Lokale
Tahiri: Vazhdoni ta ndihmoni Luginën
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri ka pritur një delegacion nga Fondi Humanitarë i Kosovës Lindore (FHKL) në Zvicër i prirë nga kryetari i saj Xhelal Mehmeti
“Ju përgëzoj për punën e palodhshme në shërbim të humanitetit, njëherit ju inkurajoj që të vazhdoni të punoni në të mirë të popullatës shqiptare të asaj ane. Gjithmonë do ta keni përkrahjen tonë në kuptimin e idesë tuaj që shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jetojnë më mirë dhe se janë të shkelur nga qeveria serbe atje, por jemi duke bërë përpjekje dhe po punojmë në atë drejtim”, tha ndër të tjera Tahiri gjatë takimit.
Xhelal Mehmeti, kryetar i FHKL e ka njoftuar më hollësisht zëvendëskryeministren rreth orientimit dhe koncentrimit të ndihmesës së tyre.
“Kemi kontribuar në të gjitha luftërat që janë zhvilluar që kur ekzistojmë si fond, duke vazhduar me invalidët e luftës, me familjet skamnore etj…”, theksoi Mehmeti.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij dhe të organizatës që përfaqëson, për gjendjen aktuale në Luginë sidomos pas represionit të pa ndalur serb ku tha se “edhe puna jonë po bohet e pamundur të realizohet pasi që ka aq shumë nevoja si shkak i shtypjes shtetërore në mos-zhvillim, sa që nuk po mundemi ti mbulojmë të gjitha kërkesat, janë shumë ata që kanë nevoja elementare në këto komuna”.
Tahiri ka sugjeruar Mehmetin që ti drejtohet edhe instancave ndërkombëtare duke ja shprehur këto shqetësime dhe duke besuar se së shpejti do të gjendet një modalitet i mirë i këtij problemi i të gjithë shqiptarëve.
Ndër të tjera zv.kryeministrja është njoftuar për aktivitetet e FHKL e cila që 15 vite i ka dalë në ndihmë në mënyrë të ndryshme qytetarëve të Bujanocit, Medvegjës dhe Preshevës./K.M./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!