Lokale
Tensionet rreth përmendores së UÇPMB-së të zgjidhen me dialog
[caption id="attachment_48694" align="aligncenter" width="640"] Monumenti përmban emrat e ushtarëve të vrarë shqiptarë në konfliktin e armatosur, më 2000 dhe 2001 në Luginë.[/caption]
Përmendorja me 27 emrat e pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, prejse është ngritur në muajin nëntor në Preshevë, është bërë objekt i matjes së forcës ndërmjet Beogradit zyrtar dhe disa shqiptarëve të Luginës.
Disa anëtarë të ushtrisë tashmë të shpërbërë kanë porositur kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, se janë të gatshëm të sfidojnë heqjen e monumentit, nëse është e nevojshme edhe me armë.
Daçiq, i cili insiston në heqjen, ka thënë se përmendorja do të hiqet edhe me dhunë, nëse shqiptarët nuk e heqin vetë.
Kryetari i Qeverisë serbe, madje, ka kërcënuar se nuk do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, nëse përmendorja nuk hiqet deri më 17 janar.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërcënimet, të kujtdo qofshin ato, nuk çojnë në asgjë të mirë. Ai ka thënë se nuk vjen në shprehje asnjë konflikt i armatosur me Serbinë, ndërsa fajin për tensionet ua ka hedhur mediave.
“Nuk është në rregull që tensionet të ngrihen në këtë nivel, kur nuk ka asgjë midis shqiptarëve dhe serbëve lokalë. Unë u bëj thirrje mediave që të shkaktojnë sa më pak tensione rreth këtij monumenti”, ka thënë Mustafa.
Daçiq po ashtu ka thënë se “përmendorja është provokim i panevojshëm”, por ish-pjesëtarët e UÇPMB-së janë përgjigjur duke thënë se Daçiqi “mund ta heqë vetë atë nëse guxon”.
Deputeti i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë se është e pakuptueshme situata, në të cilën autoritetet shtetërore grinden me zyrtarët lokalë.
“Kompetencat e pushtetit lokal nuk mund t’i mohojë askush, por nëse shfaqen probleme, duhet që të dyja nivelet e qeverisjes të bisedojnë dhe t’i zgjidhin ato probleme”, është shprehur Halimi.
Përmendoren, si provokim e ka cilësuar edhe kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun. Por, ai ka thënë se “ky është provokim i Prishtinës, e cila bën përpjekje të ndalojë aktivitetin e fuqishëm politik të Beogradit”.
“Provokim, në të cilin shteti i Serbisë duhet të përgjigjet, për të treguar se është i vendosur dhe ka kapacitet të ndalojë të gjithë ata që me anë të dhunës, duan të zgjidhin probleme”, ka thënë Drecun.
Në anën tjetër, Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë, ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së këtij rasti me anë të dialogut.
“Mendoj se një kryeministri nuk i kanë hije deklaratat e tilla. Kryeministri mund të flasë me kryetarin e Komunës së Preshevës dhe me dialog të zgjidhin problemin. Me kërcënime nuk mund të zgjidhet asgjë”, ka thënë Beqiri.
Gjatë viteve 2000 dhe 2001, organet shtetërore të Republikës së Serbisë – Ministria e Brendshme, prokuroria dhe gjykatat – e kanë trajtuar si “organizatë terroriste” Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Por, në vitin 2002 është sjellë ligji për amnistinë e pjesëtarëve të saj./TITULLI.COM/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!