Shqiptari i mirë i Serbisë që dëgjon muzikën e Bregoviqit
Kjo që po ndodh sot është vijim i skenarit të mirënjohur serbomadh për përçarjen e shqiptarëve. Ata me kohë janë përpjekur të bëjnë dallimin midis “shqiptarit të keq” dhe “shqiptarit të mirë”. “Shqiptari i keq” është ai i Kosovës: i egër, e kryengritës.
“Shqiptari i mirë” i Serbisë është ai i Shqipërisë: i butë e i qytetëruar. “Shqiptari i mirë” është ai që vazhdon diplomacinë dhe tregtinë me Serbinë, edhe kur Kosova është në flakë. Është ai që kërcen me muzikën e Bregoviqit edhe pse e ka dëgjuar që me këtë muzikë çetnikët frymëzoheshin për të masakruar njerëz të paarmatosur, gra e fëmijë, në Bosnje dhe Kosovë. “Shqiptari i mirë” madje i dhuron Bregoviqit çelësin e Tiranës.
Në histori, “shqiptarë të mirë” kanë qenë Esat Pasha që i hapi rrugën për në det ushtrisë së shpartalluar serbe, në mënyrë që ajo disa vite më vonë të digjte e të masakronte edhe njëherë Kosovën. “Shqiptar i mirë” ishte edhe Enver Hoxha që i hapi rrugën masakrës së Tivarit dhe e mbuloi me heshtje sa kohë që zgjati sundimi i tij. Pas rënies së komunizmit, “shqiptari i mirë” është diplomati që thotë se “ne nuk do të prishemi me Serbinë për hir të Kosovës”.
Kryeministri Rama po vepron sipas skenarit serbomadh të “shqiptarit të mirë”. Kur Vuçiqi e Thaçi, “shqiptari i mirë” nga Kosova, diskutonin me harta përpara për ndarjen e Kosovës, Rama thoshte se Shqipëria do ta mbështeste çdo marrëveshje që do të arrihej dhe kur plani dështoi tha se nuk kishte qenë asnjëherë dakort me ndarjen e Kosovës. Kur “shqiptari i keq” i Kosovës i vendos taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia, Rama i thotë që ta heqë. Dhe ai thotë në anglisht që udhëheqësit evropianë të pranishëm ta shohin se ai është “shqiptari i mirë” që nuk do t’i krijojë probleme Serbisë. Kur “shqiptari i keq” i Kosovës thotë që do të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë, “shqiptari i mirë” Rama turra-vrapin e ndal në Ohër ku dakordohet për mini-shengenin me Vuçiqin e Zaevin dhe paturpësisht thotë se “Kosova u vetë-izolua”.
Kur “shqiptarët e këqij” të Kosovës heqin bukën nga goja dhe ia japin të pastrehëve të tërmetit në Shqipëri, Rama e thërret Vuçiqin në Durrës që të luajë rolin e bamirësit. Kur “shqiptari i keq” i Kosovës i thotë shqiptarit të Shqipërisë se “dhimbjen do ta përballojmë bashkë”, Rama ulet në një tryezë me Vuçiqin, i cili sapo ka mohuar masakrën e Reçakut.
Ne, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qytetarë, jemi mbledhur para tyre, për t’u thënë Ramës e Vuçiqit se edhe në Shqipëri jemi “shqiptarët të këqij”, sepse Reçaku është yni, dhimbja e Kosovës është edhe dhimbja e Shqipërisë. Kosova është e jona, është Shqipëri. Ne jemi dhe do të jemi bashkë!
(Marrë nga Facebook i autorit, Enis Sulstarova)