"Shporta e Kurban Bajramit" i ndahet mbi 700 familjeve (foto)
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) në Preshevë, gjatë ditëve të festës së Kurban Bajramit, ka zhvilluar aktivitete që lidhen me këtë festë.QSA ndër vite po e implementon projektin tashmë tradicional “Shporta e Kurban Bajramit”, i cili lidhet ngushtë me kryerjen e ibadetit të sakrificës së kurbaneve që financohen nga donatorët dhe shpërndarjen e mishit të këtyre kurbaneve familjeve në nevojë në Luginë të Preshevës.
“Falë mbështetjes së organizatës partnere nga Gjermania “Muslime Helfen”, bashkatdhetarëve tanë që përmes qendrave tona në diasporë bënë dhurimin dhe grumbullimin e kurbaneve, si dhe donatorëve tanë lokal në Luginë, QSA arriti të grumbullojë 141 kurbana, për të cilët therri një numër të madh kafshësh (22 lopë), duke siguruar një sasi të konsiderueshme të mishit rreth 5 tonelata, të cilat këto ditë ua shpërndau familjeve në nevojë në Luginë të Preshevës, përkatësisht në komunat Preshevë e Bujanoc”, thuhet në njoftimin e QSA-së.
Kjo organizatë, përmes këtij projekti ka përfshinë mbi 700 familje në nevojë të kategorive të ndryshme në një shtrirje të gjerë gjeografike në gjatësi prej rreth 60 km, duke filluar nga fshati më i largët i komunës së Preshevës në jug – Miratoc, deri në fshatrat më të largët të komunës së Bujanocit – Muhoc e Zarbincë.
Këto familje kanë përfituan sasi të mishit nga 5-8 kg, varësisht prej numrit të anëtarëve të familjeve.
“Gjatë përpilimit të listave të familjeve përfituese, theks të veçantë iu dha vendbanimeve periferike të malësisë së Preshevës dhe Bujanocit, si zona me kushte më të vështira ekonomike e sociale, pa lënë anash edhe familjet e vendbanimeve tjera më afër qendrave”, sqaron QSA.
Përveç familjeve përfituese, organizata me seli në Preshevë, si çdo vit, në shenjë falënderimi e respekti, ua dërgoi dhe nga një pako të mishit të kurbaneve edhe familjeve donatore, që edhe ato familje të ndjejnë “aromën” e mishit të kurbaneve të tyre.
E veçanta e Shportës së Kurban Bajramit të këtij viti është therja e kurbaneve, e cila ashtu dhe siç është paralajmëruar më herët, është bërë në thertore të licencuar dhe të pajisur me standardet HACCP dhe HALAL, në kushte të larta të përgatitjes teknike e higjienike, nga një staf profesional dhe në prezencë të hoxhës, i cili përkujdesej për pjesën e ibadetit dhe mënyrën e therjes sipas normativave fetare.
I tërë procesi mbulohet me dokumentacionin përkatës, për të gjitha fazat e realizimit të tij, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit./Titulli.com/