Sherret politike në Tiranë dhe Prishtinë po dëmtojnë shqiptarët
Lokale

Sherret politike në Tiranë dhe Prishtinë po dëmtojnë shqiptarët

14.Jan.2016 21:28
0
Deputeti i parlamentit serb, Shaip Kamberi flet për "Koha Jonë" mbi marrëdhëniet e fundit mes dy kombeve pas vizitave historike të Edi Ramës në Beograd dhe të Vuçiç në Tiranë

Në zgjedhjet e fundit të vitit 2014, Parlamenti me 250 anëtarë i Serbisë numëron edhe dy deputetë shqiptarë.  Shaip Kamberi është një ndër dy deputetët shqiptarë, në Kuvendin serb.  – “Jemi dy përfaqësues shqiptarë në institucionin më të lartë shtetëror. Krahas Riza Halimit, i cili në këtë detyrë, për herë të parë është zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2007, në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura në marsin e vitit 2014 unë jam përzgjedhur përfaqësuesi i dytë në këtë institucion,” – thotë në një intervistë për “Koha Jonë”, Shaip Kamberi. Ai komenton vizitën historike të Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, e më pas në Luginën e Preshevës, atë të Kryeministrit serb Aleksandr Vuçiç  në Tiranë dhe thotë se, “vështirë të pritet një “normalizim” i raporteve ndërshtetërore deri sa Serbia nuk pajtohet me realitetin e krijuar më 1999, në Kosovë.” Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është “Heroi Kombëtar, ose kryetrimi i gjithë shqiptarëve,” – siç e cilëson ai heroin tonë kombëtar:

Zoti Kamberi, si deputet në Parlamentin serb dhe që përfaqësoni popullsinë shqiptare të Luginës së Preshevës, çfarë përbën për ju ky fakt?

Të përfaqësosh popullatën tënde në nivel shtetëror, në një atmosferë kur disponimi antishqiptar në Serbi është i theksuar, kur në mungesë të forcës së votës, forca e argumentit shumë pak përfillet, kur qeveria, e cila, përkundër faktit që prioritet të vetin ka vendosur integrimet evropiane, nuk tregon gatishmëri për t’i zgjidhur problemet e shumta të shqiptarëve, të jesh pjesë e Parlamentit paraqet, në radhë të parë, ndjej përgjegjësi për votën e marrë. Pra, të jesh deputet në një shtet armiqësisht të disponuar ndaj shqiptarëve sjell rreziqet për premtimet e bëra.

Në momentin që fituat mandatin e deputetit në Parlamentin serb premtuat se do të ngrinit zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. A është dëgjuar zëri juaj atje dhe si ka ndryshuar qëndrimi i politikave serbe karshi pakicës shqiptare? 

Shqiptarët në Serbi përballen me sfida të shumta. Sfida, të cilat përcaktojnë edhe ekzistencën e tyre në këtë rajon. Shumë probleme të grumbulluara në sferën e arsimit, sikurse është mungesa e teksteve shkollore, mosnjohja e diplomave të Kosovës, por edhe në sferat e tjera të jetës kanë ndikuar, që në vitet e fundit, shqiptarët në masë, heshtazi, ta braktisin rajonin në drejtim të Europës Perëndimore. Shumë mekanizma ndërkombëtarë (të Këshillit të Europës apo edhe të BE-së)  në raportet e tyre po konstatojnë  gjendjen e vështirë të shqiptarëve. Problemi po qëndron në faktin se edhe Bashkësia ndërkombëtare nuk po shkon më larg se konstatimi i gjendjes. Ajo nuk po tregon angazhim të duhur për ta inkurajuar apo edhe detyruar Serbinë që për këto çështje edhe të gjejë zgjidhje adekuate. Nën-përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet publike, mungesa e perspektivës ekonomike dhe vendeve të punës janë probleme ekzistenciale për ne. Roli ynë, në cilësinë e dy përfaqësuesve shqiptarë, është që, edhe përmes Parlamentit të paraqesim problematikat aktuale. Në këtë formë kemi iniciuar disa tema të rëndësishme, por, siç e theksova edhe më sipër, është mungesa e vullnetit politik në Beograd, që për këto problematika edhe të ofrojë zgjidhje.

Mendoni se i respekton po aq Serbia të drejtat e krahinave me popullsi dominuese shqiptare si në Luginën e Preshevës dhe Bujanoc, krahasuar me të drejtat që kanë pakicat serbe në Kosovë?  

Absolutisht jo. Paradoksi i situatës qëndron në faktin se, Serbia po angazhohet që për pakicën e vet në Kosovë të sigurojë të drejta, sipas parimit “sui generis”,  që janë më të larta se standardet e BE-së për pakicat, por në anën tjetër, ajo vetë, në raport me pakicat nuk respekton as ato të drejta që janë të garantuara me kushtetutën dhe ligjet serbe. Ta ilustroj. Kushtetuta e Serbisë garanton të drejtën e pakicave që në komunat në të cilat ato jetojnë, struktura e të punësuarve nëpër institucionet publike t’i përgjigjet strukturës së popullatës. Në praktikë, në Luginë të Preshevës, ekzistojnë institucione publike në të cilat nuk është i punësuar asnjë shqiptar. Aq më tepër, Serbia refuzon me ngulm çfarëdo reciprociteti të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës me të drejtat e Serbëve në Kosovë. Ajo po tenton të vendosë një reciprocitet virtual me të drejtat e “serbëve në Shqipëri”.

Kryeministri Edi Rama vizitoi pak më shumë se një vit më parë Beogradin dhe më pas Luginën e Preshevës. Ai bëri edhe disa premtime para popullsisë shqiptare atje, por a kanë ndryshuar politikat që ndjek Tirana zyrtare për të drejtat e tyre?

Vizita e Kryeministrit Rama, tek ne, me të drejtë, u cilësua historike. Ishte Kryeministri i parë shqiptar që ka vizituar rajonin. S’ka dilemë se raportet e mira ndërfqinjësore Shqipëri – Serbi do të duhet të ndikojnë edhe në trajtimin ndryshe që Serbia duhet t’i bëjë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Por, pavarësisht se vizitat e këtilla janë të rëndësishme, ato nuk janë të mjaftueshme për të përmirësuar gjendjen tonë. Në rrethanat kur Serbia, përmes një politike perfide të varfërimit të rajonit, mbylljes së perspektivave ekonomike apo edhe getoizimit të tij,  po krijon gjendje të pashpresë për shqiptarët, mbetet që edhe Tirana edhe Prishtina edhe me ndihma ekonomike ta ndihmojnë këtë popullatë për të mbijetuar. Përndryshe, ne vetëm se jemi në limitet e mbijetesës në këto komuna.

Edhe Aleksandër Vuçiç ishte në Tiranë. Pas shkëmbimit të dy vizitave të larta, a mund të themi se janë zbutur tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve gjatë vitit të fundit? 

Do të ishte një problem krejtësisht i lehtë relaksimi i raporteve ndërshtetërore po të mos ishte çështja e Kosovës ajo që rëndon raportet mes dy shteteve. Prandaj, pavarësisht takimeve të tjera të ngjashme që, në kuadër të integrimeve në BE, dy shtetet edhe mund të kenë, vështirë të pritet një “normalizim” i raporteve ndërshtetërore deri sa Serbia nuk pajtohet me realitetin e krijuar më 1999, në Kosovë. Duhet potencuar edhe faktin se Serbia, për një kohë të gjatë, disi, ka luajtur rolin e xhandarit të Ballkanit. Sot, kur gjeopolitika ka ndryshuar, kur shqiptarët po bëhen faktor i patjetërsueshëm në ndërtimin e paqes rajonale, kur kanë afërsi të madhe me superfuqinë e vetme botërore (SHBA), sedra e serbëve disi heziton të pajtohet me këtë realitet.  Pra, për një normalizim të plotë Shqipëri – Serbi do të duhet ballafaqimi i sinqertë i elitës, shtetit dhe kishës serbe me këto dy realitete. Dhe ndoshta nuk mund të arrihet normalizimi ndërshtetërorë pa u arritur normalizimi i raporteve shqiptaro – serbe parakusht i të cilëve është Kosova.

Politika në Kosovë ka qenë disi e tensionuar kohët e fundit, po ashtu edhe në Tiranë. Si pjesë e Parlamentit serb, a konstatoni se shqiptarët e kanë më të vështirë të merren vesh me njëri-tjetrin, për të mbajtur pushtetin, qoftë edhe kur bëhet fjalë për interesat kombëtare?  

Lufta e ashpër pozitë-opozitë, është karakteristike e vendeve me demokraci të brishta, vendeve që kanë dalë nga diktaturat, kështu që në këtë aspekt as Serbia nuk bën përjashtim. Por, problemi edhe në Shqipëri edhe në Kosovë po qëndron në faktin se elitat politike nuk po arrijnë të koordinojnë qëndrimet dhe veprimet as për çështjet ekzistenciale të kombit dhe shtetit. Mendoj se trajtimi dhe zgjidhja e këtyre çështjeve që janë jetike për shtetin apo Kombin, duhet bërë në një konsensus shoqëror e jo duke përjashtuar njëri- tjetrin.  Asociacioni dhe demarkacioni janë dy çështje që nuk u trajtuan në këtë mënyrë dhe, po shihet, potenciali destabilizues për shtetin i këtyre problematikave.  Edhe në Shqipëri ka raste kur inatet politike kanë bllokuar edhe rrugëtimin e  Shqipërisë drejt BE-së.

 

A mendoni se është nacionalizmi i tepruar, që karakterizon më së tepërmi vendet ballkanike, është edhe shkaku kryesor i marrëdhënieve të vështira mes dy kombeve tona?

S’ka dilemë se është historia, veçmas ajo pas shpartallimit të Perandorisë Osmane, invadimi i ushtrisë serbe në Kosovë dhe pjesë të Shqipërisë, respektivisht aspiratat e shtetit serb ndaj tokave të banuara me shqiptarë, ajo që ka rënduar marrëdhëniet mes dy kombeve. Të përkujtoj se Kryeministri serb (i kohës së Luftërave Ballkanike)  Nikola Pashiç, me një rast ka deklaruar se, “Shqipëria është thembra e Akilit për Serbinë” dhe në bazën e kësaj premise politika shtetërore, represioni i saj ndaj shqiptarëve, është ndërtuar.  Edhe në kohën e Jugosllavisë së Titos, është represioni i udhëhequr nga famëkeqi shef i sigurimit të atëhershëm shtetërorë (UDB) Aleksandër Rankoviç dhe së fundmi politika e Sllobodan Milosheviçit ajo që ka rënduar raportet mes dy kombeve.

 Këtë e vërtetoi edhe një ndeshje futbolli mes kombëtares së Shqipërisë dhe Serbisë, që u kthye pak kohë më parë edhe në një betejë diplomatike. Megjithatë, konstatuat ndonjë ndryshim mes pritjes që i bëri Serbia ekipit shqiptar dhe anasjelltas?

Dallimet mes organizimit të dy ndeshjeve as që mund të krahasohen. Në ndeshjen e parë, ishte gjithë propaganda, shteti dhe opinioni serb që u mundua ta krijojë një atmosferë linçuese për kombëtaren shqiptare – trishtuese kjo për një lojë futbolli. Reagimet gjatë ndeshjes dhe pas saj ishin vandalistë. Ishte vetë Presidenti serb Tomisllav Nikoliç që i cilësoi shqiptarët si “popull jonormal” për shkak të Dron-it, ndërsa, shumë shqiptarë tjerë që jetojnë  nëpër Serbi ishin në shënjestër të sulmeve të organizuara të “tifozëve” derisa policia bënte sehir. Në anën tjetër, Shqipëria dëshmoi organizimin serioz, plotësisht në frymën e rregullave të FIFA dhe UEFA, krijoi një atmosferë krejtësisht tolerante në vetë Elbasan Arena, dhe dëshmoi që, edhe kur humb, nuk sillet si turmat vandale në Beograd që thërrisnin kore raciste “Vraj, ther, që shqiptarë të mos ekzistojë”.

Së fundmi, politikanët flasin përgjithësisht disa gjuhë të huaja. Ju sa gjuhë flisni, çfarë gjuhe që pëlqen të flisni dhe cilin njihni si hero kombëtar?   

Flas gjuhën serbe në një nivel të mirë. Sa i përket gjuhës angleze  e njoh në një masë, më tepër pasiv. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është kryetrimi i gjithë shqiptarëve. Figurë kjo që ka simbolizuar kombin edhe në periudhat më të vështira dhe s’ka dilemë se, jo vetëm për mua, por për shumicën shqiptare në Luginë të Preshevës është heroi i adhuruar. E them shumicën, sepse, mjerisht, edhe te ne ka politikanë shqiptarë që nuk përkrahin iniciativën e subjektit tim politik, në Kuvendin e komunës, që Sheshi qendror i qytetit në Bujanoc të emërohet “Skënderbej”. Kjo për interesa të ngushta politike, për të mos prishur raportet me partitë politike serbe në këtë komunë që konsiderojnë se ky propozim është destabilizues për raportet ndëretnike.  Paradokset te ne janë bërë rregull. Në kryeqytetin serb “Beograd” ekziston rruga “Skënderbegova”, e në Bujanoc ajo refuzohet se po destabilizon raportet ndëretnike.

Intervistoi: Aranit Muraçi

 

Reagon administrata komunale ndaj qëndrimeve të PVD-së në Bujanoc
Shqiptarët kërkojnë që kryetari i gjykatës në Bujanoc të jetë shqiptar (Video/Foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration