Lokale
“Sezai Surroi” fiton kabinet modern (foto)
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc është pasuruar edhe me një kabinet modern për drejtimin Administrim Financiarë.
Interesimi i profesorëve të profilit të ekonomisë dhe stafit drejtues të kësaj shkolle shqiptare, ka mundësuar që të fitohet projekti i cili është kurorëzuar me pajisjen e kabinetit me mjetet të teknologjisë së fundit.
Ky projekt me vlerë 16 mijë euro është financuar nga organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) së bashku me Ministrinë e Arsimit.
Kabineti i profilit arsimor ekonomikë, tani përbëhet nga 16 kompjuter desktop, një lap top, projektor, printer, skaner, tri tabela, tavolina dhe karriga për nxënësit, komod etj.
“Këto pajisje, për këtë kabinet janë fituar për të hapur drejtimi e ri të ekonomisë, Administrim Financiarë (Teknikë i financave)”, i tha Titullit Bujar Mustafa profesorë në këtë shkollë, i cili shtoi se drejtimi i ri do të fillojë punën nga viti i ardhshëm shkollor.
Drejtimi i ri që do të hapet në kuadër të “Sezai Surroit”, paraprakisht ka marrë pëlqimin e Këshillit të Arsimtarëve, Këshillit të Shkollës dhe Drejtorit.
Projekti i fituar obligon profesorët e këtij drejtimi që të ndjekin trajnimet në Beograd për mësim aktiv të orientuar.
“Dy ditë në javë profesorët Shefket Jakupi, Bujar Mustafa, Valton Sulejmani dhe unë, për një kohë duhet të ndjekim trajnimet për këtë drejtim nga Ministria e Arsimit, e cila më pas certifikon profesorët”, theksoi me këtë rast për portalin tonë, profesor Izeir Islami.
Një obligim ndaj këtij projekti me 10 për qind nga shuma e përgjithshme e ka edhe komuna e Bujanocit, mjete këto që do të shfrytëzohen për të lidhur në rrjetë kompjuterët e këtij kabineti.
Duhet theksuar se vetëm pesë shkolla në Serbi fituan projektin e GIZ-it gjerman. Në një konkurrencë të fort, “Sezai Surroi” me interesimin e profesorëve dhe plotësimin e kritereve nga shkolla, arriti të jetë shkolla e vetme shqiptare nga Lugina që fiton këtë projekt.
Para dy viteve nxënësit e shkëlqyeshëm të drejtimit të Ekonomisë vizituan shkollat në Gjermani, vizitë të cilën ia mundësoi organizata gjermane GIZ. /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!