Shkëmbimi i përvojave të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Hungarez
Këshilli Kombëtar Hungarez në Suboticë ishte nikoqir i përfaqësuesve nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, në përbërjen e Shukri Ymerit kryetar , Hamdi Fejzullahu i angazhuar për çështje të arsimit, Zejnulla Dauti "“ çështje të informimit, Ragmi Mustafi çështje të kulturës dhe Kujtim Ismaili "“ çështje të përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare si dhe përfaqësuesve të OSBE-së, sektorit të pakicave nacionale.Gjatë këtij takimi pune, nikoqirët kanë informuar mysafirët nga Lugina e Preshevës lidhur me aktivitetet e tyre, bashkëpunimin e tyre me institucionet krahinore të Vojvodinës dhe ato lokale si dhe ushtrimin e kompetencave të dhëna nga legjislativi. Me këtë rast ata u njoftuan për së afërmi me punën e Këshillit Kombëtar Hungarez, të arriturat e tyre në sferat të cilat janë kompetencë e këtij Këshilli si dhe me problemet me të cilat po ballafaqohen.
Mysafirët nga Lugina fillimisht u përshëndetën nga Kryetari i Këshillit kombëtar të hungarezëve të Vojvodinës, Jene Hajnal i cili pasi falënderoi organizatorin e këtij takimi, Misionin e OSBE-së në Serbi, tha se prezenca e përfaqësuesve të KKSH sot këtu në selinë tone, dëshmon edhe një herë se interesi i pakicave nacionale është i njejtë për të gjithë dhe se bashkëpunimi jonë patjetër se do të sjell edhe rezultate për bashkombasit tanë.
Më pas, delegacionin e Këshillit Sombëtar Shqiptar e përshëndeti edhe Kryetari i Lidhjes së hungarezëve të Vojvodinës, Ishtvan Pastor i cili u dëshiroi mirëseardhje dhe përshëndeti organizimin e këtij takimi, duke potencuar se vetëm kësisoj pakicat nacionale do të mund të jenë më të suksesshme në realizimin e kërkesave të tyre, pra kur ato bashkojnë forcat dhe përvojat.
Prfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar vizituan Shtëpinë e Medias Pannon në Suboticë, e cila është në kuadër të Fondacionit të Këshillit Kombëtar hungarez, ku u takuan me Drejtorin e kësaj kompanie mediale, Ishtvan Boxhoni si dhe të punësuarit në te.
Gjatë këtij takimi ata u njoftuan për së afërmi me punën e kësaj kompanie mediale si dhe vizituan nga afër lokalet e punës.
Drejtori i kësaj shtëpie informative para mysafirëve nga Lugina e Preshevës paraqiti Fondacionin, duke potencuar se ai ka dy radio stacione dhe një kanal televiziv si dhe të përditshmen “Magyar szo”, një revistë javore dhe të tjera.
Ai poashtu bëri me dije se ishte anëtar i grupit të punës së përgatitjes së planit strategjik për media, drafti i së cilës është përfunduar kohëve të fundit dhe i cili pritet që të aprovohet nga ana e Qeverisë së Serbisë, edhe pse nuk shpreson shumë se një gjë e tillë do të ndodh.
Sipas tij, me këtë plan strategjik funksionimi i mediave, sidomos atyre lokale, do të bëhej më i lehtë.
Rozalia Okres, drejtoreshë e “Magyar szo” para mysafirëve tha se “gazeta jonë e përditshme është një nga shtyllat më të rëndësishme të ruajtjes së identitetit kombëtar të hungarezëve të Vojvodinës”.
Varju Marta, kryeredaktor e të përditshmes “Magyar szo” (“Fjala hungareze”) tha se kjo e përditshme ka mbushur 73 vjet që kur është në duar të lexuesve të saj dhe se ka arritur të fitoj prestigj tek popullata hungareze e këtij rajoni. Ajo poashtu shtoi se kjo gazetë përveç sukseseve tjera ka arritur të krijoj edhe kapitalin intelektual - ngritjen e shumë gazetarëve për media të tjera, botim librash, takime me gazetarë e lexues, etj.
“Vizitat si dhe raportet në mes të Këshillit Kombëtar shqipëtar dhe Këshillit Kombëtar hungarez, por edhe këshillave të tjera kombëtare, janë një ndihmë e madhe për ne, pasi që me siguri se do të përfitojmë nga përvojat e të tjerëve", tha kështu Kryetari i KKSH, Shukri Ymeri në fillim të fjalës së tij.
Ai më tej shtoi se “Këshilli Kombëtar hungarez po shihet se është një nga këshillat më të organizuara kombëtare në Serbi, kështu që përvoja e anëtarëve të saj do të thotë kapital i njohurive për ne të tjerët”. Shukri Ymeri ishte veçanërisht i kënaqur që mundi të njihej me përvojën e KKH në fushën e arsimit, pasi KKSH e konsideron atë jashtëzakonisht të rëndësishme për të përmirësuar cilësinë e arsimit.
Zejnulla Dauti gjatë këtij takimi foli kryesisht për gjendjen e informimit duke e cilësuar atë si shumë të vështirë, pasi që të gjitha mediat në Luginë po ballafaqohen me probleme të shumta nga më të ndryshmet.
Ai poashtu theksoi se në kuadër të KKSH vite më parë botohej revista “Nacionali” e cila tani më nuk botohet për shkak të kostos së lartë për tu botuar dhe se aktualisht komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës informohet në gjuhën e tyre amtare vetëm përmes informacioneve nga mediat elektronike, disa nga të cilat për shkak të statusit të tyre të pazgjidhur si dhe mos përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë ndaj tyre pushtetet lokale, po shkojnë drejt shuarjes.
Milica Rodiq, nga sektori i pakicave nacionale pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Serbi, tha se pajtohet me ate se Këshilli Kombëtar hungarez është një nga këshillat më të organizuar, më të avancuar dhe më aktivë në Serbi. Kjo është arsyeja pse ideja ishte se një vizitë në KKH mund të rriste efikasitetin e punës së KKSH.
“OSBE, e cila mori pjesë në organizimin e këtij takimi, ka organizuar trajnime dhe takime për anëtarët e këshillave kombëtare për shumë vite, pasi ne besojmë se është mënyra më efektive për këshillat kombëtare që të përfitojnë plotësisht nga ligji dhe kjo çon në integrimin më të thellë të komuniteteve pakicë në shoqërinë serbe", tha Milica Rodiq.
Sipas saj, fokusi i përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptar është kryesisht në arsim, pasi më i shquar në këtë fushë është formimi i situatës së të rinjve, gjeneratës së ardhshme. Për KKSH, është e rëndësishme që brezi i ardhshëm të jetë sa më i aftë që të jetë e mundur në mënyrë që më shumë njerëz të mund të mësojnë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse përmirësohet cilësia e arsimit në gjuhën shqipe./Z.D/