Të përfshihet Lugina në bisedimet Prishtinë-Beograd
Përmes një komunikate, Shoqata e të Shpërngulurve nga Kosova Lindore “Vatra” kërkon nga faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë që Lugina të përfshihet në bisedimet e reja Prishtinë-Beograd.
“Duke pasur parasysh këto dhe frikën së përsëri Kosova Lindore do të mbetet jashtë agjendës, kërkon nga Institucionet e Kosovës dhe nga faktori Ndërkombëtar që në bisedimet eventuale Kosovë-Serbi, çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore të jetë domosdoshmërish pjesë e këtyre bisedimeve, duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës” thuhet në komunikatën e “Vatrës”.
Sipas kësaj shoqate që ka selinë në Gjilan çdo alternativë tjetër, stimulon fillim të problemeve të rajonit, sepse, në një anë duke i favorizuar serbët e Kosovës e në anën tjetër duke mbajtur të pushtuar dhe duke i diskriminuar shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës i ofendon e frustron, prandaj ai (populli shqiptar) edhe në të ardhmen, si gjithë herë do të kërkojë me ngulm, që e drejta e popujve për vetëvendosje të realizohet edhe te populli shqiptar i këtij rajoni.
“Moszgjidhja e të drejtave të popujve në këto hapësira në mënyrë të njëjtë, e në këtë rast e shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjegjës do të jenë ata që vendosin në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar”, thuhet në këtë kumtesë.
Kjo shoqatë i kujton ndërkombëtarëve dhe vendorëve se populli shqiptar i Kosovës Lindore është përcaktuar për bashkëngjitje me trungun e vet- Kosovën në Referendumin e 1 e 2 Marsit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe Deklaratën Politike të Këshilltarëve të tri komunave.
Një vërejtje “Vatra” ia dërgon edhe politikanëve shqiptarë të Luginës për të cilët thotë se jo vetëm që duhet të jenë të bashkuar rreth kësaj çështje, por duhet të jenë tepër këmbëngulës edhe me sakrificë të çfarëdollojshme që të ngrehin zërin e të kërkojnë në vazhdimësi që Kosova Lindore të jetë pjesë e bisedimeve dhe e zgjidhjes së çështjes së pazgjidhur të popullit shqiptar të këtij rajoni.
“Ata, jo vetëm që i kanë marrë votat, nga më të shumtat deri më tani, por e kanë edhe obligim atdhetar (ashtu siç po deklarohen për çdo ditë) që të jenë në vendin e duhur në këto momente historike, përndryshe nesër do të jetë vonë, e do të jenë edhe përgjegjës kur zgjidhja shqiptare në përgjithësi do të marrë fund”, përfundon kumtesa e shoqatës së të shpërngulurve “Vatra”./Titulli.com/