Shqiptarët e Preshevës presin mesazhe dhe përkrahje nga Rama
Lokale

Shqiptarët e Preshevës presin mesazhe dhe përkrahje nga Rama

07.Nov.2014 10:59
0
Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, vlerësohet të jetë pozitive nga udhëheqësit dhe qytetarët e Luginës së Preshevës.

Madje, thonë se mikpritja për, siç e quajnë ata kryeministrin e tyre, do të bëhet në mënyrë shqiptare. Por, sipas tyre, Qeveria në Beograd, me një dinakëri të madhe ia shtyu vizitën Ramës, duke ia lënë me 10 nëntor, pikërisht kur me 10 dhe 11 nëntor në Serbi është festë zyrtare dhe kjo për ta zbehur jashtë mase këtë vizitë historike të një kryeministri shqiptarë. Megjithatë, ata presin nga Rama që qartazi dhe prerazi të theksoj para kryeministrit serb që shqiptarët e Preshevës meritojnë të drejta, nëse jo me shumë, po aq sa serbët në Kosovë, sidomos në veriun e vendit.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Musafa vizita e kryeministrit shqiptarë në Beograd nuk bëhet me një dëshirë shumë të madhe të Beogradit zyrtarë, sikurse nuk do të bëhet me një dëshirë shumë të madhe as të Tiranës zyrtare, por janë procese politike që ua imponon BE-ja dhe fuqitë e mëdha botërore që janë vëndosëse për politikën në botë.

Ai shton se ndryshimi i datës së ardhjes së kryeministrit, Edi Rama në Beograd dhe Preshevë, është bërë me një mjeshtri dhe dinakëri shumë të madhe nga zyrtarët në Beograd, me qëllim zbehjen e kësaj vizite, meqë me datën 10 dhe 11 nëntor në Serbi, është festë zyrtare.

“Data 10 dhe 11 nëntor janë ditë feste në Serbi, është një festë e Serbisë gjenerale dhe institucionet nuk punojnë, mbase në ato dy ditë feste janë të detyrueshme edhe institucionet shkollore, edhe institucionet publike, edhe institucionet vendore, në këtë drejtim për të minimizuar dhe për zbehur në më masë shumë të madhe vizitën e kryeministrit Edi Rama, qoftë në Beograd, qoftë në Preshevë, kanë planifikuar me dinakërinë me të madhe ditët e festës të vij një kryeministër shqiptarë”, tha Mustafa për KosovaPress.

Mirëpo, ende nuk dihet nëse Qeveria e Beogradit do të lejoj kryeministrin Rama që të vizitoj edhe Preshevën, ndonëse në agjendën e tij është paraparë që ai të shkoj edhe në Preshevë.

Megjithatë, kryetari Mustafa, thekson se shkuarja e kryeministrit shqiptar pas shumë decenieve në Serbi shënon një hap kah gatishmëria për të zgjidhur problemet me dialog paqësor dhe duke ia thënë të gjitha parregullsitë karshi shqiptarëve të Luginës, homologut të tij në sy. Kjo, pasi sipas tij, shqiptarët e Luginës është shumë e natyrshme që akoma janë në një diskriminim të paparë, me metoda të moderuara nga Qeveria e Serbisë.

Prandaj, Mustafa kërkon nga Rama që në takim me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq të bëjë kërkesa të qarta për shqiptarët e Luginës.

“Unë kujtoj se kryeministri shqiptar Edi Rama do ta përmbledh këtë me një fjali shumë të shkurtër, por të gjitha ato që kërkon kryeministri serb dhe qeveria serbe për serbët e Kosovës, në veçanti në veriun e Kosovës, duhet t’i ofroj të njëjtën masë me së pakushqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe kjo do të ishte mbase zgjidhja me fatlume edhe pse shqiptarët e Luginës kanë verdiktet e tyre që nga referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, luftën e UÇPMB-së, platformën politike të miratuar nga këshilltarët shqiptarë të kuvendeve komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes që asocojnë dhe synojnë për bashkëngjitje me Republikën e Kosovës. Por megjithatë kryeministri shqiptar këtë mesazh duhet ta nis edhe me një këmbëngulje shumë të madhe dhe të mbroj të gjitha ato që kërkon t’i sigurohen serbëve në Kosovë, t’iu ofrohen edhe shqiptarëve të Luginës”, thotë Mustafa.

Edhe qytetarët presin me entuziazëm vizitën e Ramës në Beograd dhe Preshevë, duke e vlerësuar si vizitë historike dhe që do të bëjë që kryeministri shqiptar ta shoh gjendjen reale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Aktivist për të drejtat e njeriut në Luginën e Preshevës, Valon Arifi thotë se është e mirëseardhur vizita e kryeministrit Edi Rama në Preshevë, ndonëse sipas tij, do të jetë simbolike dhe modeste.

“Vet vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama, tani që vjen edhe zyrtarisht si kryeministër, pasi dihet fakti që ai veç ka qenë dy herë si lider i opozitës, mendoj se është i mirëseardhur në përgjithësi për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ndërsa, për qytetarët e luginës për fillim është më shumë si simbolike ose modeste që të jetë vet prezenca e Shqipërisë në Preshevë dhe Bujanoc, përndryshe nuk e shoh si diçka shumë të madhe”, tha Arifi.

Madje, sipas tij, kjo vizitë është një lloj marketingu e dy qeverive, të Shqipërisë dhe Serbisë karshi faktorit ndërkombëtarë.

Edhe, Isuf Memeti thotë se vizita e kryeministrit Edi Rama, mund të konsiderohet si një vizitë e parë pas shumë dekadash dhe shqiptarët e presin me një gëzim të madh. Por, sipas tij, qytetarët e Preshevës presin edhe mesazhe konkrete nga Rama.

“Mesazhet që ne presim si qytetarë të Luginës së Preshevës, është që do të sjell një mesazh për të krijuar urë bashkëpunimi mes dy shteteve dhe për krijimin e kushteve më të mira për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të respektuar të drejtat e pakicave në shtetin e Serbisë ne ku jetojmë. Po ashtu, një mesazh që do të sjell Rama, do të jetë një mesazh për lidershipin shqiptarë të Preshevës që duhet të jenë me të kujdesshëm sidomos në veprimin politik, duhet të jenë më të tepër të koordinuar për të vepruar në koordinim në mes Shqipërisë dhe Kosovës karshi faktorit ndërkombëtarë dhe Qeverisë së Serbisë”, theksoi Memeti.

Ali Ismajli, student, e vlerëson pozitive vizitën e kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd, derisa shkuarja në Preshevë, sipas tij, do të jetë jashtëzakonisht mirëpritur për shqiptarët e Luginës, duke qenë se Rama konsiderohet si kryeministër edhe i tyre.

“Vizitën e Edi Ramës me 10 nëntor që do ta bëjë në Beograd, e vlerësoj si pozitive për arsye se është kryeministër i shtetit amë, shtetit të Shqipërisë dhe mendoj si qytetarë që ka me qenë diçka pozitive për gjithë qytetarët e Preshevës, njëkohësisht ka me qenë e mirë edhe për rininë tonë e cila po migron në perëndim ku edhe në perëndim është bërë vështirë të mbijetohet atje”, tha ai.

Edhe, Bejtullah Qaili, qytetarë i Preshevës, thotë se është mirë që po bëhet kjo vizitë, meqë është rasti që kryeministri shqiptar të njihet për së afërmi me gjendjen reale të shqiptarëve të Luginës.

“Kjo është një vizitë historike, pas 70 viteve një kryeministër ta vizitoj një shtet fqinjë. Por sidomos për popullatën këtu është shumë e rëndësishme kjo vizitë, do të thotë ta shoh gjendjen reale se gjithkah ministrat e kryeministrat i vizitojnë pakicat e veta për herë të parë interesohet një kryeministër të vijë në Preshevë ta vizitoj pakicën shqiptare e cila në çfarë kushte dhe me çfarë hallesh është në këtë trevë”, u shpreh Qaili.

Edhe, Naim Kamberi, qytetar i Preshevës, vlerëson se Rama duhet ta vizitoj Beogradin. Derisa, shkuarja e tij në Preshevë, tregon se Qeveria shqiptare nuk e ka harruar popullin shqiptarë të Preshevës.

“Vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd është e mirëseardhur, e sidomos në qoftë se në agjendën e tij është edhe vizita e banorëve të Luginës së Preshevës, konkretisht komunës së Preshevës dhe Bujanocit. Duhet të të shkoj patjetër, duhet të shkoj t’i tregoj popullit serb edhe Qeverisë serbe që shqiptarët janë për të bashkëpunuar kurdo. Edhe pas këtij skandalit të fundit që ka ndodhur në lojën Serbi-Shqipëri, ai patjetër duhet të vij”, tha Kamberi.

Vizita e kryeministrit Shqiptar Edi Rama në Beograd ishte paraparë të bëhet me 23 tetor, megjithatë ajo është shtyrë për 10 nëntor. /RTK/

Beograd: Ndalohet "BMW" me targa të Bujanocit, tre të arrestuar (foto)
Musliu: Qeveria e Serbisë të pranojë statusin e anëtarëve të UÇPMB-së
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration