Shënohet dita e Bujanocit dhe e "Sezai Surroit" (Foto)
Komuna e Bujanocit sot ka shënuar ditën e saj dhe të shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe, "Sezai Surroi".“Dita e Komunës së Bujanocit” është shënuar sot me një seancë solemne të Kuvendit Komunal të cilën e kishte thirru kryetari i Kuvendit, Jonus Musliu.
“Dita e Komunës së Bujanocit” përkon me “Ditën e Evropës” më 9 maj, mirëpo duke ditur se të shtunën ditë pushimi, zyrtarët kanë vendosur që atë ta shënojnë në ditën e fundit të punës së kësaj jave.
Veç seancës, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka shpalosur flamurin e Bashkimit Evropian në ballkonin e ndërtesës së administratës lokale.
Edhe shkolla e mesme “Sezai Surroi” të premten shënoi ditën e saj me një program të begat kulturoro-artistik të përgatitur nga nxënësit dhe profesorët e kësaj shkolle.
Në mesin e mysafirëve, përveç përfaqësuesve të institucioneve të vetëqeverisjes lokale, arsimore, e fetare, morën pjesë edhe përfaqësues nga familjet që kontribuuan në ngritjen e shkollës “Sezai Surroi”.
Me elaborimin e historikut të shkollës, para nxënësve dhe profesorëve u paraqit ushtruesi i detyrës së drejtorit Zejni Fejzullahu, kryetari i komunës Nagip Arif dhe i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu.
Gjithashtu, fjalën e mori edhe kontribuuesi në ngritjen e kësaj vatre arsimore, Shaban Xheladini. /Titulli.com/