Shahihi: Libra shkollorë për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe skema mbështetëse
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka vijuar me publikimin e disa prej punëve të realizuara deri më tani përgjatë vitit 2020-të.
“Në vazhdën e punëve të mira gjatë 2020-ës është edhe ndihma konkrete ndaj shqiptarëve në Serbi duke i mbështetur me libra shkollorë shqip për arsimin parauniversitar”, nënvizon Ministrja Shahini në postimin e saj.
Ndër të tjera, ajo cilëson gjithashtu se jemi “shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe”.
Shqiptarëve në Serbi do t’iu lejohet tashmë përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, një punë konkrete e realizuar pas një vale të gjatë bashkërendimi mes MASR dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
Për vitin e ri shkollor përfitojnë libra falas nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12.
Gjithashtu nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ministrja Besa Shahini ka publikuar një prej punëve të mira të realizuara gjatë vitit 2020, konkretisht e cila lidhet me zgjerimin e skemës mbështetëse për shpërndarjen e librave falas për nxënësit e vitit të shkollor 2020-2021.
Përkundër presionit financiar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e COVID-19, Ministrja Shahini nënvizon se “këtë vit kemi zgjeruar skemën mbështetëse të librave falas, me përfitues direkt nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të”.
Kjo skemë mbështetëse nga buxheti i shtetit prej 800 milion lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.