"Spektri politik i Luginës nuk ka bërë asgjë për t'i kthyer shqiptarët e dëbuar"
Drejtues të Lëvizjes Qytetare "Vatra", kanë thënë se spektri politik në Kosovën Lindore përkundër se është munduar, nuk ka bërë sa duhet për të mirën e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë, sidomos nuk kanë bërë asgjë për të i kthyer shqiptarët e dëbuar, por edhe në fusha tjera nuk ka pas rezultate të dëshiruara. Po ashtu edhe krijimi i shumë partive shqiptare është një gjë jo e mirë pasi shpërndarja e elektoratit në shumë parti, po i fuqizon subjektet politike serbe në këtë pjesë.Kryetarja e Lëvizjes Qytetare “Vatra”, Gentiana Shabani, ka thënë për 2L ONLINE, se kjo Lëvizje që nga themelimi e këndej ka pas raporte të mira më të gjitha subjektet politike që operojnë në Kosovën Lindore. Por, “Vatra” e ka kundërshtuar dhe në vazhdimësi e kundërshton krijimin e dhjetëra partive politike shqiptare në Kosovën Lindore nga shkaku se shpërndarja e elektoratit në shumë parti po i fuqizon subjektet politike serbe në Bujanoc , Preshevë e Medvegjë.
“Ju e dini se Lëvizja Qytetare “Vatra”, para pak kohësh ka dalë me idenë që në Kosovën Lindore të krijohet një listë unike për shqiptarët duke përfshirë të gjitha subjektet politike në një subjekt të vetëm. Kjo do të unifikonte të gjithë shqiptarët e Kosovës Lindore dhe bashkërisht do të i mbronin në mënyrën më të mirë të mundshme , por edhe do ta çonin kauzën përpara dhe do të përmirësonin jetën e qytetarëve të asaj ane”, ka thënë Shabani.
Ajo shtoi se Lëvizja Qytetare “Vatra”, është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike të cilat për qëllim kryesor kanë interesin e qytetarëve të Kosovës Lindore. Sipas Shabanit spektri politik në Kosovën Lindore është munduar që të punoj për të mirën e qytetarëve të Kosovës Lindore , por se shtrohet pyetja se a kanë bërë mjaftë për këtë çështje.
“Mund të themi se nuk kanë bërë sa duhet sidomos nuk kanë bërë asgjë për të i kthyer shqiptarët e dëbuar nga Vatrat e tyre që nga viti 1999. Po ashtu në aspektin e arsimimit , punësimit , kulturës mbetet akoma shumë për të dëshiruar. Sidoqoftë Lëvizja Qytetare “vatra”, është në dispozicion për projektet lidhur me realizimin e qëllimeve të qytetarëve të Kosovës Lindore”, ka thënë Gentiana Shabani, kryetare e lëvizjes Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan. /2L ONLINE/