Shoqëria civile në Preshevë ka nevojë për fonde dhe organizim (Foto & Video)
Lokale

Shoqëria civile në Preshevë ka nevojë për fonde dhe organizim (Foto & Video)

11.Sep.2015 09:33
0
Përfaqësuesit e shoqatave të qytetarëve në Preshevë thonë se gjendja e shoqërisë civile nuk është aspak në nivelin e duhur. Ata theksojnë se edhe sektori civil ka dështuar, sikurse edhe politika në këtë rajon, pastaj ankohen për mungesë të fondeve e mbështetjes, si dhe për mungesën e organizimit të përbashkët të shoqatave të qytetarëve.

Njëra prej organizatave më të njohura joqeveritare në rajonin e Luginës së Preshevës është Këshilli për të Drejtat e Njeriut (KDNJ). Kjo organizatë është themeluar pak para konfliktit që ka ndodhur në këtë rajon dhe ka vepruar kryesisht në sensibilizimin e opinionit mbi shkelljen e të drejtave të njeriut, si dhe mbrojtjen e respektimin e të drejtave të njeriut.

Aktivisti i kësaj organizate Valon Arifi, thotë se KDNJ ka realizuar projekte të ndryshme, varësisht nga situata dhe koha. Ndërkaq sa i përket sfidave dhe problemeve që ballafaqohen gjatë veprimtarisë Arifi thekson neglizhencën dhe mos seriozitetin e institucioneve.

“Në Republikën e Serbisë, në rajon, por edhe në komunën e Preshevës ekziston neglizhenca e institucioneve. Pengesa më e madhe është mos serioziteti i institucioneve në Serbi, si ato lokale ashtu edhe ato qeveritare:, shprehet për portalin informativ Titulli.com, Valon Arifi, nga KDNJ.

Ai shton se kjo organizatë është organizata e vetmë në Luginë të Preshevës që ka marrë donacion nga Kosova dhe nga qeveria e Shqipërisë

Ndërsa, lidhur me gjendjen e shoqërisë civile në Preshevë, Arifi thotë se “sikur edhe politika, ashtu ka dështuar edhe shoqëria civile”.

“Unë mendoj se tek ne ende nuk kanë arritur të dallojnë organizatat dhe atë që komplet quhet shoqëri civile. Shoqërinë civile e përbëjnë organizatat, shoqatat, individë të caktuar, aktivistët, gazetarët dhe mediat. Kjo shoqëri civile realisht ka dështuar njësoj si politika pasi nuk ka arritur të zgjidh asnjë problem, sikurse edhe politika. Por në këtë rast shoqëria civile ka dështuar për shkak të problemeve që janë grumbulluar për më shumë se 20 vite nga vetë skena politike”, përfundon Valon Arifi, aktivist i KDNJ-së.

Ndëra shoqatat më të vjetra të Luginës së Preshevës është Shoqata e shkrimtarëve “Feniks” nga Presheva, e themeluar në vitin 1975. Kjo shoqatë është formuar para 40 viteve si klub letrar, ndërsa prej vitit 2011 është e regjistruar si shoqatë e shkrimtarëve, që aktualisht numëron rreth 30 anëtarë, nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Kjo shoqatë, sipas kryetarit të saj, Bilall Maliqit, organizon orë letrare, promovon libra, për çdo vit realizon projektin “Karvani i shkrimtarëve të Luginës” dhe në përgjithësi qëllimi i saj është promovimi i kulturës dhe letërsisë shqiptare në rajon e më gjerë.

Sa i përket financimit të aktiviteteve të shoqatës, Maliqi, thotë se po përballen me vështirësi, pasi pushteti lokal i Preshevës deri në vitin 2012 e ka ndihmuar, por prej këtij viti nuk i ka ndarë mjete, edhe përkundër kërkesave të numërta, jo vetëm për mjete materiale por edhe për një zyre, që i mungon kësaj shoqate.

“Unë mendoj se kjo ka pak konotacion politik, sepse mos të ndihmosh një shoqatë që prodhon kulturë, nuk është në rregull. Ne si shoqatë nuk kemi anim politik, ne jemi shoqatë kulturore letrare. Unë them se aq sa kontribon për kulturë aq edhe ke kulturë. Mirëpo ne kemi punuar dhe punojmë në baza vullnetare”, thekson Maliqi për Titullin.

Nëse do të mund të sigurojnë mjete materiale, ai shton se Shoqata e shkrimtarëve “Feniks” këtë vit do ta shënojë 40 vjetorin e themelimit të saj.

Njëra prej shoqatave më aktive të karakterit të saj në Luginë të Preshevës, është Shoqata e përsonave me aftësi të kufizuara, me seli në Preshevë.

Kjo shoqatë është themeluar në vitin 2008 me vetë iniciativën e personave me invaliditet, familjarëve të tyre dhe profesionistëve përkatës.

Koordinatori i kësaj shoqate, Shkëlzen Limani, thotë se “në këtë shoqatë janë të inkuadruar shtatë aktivistë, si pedagog, psikolog, defektolog e logoped, ndërsa shoqata ka 54 anëtare, e prej tyre 40 janë fëmijë”.

“Qëllimi i shoqatës sonë është  të mbrojmë të drejtat dhe interesat e qytetarëve me aftësi të kufizuara në mënyrë të organizuar dhe publike, e gjithashtu të mbështesim të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në sistemin e rregullt edukativo – arsimor përmes inkluzionit”, thotë Limani.

Kjo shoqatë, sipas Limanit, ka realizuar disa projekte, që janë financuar nga institucionet lokale, ndërkombëtare, por edhe nga vetë qytetarët, e në veçanti bashkëatdhetarët tanë nga diaspora.

Mirëpo, personat me aftësi të kufizuara, si edhe shoqata e tyre në Preshevë, sipas fjalëve të tij, nuk e ka mbështetjen e duhur, si nga institucionet, poashtu edhe nga shoqëria, kështu që nevojitet një kujdes dhe mbështetje më e madhe për këtë kategori njerëzish.

Një shoqatë e qytetarëve, e cila është aktive kohëve të fundit, është edhe organizata Integrimi Ndëretnik dhe Edukimi profesional – INEP, nga Presheva e themeluar në vitin 2011.

Kryetari i kësaj shoqate, Burim Bilalli, thotë se INEP deri më tani ka realizuar shtatë projekte të fushave të ndryshme, të financuara nga donatorë, siç janë Trupi Koordinues, Caritas Serbia dhe USAID-i amerikan.

Lidhur me gjendjen e shoqërisë civile, Billali mendon se gjendja e këtij sektori nuk është aq e mirë.

“Organizatat joqeveritare nuk janë në gjendje të mirë, pasi shumica prej tyre nuk kanë aktivitete. Organizatat duhet të kenë një rrjetë, pasi edhe për të konkurruar në një projekt më të madh duhesh të jesh në rrjet të organizatave. Ky rrjet duhet të jetë jo vetëm për shoqatat në komunë të Preshevës, por edhe ato të Bujanocit e më gjerë”, përfundon Bilalli./Titulli.com/

VIDEO

 

Kush do të fitojë në Medvegjë, Rama e Thaçi apo partitë serbe, ironizon Vuçiq
Republikanët në Bujanoc: Asociacioni i Komunave Shqiptare në Serbi, një marketing i lirë politik
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration