në shkollën fillore të malësisë së Bujanocit “Migjeni” në Muhoc.
Sipas procedurës së nisur nga inspektorët që kanë evidentuar shkeljet në fjalë, nuk do të shkojë gjatë dhe këta drejtorë të shkollave të lartpërmendura do të kenë fatin e njëjtë si udhëheqësia e shkollës fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!