Lokale
"Shqiptarët e Luginës po shpërngulen, Prishtina e Tirana nuk po bëjnë asgjë"
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku ka thënë për Telegrafin se ata si parti asnjëherë nuk kanë qenë kundër bisedimeve Kosovë – Serbi, po jo në mënyrën se si po zhvillohet tani ky dialog. Ai vlerëson se dialogu Kosovë – Serbi, nuk po shkon në favor të Kosovës dhe popullit shqiptar.
“Pa bisedime nuk arrihen zgjidhjet, dhe ne si LB prej fillimit e kemi pasur të qartë këtë. Koha e luftës ka përfunduar dhe Kosova domosdoshmërisht është dashur që të bisedojë me Serbinë, por jo pa kushte dhe pa agjendë, sikur po e bën në këto bisedime”, shprehet ai.
Klinaku vlerëson se dialogu Kosovë – Serbi, nuk po shkon në favor të Kosovës dhe popullit shqiptar.
Sipas tij, pastrimi etnik i shqiptarëve që po ndodh në veri të Mitrovicës dhe në Kosovën Lindore, është njëri ndër faktorët që dëshmon se procesi po shkon mbrapsht duke shtuar se moszgjidhja e këtyre problemeve do të jetë burim i konfliktit në të ardhmen.
“Çdo ditë nga këto pjesë po bëhet shpërngulja e shqiptarëve. Serbisë po i krijohet terren për të manovruar në këto pjesë, në një formë ose tjetër edhe me bekimin e palës kosovare”.
Klinaku mendon se zgjidhja e këtyre dy çështjeve do të krijonte mundësi fillimisht për integrimin kombëtar të shqiptarëve, pastaj edhe për integrimet ndërkombëtare të tyre.
“Përjashtimi i Luginës së Preshevës nga dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit, ka bërë që shqiptarët atje të detyrohen të bëjnë marrëveshje direkt me shtetin serb. Mungesa e ndihmës për Luginën e Preshevës, nga ana e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, ka detyruar që shqiptarët atje pa dëshirën e tyre të shkojnë drejt integrimit në shtetin e Serbisë”, i tha Klinaku Telegrafit.
Ai e ka cilësuar rezolutën e Kuvendit të Kosovës, për bisedimet Kosovë – Serbi, si të dëmshme, sepse sipas tij, rezoluta kërkon normalizim të marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit, pa e zgjidhur problemin e Mitrovicës dhe Luginës së Preshevës.
“Pranimi i qeverisë që të hyjë në dialog në këtë formë dhe mbështetja e parezervë e opozitës, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, dëshmon se kjo kastë politike përmes dialogut po tenton që t’i mbrojë kompromiset e bëra më herët në Vjenë, për të cilat edhe ata e pranojnë se kanë qenë të dhimbshme për Kosovën”.
Ai mendon se vullneti i shqiptarëve të Luginë të Preshevës dhe i serbëve në veri të Kosovës, për t’iu bashkuar Kosovës respektivisht Serbisë nuk mund të konsiderohet si shkëmbimin i territoreve.
Klinaku vlerëson se problemi i Luginës se Preshevës dhe veriut të Kosovës, duhet të marrin zgjidhje, dhe ajo zgjidhje do të arrihet sipas tij, përmes respektimit të vullnetit të qytetarëve të dy pjesëve si serbëve në veri ashtu edhe shqiptarëve në lindje.
“Zgjidhja e këtij problemi do të garantonte funksionalitet të shtetit të Kosovës dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shqiptarëve. Do t’i largonte prej skenës politikanët e paaftë, dhe do t’i hapte rrugën njerëzve meritorë”, ka deklaruar Klinaku./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!