Tekstet shkollore nga Kosova për nxënësit e Luginës së Preshevës kurrë nuk i morën
Lokale

Tekstet shkollore nga Kosova për nxënësit e Luginës së Preshevës kurrë nuk i morën

15.Nov.2018 08:36
0

Ka vite që drejt Luginës së Preshevës janë nisur tekstet shkollore shqip, por ato nuk kanë arritur akoma atje.

Zyrtar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për Indeksonline kanë thënë se në bazë të informacioneve që kanë librat janë kthyer prapa.

“Kjo çështje ka qenë para ardhjes së ministrit Shyqyri Bytyqi në krye të MAShT, mirëpo në bazë të informacioneve që kemi, këto libra janë kthyer mbrapshtë, pra nuk janë dërguar në adresën e duhur”, kanë thënë ata.

Por, sipas tyre tashmë është shprehur gatishmëri që bashkë me Shqipërinë të merret ndonjë vendim për të dërguar libra të tjera atje, por nga shteti shqiptar nuk ka ndonjë sinjal.

“Ne kemi shprehur gatishmëri që bashkë me Shqipërinë të marrim ndonjë veprim për të dërguar libra në Luginën e Preshevës, mirëpo deri tani nuk kemi marrë ndonjë sinjal rreth kësaj çështje”, janë shprehur zyrtarët nga MASHT.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, njëherësh edhe anëtarja e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se si anëtar të këtij komisioni kanë kërkuar vazhdimisht që këto libra të shkojnë në destinacion.

Ajo në prononcim u shpreh se ministri Bytyqi ka thënë se nuk do të merret iniciativë për dërgimin e teksteve tjera, pasi që të kaluarat kanë mbetur në kufi.

“Kërkesa jonë e vazhdueshme, gjatë gjithë kohës si anëtar të komisionit për arsim, pasi që jam qe tre mandate në këtë pozitë ka qenë që këto libra të gjendet mundësia që të shkojnë në destinacion, por fatkeqësisht këto libra nuk kanë arritur atje asnjëherë. Së fundmi, para dy jave Ministrin e Arsimit e kemi pyet prapë, por ministri ka thënë që nuk marr iniciativë tjetër e me shku librat në kufi, e mos me shku në vendin e duhur. Mundësia mes shtetit shqiptar ka qenë një tjetër alternative që na e ka thënë por nuk ka ndodh diçka e tillë” u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, kjo çështje duhet të ngrihet si temë diskutimi në takimet që do të mbahen mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Unë mendoj që kjo temë ish deshtë me i ngrit në takime, ku me 26 të këtij muaji, të dy qeveritë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë” tha deputetja nga radhët e AAK-së.

Sipas saj, ky problem nuk duhet të shfrytëzohen vetëm për të bërë politikë por duhet të ndërmerren veprime konkrete, pasi që bëhet fjalë për shqiptarë që janë të diskriminuar skajshmërisht nga shteti serb.

Haxhiu është shprehur se është dashur të zbatohet reciprocitet, por sipas saj kjo asnjëherë nuk ka qenë gatishmëri e ndonjë qeverie të Republikës së Kosovës deri më tash.

“Reciprociteti normalisht që ish dashur të ndodh, por kjo fatkeqësisht nuk ndodh asnjëherë dhe nuk ka pasur gatishmëri të asnjë qeverie. Pra, është jo e drejt për ata fëmijë mbi të gjitha, por nuk duhet të bëjmë politikë sepse nuk është njerëzore të bëjmë politike me diçka që nuk ia dalim”, ka përfunduar Haxhiu.

Çështjen e reciprocitetit njësoj për tekstet në gjuhën serbe e kanë konsideruar si zgjedhje të paqëndrueshme, zyrtarët nga MASHT-i.

“Reciprociteti nuk është zgjidhje e qëndrueshme. Ne jemi duke u angazhuar që të gjitha institucionet edukativo arsimore që veprojnë në vendin tonë, të jenë pjesë e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës”, kanë thënë ata.

Rikujtojmë, që para pak kohësh i pari i MASHT-it pati thënë se po planifikohet që në luginën e Preshevës të dërgojë Abetare në mënyrë elektronike, në pamundësi që në shtetin fqinjë ato të dërgohen në mënyrë fizike. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration